Presidenti Begaj takon arbëreshët në Itali: Ruajtja e identitetit shqiptar një vlerë e jashtëzakonshme, të forcojmë bashkëpunimin

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, në ditën e dytë të vizitës së tij në Kalabri u ndal në komunat e Acquaformosës dhe Lungros në provincën e Kozencës.

Në Acquaformosa është hera e parë që një Presidenti i Shqipërisë zhvillon një vizitë dhe, për këtë arsye, drejtuesit vendor dhe komuniteti e konsideruan ardhjen e Presidentit Begaj një nderim të veçantë. Kreu i Shtetit shprehu falënderime për mikpritjen arbëreshe dhe përpjekjet e bëra ndër shekuj për të ruajtur si pasuri të paprekshme trashëgiminë, ndërsa përcolli mesazhin e bashkëpunimit mes Shqipërisë, Kalabrisë dhe Italisë.

“Unë jam këtu për të ofruar mbështetjen time si President i Republikës së Shqipërisë, për të bërë detyrën time kushtetuese, për të mbrojtur e për t’ju gjendur të gjithë shqiptarëve kudo ata janë, jetojnë e punojnë. Është kënaqësi e madhe që gjej një mirëkuptim të jashtëzakonshëm nga presidenti i rajonit të Kalabrisë, nga Presidenti i Italisë, Matarella, dhe të gjithë zyrtarët e tjerë italianë, të cilët shprehin mirënjohjen e jashtëzakonshme për vlerat e shtuara të komunitetit arbëresh dhe shqiptar, të cilët kanë ndërtuar jetën dhe janë integruar shumë mirë në shoqërinë italiane”.

Në qendër të qytetit, ku ngrihet dhe busti i Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeu, Kreu i Shtetit u prit nga kryetari i bashkisë dhe arbëreshët e Acquaformosës. Ai vizitoi dhe kishën San Giovanni Battista, e ndërtuar në vitin 1500, një ndër më të rrallat në rajonin e Kalabrisë.

Ndërsa nga Ungra, ndalesa e radhës e kësaj vizite, Presidenti Begaj bëri thirrje për bashkim, sipas porosisë së Gjergj Kastriotit, siç u shpreh ai: “Po te jemi bashkë, asgjë nuk na thyen. Po të jemi të ndarë, edhe një fëmijë na mund”. Presidenti Begaj vizitoi Eparkinë e Lungros, ku bisedoi me ipeshkvpin, Imzot Donato Oliverio të cilit i shprehu vlerësimin për rolin e jashëtzakonshëm që ka luajtur kisha në mbrojtjen e vlerave tona identitare.

Gjatë takimeve me drejtuesit vendor, komunitetin arbëresh dhe klerikët e komunave të provincës së Kozencës, Kreu i Shtetit theksoi nevojën e  intensifikimit të marrëdhënieve, shkëmbimit të vizitave mes Shqipërisë dhe Kalabrisë, si dhe organizimin e aktiviteteve të përbashkëta.

“Së pari, është detyrimi im si President i Republikës së Shqipërisë për t’ju shprehur mirënjohjen time dhe të të gjithë popullit shqiptar për atë çka bëni për ruajtjen e identitetit tuaj. Të parët tuaj, pasardhës të Skënderbeut, ikën nga viset shqiptare jo për shkak të dëshirës për t’u larguar nga atdheu, u larguan nga atdheu i tyre për shkak të pushtuesit dhe erdhën dhe gjetën një derë të hapur këtu në Italinë mike”.

Kreu i Shtetit premtoi vijimin e angazhimit të përbashkët për ruajtur dhe promovuar atë çfarë është përcjellë deri tani nga arbëreshët, gjuhën në veçanti.

Begaj2
Begaj2
Begaj3
Begaj3
Begaj4
Begaj4
Begaj5
Begaj5
Begaj6
Begaj6
Begaj7
Begaj7
Begaj8
Begaj8
Begaj9
Begaj9
Begaj10
Begaj10
Begaj11
Begaj11
Begaj12
Begaj12

“Nuk mund të ketë një komb pa gjuhën e tij, pa ruajtur vlerat e identitetit kombëtar. Ju falënderoj nga zemra për atë çka bëni, që jo vetëm të ruani dhe promovoni gjuhën shqipe, por edhe ta trashëgoni te brezi i ri. Është detyra jonë të bëjmë presionin e duhur që gjuha shqipe të jetë e detyrueshme për shkollat”, – deklaroi Presidenti i Republikës.

(Arena e Lajmit)

Arena e Lajmit

Presidenti Begaj takon arbëreshët në Itali: Ruajtja e identitetit shqiptar një vlerë e jashtëzakonshme, të forcojmë bashkëpunimin

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook