Kryeministri Edi Rama, ka folur në mbledhjen e grupit parlamentar edhe në lidhje me Reformën në Drejtësi.
Ai u shpreh se shumë pretendojnë se kjo reformë u imponua nga ambasadorët, por kjo nuk ka ndodhur sipas tij, pasi ka qenë vetë Rama që e ka kërkuar vettingun dhe i ka bindur ata për rëndësinë e tij.
Rama: Nëse të gjithë ministrat kanë lëvizur për të dinamizuar punën, nuk jam mburoja e askujt me të cilët kam punuar dje apo punoj sot.
Vija mes funksionit tim dhe drejtësisë është e kuqe. E pakapërcyeshme. Ata që nuk janë këtu sepse zgjodhën të bënin një rrugë e dy punë, po jua them edhe ju, mos ngatërroni punën e përbashkët me asnjë dërrasë të kalbur ku mund të shkelni. Nuk jam unë dhe PS kur i dridhet toka nën këmbë, Është ai që na ka lëshuar mua dhe PS. Kur thonë Ram i hedh pasi i shtrydh si limona…nuk janë limona që i shtrydh unë por mollë të kalbura që bien vetë.
Kurrë nuk mungon mbështetja ime për të bërë detyrën në plotësi, por nuk ka pasur kurrë mëdyshje për t’ia lënë në dorë drejtësisë çdo rasti të hapur nga SPAK.
Dikur kreu i Tatimeve drejtonte agjencinë më të rëndësishme të vendit, nga kuzhina në arrest shtëpie dhe kryeministri predikonte prezumimin e pafajësisë duke iu bërë mburojë para drejtësisë. Dikur kapej burri i botës me qindra mijëra presh në botë dhe presioni politik e bënte drejtësinë të bënte popullin për budalla.
Partitë e kohës së dikureve, janë sot në hapësirën e pushtetit politik sa majë pallatit sa majë skelave prej hekurit duke lëshuar në sabah e aksham thirrje histerike kundër SPAK dhe korrupsionit. Por sot çdo dikush para ligjit nuk është më shumë se një qytetar.
Si e parashikon Kushtetuta. Para ligjit jemi të gjithë të barabartë. Ka disa që thonë që unë nuk e kam menduar se do vinte kjo ditë kur i hyra detit në këmbë dhe reforma na qenka diktuar nga ambasadorët. Mund të mos jem shumë i zgjuar por edhe kaq sa të shkoja derë më derë në Berlin e Bruksel për të kërkuar aleancë për vetingun, të cilin në ato fillime as atje nuk e pranon se e cilësonin si shkelje e të drejtave të fituara, pastaj në Uashington.
Le të hapin kartat, Byroja Kombëtare e Hetimit ishte në programin tonë që në 2009.
Ishim ne që i bindëm ambasadën për domosdoshmërinë e kësaj që donim të bënim.