Në Angli, prej disa javësh, gara për titull është spostuar vetëm mes dy ekipeve, Man.City dhe Arsenal, ndërsa beteja për një vend në Evropë mbetet ende e hapur. Liverpool nuk luan për asgjë në pikë të sezonit, por të kuqtë e Jurgen Klopp thyejnë me “poker” golash Tottenham duke larguar këto të fundit nga gara për një vend në Champions.
Salah kaloi Liverpool në avantazh në minutën e 16-të, ndërsa në fundin e pjesës së parë ishte Robertson që dyfishoi shifrat. Me fillimin e pjesës së dytë, Gakpo dërgoi rezultatin në 3-0, ndërsa në minutën e 59-të, Elliott mbylli llogaritë me “gjelat” me një super gol. Pas këtij momenti, të kuqtë ulën ndjeshëm ritmin e lojës, ndërsa Tottenham realizoi dy gola me Richarlison dhe Son duke sigluar shifrat përfundimtare në 4-2.
Suksesi i Liverpool me Salah titullar, mori vëmendjen e mediave angleze, ku në këtë fund sezoni, faraoni egjiptiani dhe tekniku gjerman kanë vendosur të bëjnë paqe.
Chelsea zgjohet në këtë fund sezoni, me blutë që mposhtën me “manita” West Ham. Palmer në të 15 hapin siparin e golave, ndërsa Gallagher dyfishoi shifrat në minutën e 30-të. Ekipi i Pochettino-s ishte i papërmbajtshëm në këtë sfidë ku 6 minuta më pas realizuan edhe golin e tretë. Në pjesën e dytë stafetën e mori Jackson me sulmuesin nga Senegali që realizoi një “dopietë” golash duke sigluar shifrat në 5-0. Dy javë përpara fundit, Arsenal, Man.City dhe Liverpool kanë siguruar një vend në Champions League, por beteja e vërtetë bëhet për biletën e fundit ku në garë janë Aston Villa dhe Tottenham.
()