Pamjet i përkasin momentit kur 23-vjeçari Azgan Mërnica i vetëdorëzohet RENEA-s, pas dy ditësh në kërkim.
Në këto pamje Mërnica duket i qeshur teksa familjarët e marrin me një automjet “Audi” për t’ia dorëzuar Policisë pas disa minutash. Ishin pikërisht negociatat e RENEA me familjen e autorit dhe ultimatumi i vendosur nga njësia speciale pas lokalizimit të tij në një banesë në fshatin Dërmenas që bënë të mundur daljen e Mërnicës nga vendi ku fshihej prej mesditës të së hënës.
Të hënën ai ekzekutoi me një plumb në kokë efektivin e “Shqiponjave”, Novruz Cenalia. Motivet e ngjarjes mbeten ende të paqarta.
Autori ndodhej në makinë bashkë me nënën e tij kur ndodhi ngjarja. Për grupin hetimor ajo ka deklaruar se ka parë djalin e saj të debatojë me policin dhe më pas ka nxjerrë armën duke e qëlluar.