TIRANE
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj niset sot drejt Parisit, ku do të pritet në një takim të veçantë nga homologia e tij, Anne Hidalgo.
Temë e diskutimit mes dy kryebashkiakëve do të jetë rinovimi i sheshit “Skënderbej” në Paris, ndërkohë që një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe Lojërave Olimpike, si dhe kushtet e stërvitjes së ekipit olimpik shqiptar, ku një pjesë e sportistëve vijnë nga radhët e ekipeve të kryeqytetit.
Tirana ka një raport të veçantë me Bashkinë e Parisit. Në shkurt të këtij viti, Veliaj priti në Tiranë nënkryetaren e Bashkisë së Parisit, Anouch Toranian, së cilës i dhuroi në mënyrë simbolike “Sahatin e Tiranës” dhe bisedoi për rritjen e bashkëpunimit mes dy qyteteve. Veliaj tha se Parisi dhe Tirana janë kthyer në laboratorë të ndryshimeve urbane.