Për të paktën 5 orë kreu i SPAK, Altin Dumani raportoi paraditen e së mërkurës në Komisionin Parlamentar të Ligjeve për hetimet e disa prej çështjeve më të rëndësishme, lidhur me këtë ka reaguar edhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Përmes një deklarate Berisha i drejtohet Dumanit duke iu shprehur se në një vit janë dërguar vetëm 38 dosje për korrupsion, kundrejt 154 që ka dërguar në 2008. Kohë e cila përkon me Dumanin në krye të taskforcës antikorrupsion.
Nëpërmjet kësaj deklarate Berisha ngre pikpyetje lidhur me hetimin e çështjeve nga Dumani. Ai shprehet se SPAK komandohet nga Rama e Dumani i shërben kryeministrit të vendit.
Deklarata e Plotë:
Në vitin 2008, Altin Dumani ka qenë në krye të taskforcës antikorrupsion
Miqtë e mi, nuk ka mashtrim më të madh se të besosh se Zamani po lufton korrupsionin. A mund t’u jap vetëm një shifër? Vetëm një shifër sonte të marrë nga raportet e Departamentit të Shtetit për vitin 2010-2011. Çfarë thonë këto raporte?
Këto raporte thonë se në vitin 2008-2009, Dumani që ishte në prozhektorët e fuqishëm të ekipit ku punonte, kishte regjistruar bashkë me ekipin 1414 çështje për korrupsion. Kurse Dumani i marrë peng, Dumani që ka shitur veten, gjatë viteve 2022-2023 ka regjistruar afera për korrupsion gjithsej 4.8 herë më pak ose 392 çështje në dy vite.
Po pse kjo? Sepse regjistron vetëm ato që i dikton Edi Rama.
Dhe ky faqezi që nuk ka nder, që nuk ka dinjitet, që rri në post në kundërshtim flagrant me Kushtetutën, rri në post i pavotuar sipas Kushtetutës.
Krenohet, shpërblehet se propozon t’i ndalohet komunikimi kryetarit të PD me një akt që ekziston vetëm në vullnetin e xhelatit, e birit të xhelatit Kristaq Ramës, Edi Rama.
Shqiptarët panë fytyrën e tij, shqiptarët mësuan se ky bandit prokuror që nuk njeh ligj as Kushtetutë për të zbatuar urdhra si skllav, peng i marrë, bashkë me Krajën, xhelatin e Sigurimit të Shtetit dhe simotrën biologjike të Taulant Ballës, Melonain, nuk kanë ligj as moral, të aftë për të zbatuar çdo urdhër.
Por, gjithçka po del në dritën e diellit.
Shqiptarët duhet ta dinë se ky Altin Faqeziu i partisë ka dërguar në një vit, në vitin 2023, gjithsej 38 dosje për korrupsion kundrejt 154 dosjeve që ka dërguar kur kryesonte task-forcën.
Kjo pra miq është metamorfoza e një faqeziu që shet nder dhe dinjitet.
Që nuk ka ligj as Kushtetutë.
Dhe që fsheh dosje krimi dhe korrupsioni dhe që tallet me një popull.
Në një vend ku korrupsioni është shndërruar në sistem të tmerrshëm, dërgon gjithsej në vit 38 dosje.