Prefekti i Qarkut të Korçës zhvilloi sot takimin e Komitetit të Menaxhimit të Zonave të Mbrojtura Mjedisore, mbledhja e parë për këtë vit.
Përveç anëtarëve të këtij forumi ishte e pranishme edhe Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura znj. Daniel Pirushi. Pjesëmarrësit ndanë mendime dhe ide sa i takon perspektivës së administrimit të zonave të mbrojtura, në kuadër edhe të risive të reja që sjell ligji “Për Zonat e Mbrojtura”, i amenduar në fillim të këtij viti, me synimin për të vendosur një ekuilibër të rishikuar midis zonave të mbrojtura e nevojës që kanë komunitetet dhe pushteti vendor për zhvillimin ekonomik të territoreve të tyre, si dhe për një riformulim e qartësim të aktiviteteve të lejuara në zonat e mbrojtura.
Në takim u diskutuan disa problematika të konstatuara në Zonat e Mbrojtura, siç është prerja e paligjshme e pyjeve, nevoja për një menaxhim të plotë të mbetjeve, rivitalizimin e monumenteve të trashëgimisë kulturore si asete që rrisin atraksionet turistike të qarkut, ndalimin e gjuetisë së paligjshme apo peshkimit abuziv në pellgun ujëmbledhës të Prespës apo Liqenin e Pogradecit, si dhe mobilizimin e çdo strukture për administrimin sa më efikas të situatave që krijohen nga zjarret.
Prefekti Jole kërkoi nga të gjitha institucionet përgjegjëse marrjen e masave të nevojshme për miradministrimin e zonave të mbrojtura në këtë prag të fillimit të sezonit veror.
U diskutua gjithashtu edhe për domosdoshmërinë e hartimit të Planeve të Menaxhimit për zona të tjera të shpallura të mbrojtura, siç është Bredhi i Hotovës, Gërmenj dhe Lugina e lumit Vjosë në Kolonjë, Cangonj në Devoll dhe Lugina e Gjergjevicës në Korçë.
“Synimi i hartimit të instrumentave të tillë, është nxitja e zbatimit të modeleve të qëndrueshme të zhvillimit ekologjik dhe ekonomik në zonat e mbrojtura apo parqet kombëtare, ruajtja e ekosistemit e diversitetit biologjik, si dhe reduktimi i presionit jo të qëndrueshëm apo abuziv mbi burimet natyrore”, shkruan Prefekti Jole në FB.