Deputeti demokrat dhe njëherazi kryetar i Komisionit Hetimor për të dhënat e sistemit TIMS, Ervin Salianji është shprehur se Partia Socialiste u përpoq sot me çdo formë të bllokonte punën e komisionit.
Ai u shpreh në një reagim në Facebook se pas më shumë se 4 orësh debat dhe pas diskutimeve mes ekspertëve për tu dakortësuar për planin e hetimit deputetët e PS insistonin për shtyrjen e votimit dhe refuzuan për dy herë me radhë votimin e planit të ekspertes së propozuar nga ata vetë, me pretekstin se u nevojitej pushim.
Salianji theksoi se Plani i Hetimit i miratuar sot ka vendosur një kornizë për hetimin parlamentar por nuk kufizohet e drejta e komisionit të thërrasë për të dëshmuar persona/funksionarë ose ish funksionarë që mund të dalin se kanë dijeni për çështjen.
Reagimi i plotë:
Partia Socialiste u përpoq sot me çdo formë të bllokonte punën e Komisionit Hetimor për ndërhyrjen në sistemin TIMS.
Pas më shumë se 4 orësh debat dhe pas diskutimeve mes ekspertëve për tu dakortësuar për planin e hetimit deputetët e PS insistonin për shtyrjen e votimit dhe refuzuan për dy herë me radhë votimin e planit të ekspertes së propozuar nga ata vetë, me pretekstin se u nevojitej pushim!
Plani i Hetimit i miratuar sot ka vendosur një kornizë për hetimin parlamentar por nuk kufizohet e drejta e komisionit të thërrasë për të dëshmuar persona/funksionarë ose ish funksionarë që mund të dalin se kanë dijeni për çështjen gjatë shqyrtimit të dokumentacionit apo pas dëshmive të dëshmitarëve të miratuar me vendimin e sotëm!
Megjithë kufizimet ligjore, megjithë forcën bllokuese ne do ti shkojmë deri në fund hetimit parlamentar dhe do i shërbejmë interesit publik duke adresuar shqetësimin e publikut dhe partnerëve për këtë çështje!