Ministri i Jashtëm Igli Hasani në seancën plenare të 63-të të Asamblesë së Përgjithshme Parlamentare të Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi ka deklaruar se mbledhja e sotme e mbajtur në Tiranë, përbën një vlerë të shtuar dhe shpalos bindshëm profilin e Shqipërisë në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Kryediplomati shqiptar tha se Kryesia shqiptare do të vijojë të bashkëpunojë me vendet anëtare në rrafsh dypalësh dhe shumëpalësh për të pasur rezultate të prekshme edhe në të ardhmen për të mirën e përbashkët, bazuar mbi ndjenjat e respektit e të mirëkuptimit të ndërsjellë edhe në diversitet.
Hasani ka sjellë në vëmendje edhe luftën në Ukrainë, një anëtare e organizatës.
Fjala e plotë:
E konsideroj nder e kënaqësi të ndodhem këtu mes jush për të përshëndetur Asamblenë Parlamentare të Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi në mbledhjen e 63-të të Asamblesë së Përgjithshme, e cila mbahet sot në kryqytetin tonë.
Këtë vit Tirana ka qenë qendër e një sërë takimesh e veprimtarish politike e diplomatike me peshë ndërkombëtare, të cilat janë shprehje elokuente e rolit proaktiv dhe konstruktiv që vendi ynë luan sot në rajon e më gjerë.
Në këtë aspekt, mbledhja e sotme përbën një vlerë të shtuar dhe shpalos bindshëm profilin e Shqipërisë në marrëdhëniet ndërkombëtare, vullnetin e palëkundur të qeverisë shqiptare për të dhënë kontributin e vet në të mirë të paqes, sigurisë dhe prosperitetit social e ekonomik: të gjithë atyre vlerave që na përafrojnë me bashkësinë e vendeve demokratike në kontinentin tonë:
– demokracia, pluralizmi, shteti i së drejtës dhe të drejtat e njeriut.
Vlera që edhe Asambleja Parlamentare e BEDZ-it i ka bërë të vetat dhe punon për t’i vënë në jetë në hapësirën që rrok organizata jonë.
Me këtë rast çmoj lart ndihmesën e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të BEDZ-it për të thelluar e çuar më tej bashkëpunimin ndërparlamentar në rajonin e Detit të Zi, si dhe për të përballuar me sukses sfidat aktuale me të cilat përballen vendet e popujt e këtij rajoni.
Bashkërendimi i frytshëm i punës së kryesisë shqiptare të BEDZ-it me Asamblenë Parlamentare u shndërrua në katalizator për shtjellimin dhe diskutimin e një spektri problematikash që prekin çështje me rezonancë të gjerë. Kjo mundësoi një sinergji pozitive dhe efikase mes strukturave të Organizatës për zhvillimin e suksesshëm të një sërë aktivitetesh, duke përfshirë edhe të sotmin.
Motoja e Kryesisë shqiptare të Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi “Të përbashkuar për një bashkëpunim paqësor në rajonin e Detit të Zi” përmban një thelb kuptimplotë dhe pasqyron bindjen se bashkëpunimi shumëpalësh në fushën e ekonomisë, politikës dhe shoqërisë civile, por edhe të segmenteve të tjera të shoqërive tona, përfton një rëndësi jetike për një ndërveprim sa më eficient ekonomik, politik dhe shoqëror mes vendeve anëtare të BEDZ-it.
Ashtu si dhe më parë, e nxitur nga një optikë realiste dhe qasje gjithëpërfshirëse, Kryesia shqiptare do të vijojë të bashkëpunojë me vendet anëtare në rrafsh dypalësh dhe shumëpalësh për të pasur rezultate të prekshme edhe në të ardhmen për të mirën e përbashkët, bazuar mbi ndjenjat e respektit e të mirëkuptimit të ndërsjellë edhe në diversitet.
Zonja e zotërinj,
Përmbi dy vjetë një shtet sovran, anëtar i Organizatës sonë, Ukraina, është viktimë e një agresioni të pashembullt në Europën e pas Luftës së Ftohtë nga një vend fqinj, Federata Ruse, gjithashtu anëtare e BSEC-ut. Shqipëria, qysh në krye, u reshtua me bashkësinë e vendeve demokratike që e dënuan prerazi dhe pa kompromis këtë aventurë të rrezikshme për të gjithë vendet e popujt, duke u shprehur qartë dhe pa kurrfarë ekuivoku në mbrojtje të integritetit territorial dhe sovranitetit të cenuar të Ukrainës. Qëndrimi ynë konsekuent nuk është thjesht shprehje e reshtimit të politikës sonë të jashtme me vendet e BE-së, ku ne aspirojmë të integrohemi dhe të NATO-s, partnerë të së cilës jemi, por edhe të frymës dhe parimeve që mishërohen e zezë mbi të bardhë në Kartën e BEDZ-it dhe në Deklaratën e përbashkët për themelimin e Asamblesë Parlamentare të kësaj organizate. Këto parime të shenjta përbëjnë themelin e miqësisë dhe të bashkëpunimit mes vendeve tona, të paqes dhe sigurisë për popujt tanë.
Rajoni i Detit të Zi dhe vendet limitrofe me të e më tej kanë një potencial të rëndësishëm njerëzor e kulturor për t’u shndërruar në rajon paqeje, stabiliteti dhe begatie për të ardhmen tonë dhe të njerëzve që i popullojnë këto treva prej shekujsh.
Të nderuar pjesëmarrës,
Shpreh bindjen se, ashtu si deri më sot, dimensioni parlamentar i Organizatës sonë duhet të luajë një rol të dorës së parë në bashkëpunimin jo vetëm mes parlamenteve, por edhe të shoqërive tona në një kuptim sa më të gjerë, si shprehje e vullnetit të shëndetshëm politik, vullnet që ngrihet mbi parime, vlera, por dhe interesa të ndërsjella në dobi të popujve të pellgut të Detit të Zi.
Kryetare, ju falenderoj dhe punë të mbarë.