Durrës
Në lidhje me ngjarjen e ndodhur rreth orës 02:30, të datës 15.05.2024, në zonën e quajtur “Shkëmbi i Kavajës”, ku shtetasi A. M., 40 vjeç, banues në Lezhë, u neutralizua nga shërbimet “RENEA”, në bashkëpunim me ato të Policisë së Durrësit, pasi mbajti peng 2 fëmijët e tij të mitur (6 dhe 11 vjeç), në një apartament të marrë me qira, dhe qëlloi nga dritarja me armë zjarri kallashnikov, ju infomojmë se:
Pas shoqërimit të tij në ambientet e Policisë, u kryen veprimet procedurale dhe në përfundim të tyre u bë arrestimi në flagrancë i 40-vjeçarit, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shkatërrimi i pronës”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.
Në vijim, lidhur me rrethanat e kësaj ngjarjeje, ju informojmë se shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, më datat 14.12.2023 dhe 27.03.2024, kanë referuar në Prokurori, kërkesat për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes për bashkëshorten e shtetasit A. M., shtetasen B. M., 32 vjeçe. Në asnjërën nga seancat, 32-vjeçarja nuk është paraqitur në Gjykatë.
Gjithashtu, përsa i përket gjendjes penale të shtetasit A. M., ju informojmë se pas verifikimeve ka rezultuar se në Itali, ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar për veprën penale “Vjedhja”.
Në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, grupi hetimor vijon hetimet dhe veprimet procedurale, për të përcaktuar nëse 40-vjeçari ka qenë në efektin e lëndëve psikotrope, gjatë ngjarjes, si dhe për të dokumentuar me prova të ligjshme, rrethanat e tjera të këtij rasti.