Në futboll nuk mjafton të kesh shkruar historinë, e tashmja ka gjithnjë më shumë peshë se sa e shkuara. Shpëtim Duro nuk është më trajner i Strugës. Humbja e fundit në kampionat nuk është pritur mirë nga stafi drejtues, me palët që kanë vendosur të ndërpresin bashkëpunimin ndërmjet tyre edhe pse ekipi është ende në garë për titullin, për momentin ndodhen në vendin e dytë me 58 pikë, po aq sa edhe Shkëndija. Me anë të një statusi në faqen zyrtare të klubit, ekipi i Strugës ka bërë zyrtare këtë vendim për të ndërprerë bashkëpunimin me Shpëtim Duron:
POSTIMI I PLOTË
FC Struga Trim Lum njofton për ndërprerjen e bashkëpunimit me shefin e stafit teknik, Shpëtim Duro. Bashkëpunimi me trajnerin Duro ndërpritet me marrëveshje të dyanshme.
Me këtë rast, FC Struga falënderon Duron për kontributin e dhënë gjatë periudhës përderisa e drejtoi skuadrën tonë në kampionatin e vendit dhe garat europiane, gjithashtu i dëshirojmë shumë suksese në të ardhmen.