Dita e Europës është shënuar me një sërë aktivitetesh në Tiranë duke celebruar gjithëpërfshirjen, larmishmërinë dhe të drejtat e njeriut, që këtë vit ishin edhe tema e Javës së Evropës. Ambasadori i BE-së e nisi ditën me një mesazh mbi procesin e integrimit.
“Nga Brukseli ka sinjale të qarta se tashmë jemi në një proces tjetër, dhe në një moment tjetër të procesit të zgjerimit. E kemi kuptuar se ne duhet ta plotësojmë procesin e integrimit evropian, ta përfundojmë atë sepse nuk është se ne thjesht po zgjerohemi, por po integrojmë, një pjesë të rëndësishme të Europës, në këtë projekt fantastik të Bashkimit Europian”, tha ambasadori Silvio Gonzato.
Dita e Europës u çel zyrtarisht nga Gonzato në sheshin Italia ku një panair prezantoi të gjitha projektet e programet e mbështetura nga BE në Shqipëri. Programi i BE-së për shkollat, kulturën, gjithëpërfshirjen, biodiversitetin, ujin dhe dhjetëra nisma të tjera patën shkëmbime me publikun. Programi nisi me interpretimin e Korit me probleme shikimi që interpretoi muzikë shqiptare.
“Kur flasim për njerëz që kanë aftësi të veçanta, nuk duhet menduar për ta vetëm si njerëz që kërkojnë ndihmë por edhe si njerëz që mund të kontribuojnë me gjëra të mrekullueshme në shoqëritë tona. Është një mundësi e mirëfilltë për të folur për Europën, për atë Europë që njerëzit nuk e kanë shpesh parasysh, Europa e vlerave, e demokracisë, barazisë e mosdiskriminimit, dhe këto duhet të frymëzojnë edhe shoqërinë shqiptare ndërkohë që rrugëton drejt Bashkimit Europian”, tha ambasadori. Në ditën e Europës, 20 vite nga zgjerimi i 2004-s u mbajt edhe një panel diskutimi me përfaqësues të vendeve që ju bashkuan Unionit nga Sllovenia, Hungaria, etj. “E mbaj mend kur Parlamenti Evropian votoi për anëtarësimin e këtyre 10 vendeve. Ka qenë një nga ato gjërat që gjithnjë e mban mend në jetë dhe u ndjeva se isha dëshmitar i një gjëje madhore në histori. E kemi vënë theksin te vlerat se nëse ka një komunitet vlerash, edhe vendimet e bazuara te konsensusi merren sepse BE ka mundësinë për të formuar një perceptim të qartë të sfidave dhe përgjigje për to”. Festimet për javën e Europës kanë përfshirë gjithë vendin, kur zbatohen nismat e mbështetura nga BE.