Kanë startuar seritë e ndeshjeve finale në NBA. Boston Celtics i nis me këmbën e mbarë finalet play off në Konferencën e Lindjes, duke mundur në fushën e tij 133-128 Indiana-n, takim i vendosur pas kohës shtesë. Një përballje mjaft e bukur, ku të dyja ekipet meritonin fitoren.
Të gjithë titullarët e ekipit të Boston realizuan mbi 15 pikë, ku më i miri ishte Jayson Tatum, autor i 36 pikëve dhe 12 rebound. Mirë u paraqitën edhe Holiday me 28 pikë e Brown me 26 pikë, një trio që u tregua e saktë në momentet vendimtare.
Për Indiana-n, 7 lojtarë realizuan mbi 10 pikë, një lojë e mirë kolektive, por që në fund nuk i mori frutet e pritura. Haliburton me 25 pikë e 10 asist ishte shënuesi më i mirë për miqtë, por që nuk mjaftuan për të fituar. Edhe ndeshja e dytë finale e Lindjes do të luhet në fushën e Bostonit, skuadër që bëri shumë mirë gjatë sezonit të rregullt dhe po e tregon formën e mirë edhe në finale.
()