Me tone te larta, Kreu i SPAK Altin Dumani, iu përgjigj për herë te parë akuzës së bërë nga ish-kryeministri Sali Berisha dhe deputetët që e ndjekin atë se ai është i kapur nga Edi Rama.
I ftuar në komisionin e ligjeve për raportimin vjetor për punën e SPAK, Dumani tha se përballë politikës ata janë “shurdhë”.
Kreu i SPAK është përgjigjur për rreth 5 orë pyetjeve nga deputetët e opozitës dhe mazhorancës. Interes nga deputetët kishte nëse ka pasur procedim për Erion Veliajn në SPAK.
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme tha se institucionet publike kanë ulur ndjeshëm numrin e denoncimeve për korrupsion në institucionet e drejtësisë.
Dumani solli si shqetësim përfshirjen e elementeve të policisë së shtetit në krimin e organizuar. Sa i takon operacionit metamorfoza, kreu i SPAK nuk pranoi deklaratat e opozitës se ka pasur dekonspirim të aksionit.
Ndërkohë ai shtoi se krimi në Shqipëri ka arritur në nivele të frikshme, teksa theksoi se paratë e krimit po pastrohen në ndërtim dhe banka.
Dumani kërkoi para ligjvënësve edhe një kërkesë të prokurorëve të SPAK, të cilët kërkojnë që në përfundim të mandatit të tyre 9-vjeçar, të kenë të drejtën e rikandidimit në këtë strukturë.