Sekretar i Përgjithshëm i Partisë së lirisë tedi Blushi, në një deklaratë për mediat foli në lidhje me vizitën e kryeministrit Edi Rama në Athinë.
Ai u shpreh se aktiviteti i sot në të vërtetë ishte mbushje e stadiumit me administratë dhe patronazhistë të ardhur nga Shqipëria.
“Mediat raportojnë se rreth 3000 patronazhistë janë nisur sot drejt Greqisë për eskursion me taksat tona, por edhe të paguar me paratë e korrupsionit të “Rilindjes” për t’u maskuar gjoja si emigrantë”, tha ai.
Fjala e plotë:
Shpopullimi i qëllimshëm, pjesë e axhendës antikombëtare të Qeverisë, është një nga plagët më të mëdha që Edi Rama dhe “Rilindja” i ka shkaktuar vendit.
Edi Rama është shkaku kryesor që ka përzënë nga Shqipëria rreth 1 milionë shqiptarë në emigrim.
Edi Rama është zbatuesi i axhendës antikombëtare të shpopullimit që ka mpakur Shqipërinë në 11 vite, më egër se çdo pushtues dhe armik i kombit shqiptar.
Shqiptarët po ikin, duke zënë vendin e tretë në botë për të larguarit nga vendi, sepse Edi Rama është armiku kryesor i lirive të tyre, autori dhe përgjegjësi i vrasjes së shpresës së të rinjve, në nivele aq dramatike sa i ka detyruar të rrezikojnë edhe jetën vetëm për t’u larguar nga vendi!
Edi Rama dhe “Rilindja” e kanë kthyer Shqipërinë në një narkoshtet, ku:
– Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë rrëmbyer nga mafia në pushtet;
– Sistemi i kontrollit dhe balancave nuk ekziston për shkak të kapjes së shtetit;
– Llogaridhënia është asgjesuar;
– Kuvendi është rrëmbyer nga Qeveria dhe veprimtaria politike e përfaqësuesve të zgjedhur të opozitës në Kuvend dhe pushtet vendor është kufizuar me ligje të posaçme dhe përjashtime;
– Opozita “emërohet” me vendime gjykatash dhe drejtuesit e saj realë arrestohen, izolohen, kërcënohen dhe shantazhohen;
– Drejtësia është kapur në mënyrë mafioze dhe funksionon me regji duke bërë goditje selektive sipas interesit politik të ditës së Kryeministrit dhe në shërbim të agjendave elektorale të tij.
Ky degradim demokratik ka prodhuar rrënim ekonomik dhe shpopullim dramatik të vendit.
Në 10 nga 12 Qarqet e Shqipërisë kemi një zbrazje demografike.
Të dhënat e EUROSTAT-it bëjnë të ditur se rreth 78% e totalit të aplikimeve për azil, janë nën moshën 34 vjeç, pra forca më aktive e vendit dhe shoqërisë.
Ky nivel kaq i lartë i migrimit potencial, vërehet edhe në universitetet e vendit ku thuajse 79% e rinisë universitare dëshiron të emigrojë pas studimeve.
Edi Rama është autori i vrasjes së shpresës së të rinjve dhe vetëm për shkak të tij dhe të “Rilindjes”, sot jemi vendi më i varfër në Europë, me pagat dhe pensionet më mizerabël në rajonin tonë.
Edi Rama sot duhet t’u kërkonte ndjesë miliona shqiptarëve që i dëboi nga vatrat e tyre, nga shtëpitë e tyre, nga qytetet e tyre dhe nga Shqipëria.
Edi Rama sot duhet të kërkonte ndjesë për krimet dhe vjedhjet monstruoze të “Rilindjes”, për vrasjen e shpresës së të rinjve dhe për gjendjen e mjeruar ku ka zhytyr mbi 700 mijë pensionistë shqiptarë.
Edi Rama sot u tall me shqiptarët në Athinë, duke mbushur stadiumin me patronazhistë të paguar, me administratë të detyruar dhe me qindra policë e gardistë civilë të marrë me vete nga Tirana.
Mediat raportojnë se rreth 3000 patronazhistë janë nisur sot drejt Greqisë për eskursion me taksat tona, por edhe të paguar me paratë e korrupsionit të “Rilindjes” për t’u maskuar gjoja si emigrantë në mitingun e sajuar të Edi Ramës në Athinë.
I vetmi shërbim që Edi Rama, ky Esad Pashë i ri dhe tradhëtar i kombit, mund t’u bëjë sot shqiptarëve është largimi një orë e më parë nga qeverisja e vendit dhe ndëshkimi i merituar për të gjitha krimet që i ka bërë popullit të vet në 11 vite qeverisje.
Diaspora shqiptare është një pasuri dhe vlerë e çmuar kombëtare.
Shqiptarët që jetojnë jashtë e kanë merituar prej kohësh t’u jepet mundësia për të votuar dhe për të marrë pjesë në jetën politike, ekonomike dhe sociale të Atdheut të tyre.
Partia e Lirisë prej kohësh ka kërkuar që Diasporës t’i garantohet e drejta e votës, por është Edi Rama që e pengon atë qëllimisht sepse është ai dhe “Rilindja” që me politikat e dështuara shtetërore kanë nxitur shpopullimin.
Ndalimi i shpopullimit është kryeprioritet i Partisë së Lirisë.
Të bashkohemi kundër shpopullimit duke mbështetur 5 prioritetet e Partisë së Lirisë për 4 milion shqiptarë plus, që shqiponjat të kthehen dhe të qëndrojnë në folenë e tyre dhe Shqipëria të ngrihet lart, atje ku e meritojnë ëndrrat dhe sakrificat e shqiptarëve!