Verilindorët nuk e ruajnë boshtin, ikin disa titullarë nga Kukësi

Te Kukësi është periudhë largimesh. Zbritja një kategori më poshtë duket se do të ndryshojë jo pak skuadrën për këtë edicion të ri futbollistik. Fillimisht u mendua se drejtuesit do të bënin të pamundurën për të mbajtur boshtin e sezonit të kaluar, por mesa duket kjo pistë ka rënë shumë shpejt dhe blutë do të duhet ta rinisin thuajse nga e para.

Pas largimit të dy portierëve, Angelo Tafas dhe Kristian Rrokut, kanë pasuar edhe të tjerë. “Panorama Sport” mëson se kanë mbyllur bashkëpunimin me klubin blu edhe mesfushori Kleandro Lleshi, i cili e njoftoi largimin nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale. Gjithashtu, lojtarë të tjerë që i ka mbaruar kontrata janë të ikur, siç janë rastet e Melos Zenunaj dhe Franci Lalës. Ky i fundit njoftoi largimin zyrtarisht në rrjetet sociale. Në këtë listë me shumë gjasa është edhe sulmuesi moldav, Nikolai Solodovnikov, si edhe dy qendërmbrojtësit, Vasil Zhongo dhe Franko Lamçe.

Mësohet se ka qenë një marrëveshje dypalëshe, sepse edhe Kukësi kërkon të lirohet nga rrogat e larta që mund të merrnin në Superiore, ndërsa lojtarët s’kanë dëshirë të vijojnë aventurën e tyre në të Parën. Në ditët në vijim, priten të tjera largime. Ky është një proces që klubi po e bën shumë shpejt, në mënyrë që të kenë gjithë kohën në dispozicion për të krijuar edhe grupin me të cilët do të luajë në sezonin e ardhshëm në të Parën.

SALAMI – Për momentin, vazhdon të qëndrojë në skuadër “xhevahiri” i Kukësit, Mustafa Salami, pasi ai është nën kontratë me klubin dhe burimet e gazetës pohojnë se verilindorët nuk kanë ndërmend ta lëshojnë, edhe pse do të luajnë në Kategorinë e Parë. Madje, gjatë merkatos së janarit blutë u rezistuan disa ofertave të majme dhe të njëjtën gjë kanë bërë edhe tani. Nëse ndaj tij nuk do të vijë ndonjë ofertë bindëse që të mbushë arkat e klubit, atëherë sulmuesi i krahut do të vijojë të luajë për këto ngjyra.

Partizani ishte ndër ekipet që shfaqi interes konkret në merkaton e dimrit, por verilindorët e refuzuan menjëherë, në një kohë kur ofertat ndaj tij po vijnë edhe nga jashtë vendit. Gjithsesi, mbetet për t’u parë sesa do të jetë në gjendje Kukësi t’i rezistojë tundimit për ta shitur dhe arkëtuar disa të ardhura, që do të shërbenin për të ndërtuar ekipin e këtij sezoni.

Arena e Lajmit

Verilindorët nuk e ruajnë boshtin, ikin disa titullarë nga Kukësi

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook