Deputetja e PD dhe njëherazi nënkryetarja e Komisionit Parlamentar të Ligjeve, Dhurata Çupi iu drejtua me disa pyetje drejtuesit të SPAK, Altin Dumani, gjatë prezantimit të raportit vjetor nga ky i fundit para deputetëve. Lidhur me kërkesën e Dumanit për zgjatjen e mandatit të prokurorëve të SPAK nga 9 në 18 vjet, deputetja demokrate e pyeti se çfarë ndryshimesh do të sillte një vendim i tillë.
Dumani tha se e gjitha lidhet me efektivitetin e çështjeve në hetim dhe institucionit të SPAK-ut në përgjithësi. Sipas tij, ndërprerja e mandatit të prokurorit do të vinte në pikëpyetje fatin e çështjes që po heton.
“Kur e ndjek çështjen nga dita e parë t’i dashurohesh me çështjen, edhe në 12 të natës në gjumë je në gjendje të dish cila është pika e fortë dhe e dobët e çështjes, cili është mjeti i kërkimit që mund të të çojë te prova. Pra, nëse ti largohesh pas 9 vitesh, do diskutohet fati i çështjes, si do të shkojë çështja, pra, ecuria, vazhdimësia e institucionit“, u shpreh Dumani.
Pyetjet e Çupit drejtuar Dumanit
1. I qendroni ende deklarimit se mandati i prokurorëve të SPAK duhet të përsëritet? Madje, siç jeni shprehur në KLP, ai të jetë i pakufizuar, si i gjyqtarëve.
2. E keni dakordësuar më parë kërkesën për përsëritjen e mandatit të prokurorëve të SPAK me partnerët e SHBA dhe BE?
3. Çfarë do të sillte më shumë për SPAK një prokuror me një mandat 18 vjeçar nga 9 që e ka aktualisht?
Një pyetje tjetër. Mbi çfarë parimesh apo kriteresh beni ndarjen e ceshtjeve qe i vijne SPaK? Sepse nuk ka nje sistem me “gogla”. A ka ndonje sistem “preferencial” mbi baze ekspertize qe kane prokuroret?
5. Për sa hetues më shumë ka nevojë BKH që të përmbushë kërkesat e punës? Nga 60 që ka aktualisht, ju thoni se 1/3 është e angazhuar me përgjime. Këtë grup të papërfshirë në hetimet e përditshme doni të mbuloni?
6. Në fund të këtij viti, drejtuesi i SPAK do të ketë edhe kompetencën e Komisionerit Publik për vetingun. Kjo detyrë shtesë e ul efektivitetin e detyrës parësore për të hetuar krimin e organizuar dhe korrupsionin? E meqe jemi ketu a jeni ju i kenaqur me performancen e trupes prokuroriale, ate tw bkh dhe strukturen ne teresi te Spak ?
7. Keni deklaruar se kanë rënë me 40% referimet nga institucionet për veprën penale të korrupsionit. Është mungesë bashkëpunimi apo ka rënë niveli i korrupsionit, siç deklaroi Ministri i Drejtësisë?
8. Ju keni shprehur shqetësimin për inkriminimin e strukturave të policisë dhe dekonspirimin e operacioneve. Sa efektivë policie keni zbuluar dhe keni kallëzuar me këtë akuzë?
9. Keni presione politike nga maxhoranca për të ndikuar në hetime?
10. Gjatë hetimeve tuaja, keni konstatuar lidhje të partisë në pushtet me krimin e organizuar?
Altin Dumani: Lidhur me mandatin e prokurorëve, ne mendojmë se vazhdimësia e një strukture si SPAK është thelbësore për një standard të lartë lidhur me pandëshkueshmërinë. Ta kuptojmë kështu këtë çështje. Nuk është shqetësim i karrierës timem, as i karrierës së kolegëve tanë, pasi ne karrierën e kemi të sigurt brenda sistemit, ne prokurorë do të vazhdojmë të ngelemi edhe pas përfundimit të mandatit 9-vjeçar. Por çështja duhet trajtuar në kuadrin e efektivitetit dhe vazhdimësisë së institucionit. S’ka të bëjë me interesat tona personale. Kudo ku ka mandat nuk ka liri, nuk ka qëndrueshmëri në rezultate, është konstatim i njohur. Mendoni pak një hetim që kërkon kohë, bashkëpunim. Nga çështja e fundit e hetimit nuk e mbaj mend sa agjenci të huaja kanë bashkëpunuar me ne, kemi grumbulluar provat, hetimi po shkon mirë dhe një ditë të bukur prokurorit i ndërpritet mandati. Sa efektiv do të jetë ai tjetri? Kur e ndjek çështjen nga dita e parë t’i dashurohesh me çështjen, edhe në 12 të natës në gjumë je në gjendje të dish cila është pika e fortë dhe e dobët e çështjes, cili është mjeti i kërkimit që mund të të çojë te prova. Pra, nëse ti largohesh pas 9 vitesh, do diskutohet fati i çështjes, si do të shkojë çështja, pra, ecuria, vazhdimësia e institucionit. Ka të bëjë edhe me sigurinë juridike. Lidhur me propozimin për vijimin e mandatit, nuk jam shprehur për mandat në mënyrë automatike. Si drejtues kam transmetuar mendimin unanim të SPAK që duhen bërë ndryshime me qëllim parashikimin dhënien e mundësisë ose të drejtën e rizgjedhjes së prokurorëve, për të rikandiduar. Sërish edhe prokurori që i mbaron mandati do të kandidojë, do kalojë sërish të njëjtat filtra, duke konkurruar me prokurorët e tjerë të juridiksionit të përgjithshëm. Gjyqtarët nuk kanë mandat, ndërsa prokurorët kanë mandat.