Gazetari i News24 Senad Nikshiqi, përmes një komunikimi të drejtpërdrejtë nga Shkodra në studion e emisionit “Open” ka shpjeguar detaje nga dinamika e tragjedisë që ka ndodhur në qytetin verior.
Ai u shpreh se pas gjetjes së trupave të pajetë të dy vajzave të mitura autoritetet, por edhe banorët e zonës po vijojnë kërkimet për trupat e nënës Alma Arrazi dhe djalit 3-vjeçar.
Gazetari zbuloi se ndaj bashkëshortit Erdgys Arrazi rëndojnë dy vepra penale, dhuna në familje dhe shtyrja drejt vetëvrasjes.
Ai shpjegoi më tej se Alma Arrazi ka konsumuar një kafe me kunatën e saj, gruan e vëllait të bashkëshortit dhe sipas saj nëna e 3 fëmijëve është dukur normale në sjelljen e saj dhe s’ka treguar shenja depresioni.
Alma Arrazi pas takimit me kunatën i ka thënë kësaj të fundit se do të shkonte drejt Durrësit bashkë me fëmijët, por besohet se pas këtij takimi ajo ka ndërmarrë aktin e rëndë duke u hedhur së bashku me fëmijët në ujërat e lumit të Bunës.
“Kërkimet po vijojnë nga autoritetet dhe banorët e zonës për gjetjen e trupave të nënës dhe djalit 3-vjeçar. Dyshohet se kjo ngjarje ka ardhur si shkak i dhunës në familje nga shtetasi Erdgys Arrazi, bashkëshorti i viktimës. Ndaj tij rëndojnë dy vepra penale, dhuna në familje dhe shtyrja drejt vetëvrasjes.
Nëna ka qenë duke pirë një kafe me kunatën, me gruan e vëllait të bashkëshortit dhe pas kësaj ajo i ka thënë se bashkë me fëmijët do ikte drejt Durrësit, por besohet se ka marrë aktin e rëndë të mbytjes së saj dhe 3 fëmijëve në ujërat e lumit të Bunës.
Kunata është marrë në pyetje dhe ka sqaruar për policinë se ka konsumuar një kafe normalisht siç bënin zakonisht dhe nuk i ka shprehur një gjendje të rënduar dhe ka thënë se ishte normale në sjellje”, u shpreh ai mes të tjerash.