Egnatia-Partizani do të jetë finalja e madhe e “Final Four”. Rrogozhinasit eliminuan Vllazninë, ndërsa të kuqtë mundën Skënderbeun në gjysmëfinale. Zhgënjen Tirana, skuadër e cila mbeti jashtë katërshes më të mirë, ndërsa me interes të madh pritet të shihet sesi do shkojnë gjërat te Dinamo. Trajneri i njohur, Agim Canaj dha një intervistë ekskluzive për Sport News në News 24, ku iu përgjigj pyetjeve të gazetares Trevisa Tufa.
Ishte kjo finalja që prisje, janë dy ekipet më të mira, përtej faktit që fituesi nuk gjykohet.
“Final Four” është një formulë që për herë të parë aplikohet në Shqipëri. Duhet pritur fundi për të parë nëse funksionon apo jo. Këto dy skuadra e meritonin që të jenë në krye, padiskutim ajo që është “qershia mbi tortë” është trofeu.
Partizani-Egnatia, çfarë finaleje pret Canaj? Kë sheh favorit?
Në një finale, favoriti është 50/50. Egnatia mori Kupën, është e përgatitur për ndeshje. Formula ka patur oshilacionet e veta, kur është shkëputur, ka ruajtur skuadrën. Egnatia e tregoi ndaj Vllaznisë së është skuadër solide.
Gjashtë fitore radhazi për Partizanin, për herë të fundit i ka mposhtur pikërisht Egnatia, a ndikojnë këto shifra në finale?
Në një finale favorit është skuadra vendase.
Në përballjet direkte ka një balancë totale, nga një fitore për kokë, dhe 3 barazime.
Egnatia ndaj Vllaznisë diti mjaft mirë të menaxhojë situatën. Egnatia është mirë me qarkullimin e topit, e mposhti presionin e madh të kundërshtarit. Partizani e ka vënë në pah gjithmonë tranzicionin, janë mjaft të fortë në kundërsulm. Shumë titullarë i ka edhe në stol
Sa do të ndikojnë tifozët në këtë finale, fakti që do të luhet në “Air Albania”, a e favorizon Partizanin ky detaj? Apo mund të këtë efekt të kundërt, të shtoj presionin.
Në një finale ka elementë cilësorë ose episode që e bëjnë të bukur. Janë kthyer dy lojtarë shumë të rëndësishëm si Mba dhe Skuka, duke mos harruar Maguette. Në 6 javët e fundit, Partizani ka qenë në gjendje të mirë. Fanella e Partizanit është shumë e rëndë.
Në fakt, presioni është mbi Partizanit kam përshtypjen, titulli në këto kushte është më shumë detyrim për ta…
Partizani ka historinë brenda, ka edhe tifozërinë. Unë jam dakord me këtë stresin, por përkrahja e tifozëve natyrisht që do jetë një motivim më shumë, një mbështetje më shumë. Verdikti i këtij kampionati ka nxjerrë dy skuadra që e kanë merituar. Egnatia s’pati oshilacione në fillim, pati vetëm nga fund. Partizani është pak më përpara për disa elementë.
Suksesi në Kupë, është një bonus për Egnatian? Besoj janë më të të qetë…
Normal, ana psikologjike është baza në këto finale, kemi kaluar shumë finale. Janë shumë të rëndësishme detajet. Në fillim, skuadrat do studiojnë njëra-tjetrën. Partizani ka lojtar të shpejtë, ndërsa Egnatia di të vertikalizojë me lojtarë individual. Partizani është pak më favorit.
Një parashikim të fundit, cili del kampion?
Unë i respektoj të dyja këto skuadra. Ajo mund të zgjidhet edhe me një goditje këndi, nuk mund ta parashikosh dot.
Canaj, dua nga një koment të shkurtër, fillimisht për ishin ekipin tënd, Vllazninë. Një tjetër vit pa titull, zhgënjim?
Të them të drejtën, Vllazninë e kam drejtuar 3 herë, e kam udhëhequr në momente të vështira. Këtë vit iu afrua në momente të caktuara, ndryshimet e trajnerëve bënë që të humbiste bukuria. Sa i takon rokadës, e bënë dhe nuk e dijnë pse e kanë bërë.
Një nga mungesat e mëdha të “final-four” ishte Tirana, a e shpëton sezonin prezenca në Evropë?
Ky është një fat, ose një stres. Tirana mbetet Tiranë, aty është ambient i shkëlqyer me shumë trofe. Duhet të ishte në top-4, menaxhimi dhe ndryshimet ndikuan.
Duket sikur do bëjnë edhe një herë gjithçka nga e para, po lakohen shumë emra, nga Shpëtim Duro te Qatip Osmani, por nuk ka optimizëm, nuk ka frymë pozitive
Është tronditja e madhe në aspektin financiar, kjo është e para. Tani do dalin shumë emra, Tirana ka menduar gjithmonë për një trajner të mirë. Më vjen mirë që mbas shumë kohësh, kanë dalë ën skenë trajnerë me shumë përvojë. Unë jam me idenë që trajneri duhet ta marrë që në fillim skuadrën e më pas të ndërtojë skuadrën. Te ne është e prapambetur këtë gjë, te ne presidenti është para, pastaj vazhdojnë hallkat e tjera.
Një tjetër mungesë e madhe ishte edhe Dinamo, një tjetër ish ekip i juaji, i shkoi shumë pranë. Çfarë i duhet Dinamos për t’u rikthyer sërish në nivele të larta. A duhet t’i besojnë stafit aktual?
Ndryshimet e mëdha të stafeve pa u ndërtuar skuadra, e nis dikush tjetër, e përfundon dikush tjetër, ky është gabimi i madh. Dinamo ka patur gjithmonë inteligjencën dhe zgjuarsinë, prandaj është quajtur “nëndetëse”, por kjo nëndetëse ëshët nëndetësja 105. Duhet bërë diçka tjetër, duhen menduar gjatë gjërat. Tani jetojmë në botën e menaxhimit, duhen njerz të aftë dhe jo tregtarë. Duhen njerz të ndershëm. Duhen marrë sa më shumë dinamovitë, presidenti Bardhi ka një eksperiencë për të bërë mirë, shikoj shumë ndryshime.
Mbajtja e stafit varet nga rezultatet. Dinamo është Dinamo, duhet të mendohet thellë.
(J.S/)