Gazetari Bardh Sejdarasi në emisionin “Open” në News24 tha se me fluksin e lartë të turizmit në Shqipëri ka nevojë për fuqi punëtore.
Në emision është trajtuar çështja e punëtorëve të huaj, filipinas në Shqipëri, dhe nëse ato mund të zgjidhin nevojat që ka biznesi, në kushtet kur ka një largim të shqiptarëve, ose kur këta të fundit, nuk pranojnë punësimin në sektorë të caktuar.
Sejdarasi tha se në shumë sektorë shqiptarët nuk pranojnë të punojnë. Ai tha se nuk ka në Shqipëri një hartë ku ne të shikojmë se ku janë më shumë nevojat që ka tregu shqiptar, cilat profesione dhe sa punëtorë duhen. “Nuk kemi studim të mirëfilltë mbi tregun e punës dhe kërkesat që ka ai”, tha Sejdarasi.
Gazetari tha se ka një mos interesim nga ana e qytetarëve për tu trajnuar apo për tu aftësuar në një profesion që të mund të kualifikohen më pas dhe të nisin një punë.
Sejdarasi tha se nëse në Shqipëri vijnë 100 punëtorë nga Filipinet, ato do të vijnë nga agjensitë e punësimit, referuar një kontrate, dhe qeveria në rastin konkret duhet të garantojë që këta punëtorë nuk duhet të ikin pa përfunduar kontrata, ndërsa detyrimet e tjera e ka biznesi që i ofron.