Kreu i PDIU Shpëtim Idrizi propozon që Parlamenti i Shqipërisë t’i adresohet Parlamentit të Greqisë me një rezolutë për heqjen e ligjit të luftës

Kreu i PDIU Shpëtim Idrizi mori fjalën në Parlament duke komentuar deklaratat e kryeministrit grek Kriakos Mitsotakis, sipas të cilit rruga e Shqipërisë për në BE kalon nga Greqia. Idrizi gjithashtu propozoi që Parlamenti shqiptar të dalë me një rezolutë e cila t’i adresohet Parlamentit grek

 

Të nderuar Kolegë,

Sot në Parlament po diskutojmë një Projekt – Rezolutë të rëndësishme për nga përmbajtja, por dhe të veçantë si akt i Parlamentit.

Kur them Projekt – Rezolutë e rëndësishme kam parasysh përmbajtjen e saj për “thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit, dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin European”.

Kur thashë që kjo Projekt – Rezolutë është një akt i veçantë, madje dhe i rallë kam parasysh se ky Parlamnet pak ose as pak, ka mbajtur qëndrime me Rezoluta për çështje të tilla madhore si mirëqeverisja, korrupsioni e antikorrupsioni, ekonomia, pensionet, investimet publike, duke na dhënë pak shpjegime, jo çfarë kanë bërë me paratë e buxhetit? Por si i kanë bërë, kostot dhe eficenca e tyre, pse ky investim? e jo një tjetër? etj. Cilësia e reformave dhe efektet e tyre etj.

Rallë ose aspak ky Parlament është përfshirë në debate e diskutime për Çështje të tilla.

Do ta quaja një rast, e fillim të mirë, që ky parlament po përfshihet në debate të tilla me interes publik dhe të mbajë qëndrime të tilla.

Jam i bindur që kolegët do përfshihen seriozisht në këtë diskutim për të arritur që vërtetë Shqipëria të jetë vërtetë gati për në BE në 2030.

Por, duhet të tërheq vëmendjen tuaj të nderuar kolëgë, se që të jemi gati për në 2030 përveç standarteve të demokracisë, shtetit ligjor, ekonomisë konkuruese, korrupsionit etj, ne do na duhet të kalojmë dhe pengesa të tjera, të një natyre krejt tjetër që s’kanë të bëjnë as me standartet e as me reformat …

Dëgjova për shembull dhe dua të theksoj dhe për ju, atë që para disa ditëve Kryeministri i Greqisë tha: “…se rruga e integrimit të Shqipërisë kalon nga Athina, dhe se Greqia i ka të qarta e të mirë përcaktuara se kush janë vijat e tyre të kuqe …”

Nuk e di në ishte ky një kërcënim? apo arrogancë? , për të na treguar supermacinë Helene, që vazhdon të sillet si shefe e Ballkanit, e të bëhet pengese për çdo vend sovran që progreson.

Ne fakt marrëdhëniet midis shteteve bazohen mbi reciprocitetin, respektin e dinjitetin e ndërsjelltë.

Ne e kemi provuar mbi kurriz në këto 33 vjet, se çdo të thotë që rruga e Shqipërisë të kalojë nga Athina.

Të kalojë nga Micotaqisi I – parë  dhe i II – dytë, të kaloje nga Venizellosit e parë, të dytë e të tretë …

Ne e dimë që na ftoni dhe nganjëherë vetë ofrohemi, në gjithë këto vite, që ta harrojmë historinë, të harrojmë Çamërinë, të harrojmë Ligjin e Luftës, që Qeveria e popullit gjiton e mik Grek, mban me Shqipërinë, të harrojmë ksenofobinë e racizmin, ndërrimin e emrave etj, që të kemi marrëdhënie të mira me Greqinë.

Në fakt shtetarët tanë e kanë bërë këtë në 33 vite, por marrëdhënie të mira s’kemi pasur, sepse sa herë i është dashur Greqisë kemi hyr në kriza ciklike.

Është po kaq e vërtetë se Shteti Grek në këto 33 vjet, e segmente të saj, nuk i kanë harruar  historitë, me varreza, det e tokë, Vorio – Epir e homogjen, racizëm, histori me imponime e arrogancë, e histori me duart e forta, paternalizëm e veto, e fundit për njeriun me 3 emra e me 3 denime për burg Beleri.

Ne e kemi provuar çdo të thotë, kjo që tha Micotaqisi i dytë “…se rruga jonë për në BE, kalon nga Athina …”

Në çdo hap drejt rrugës së integrimit, ne na është imponuar të leshojmë nga një copë nga interesi ynë, dhe prapë Greqia ka qënë e fundit që ka dhënë miratimin.

Ju kujtoj të nderuar Kolegë,

Se për marrëveshjen e stabilizim – asocimit, qeverisë së kohës ju imponua ndërtimi pa leje e pa projekt i varrezave të Kosinës, që u kthyen në skenar të denjë për një film Horror, me varrime e zhvarrime, e që sipas prokurorisë me eshtra pleqsh e fëmijësh Shqiptar.

Hapje të shkollave Greke dhe aty ku nuk përcaktoheshin si zona minoritare, që Shqipëria i kishte njohur si të tilla që në vitet 1920 kur u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve.

Për të hyrë në Nato, e për Liberalizimin e vizave, na u imponua zgjerimi dhe me 3 – 4 të tjera dhe legalizimit në Parliament i Varrezave të ushtarëve Grek, që erdhën si pushtues e rrinë me të njëjtën simbolikë të ngulur në këtë tokë …

E këto varreza u lejuan e legalizuan dhe në kundërshtim me Konventën e Vjenës të vitit 1956, e cila ndryshe nga ajo e pas luftës së parë botërore, parashikon që pas procesit të dekompozimit, trupat të kthehen në vendin e tyre e pranë familjeve, se deviza “ku kam të rënët, kam atdheun” është pikërisht e Grekëve.

Por nga pala Greke dhe ajo Shqiptare u harrua dhe dakortësia e vitit 1994, që për reciprocitet të ngriheshin në Çamëri apo Epir po të doni varrezat e partizanëve Çam.

E sa për kujtesë, Shoqata Çamëria dhe deputetët e PDIU – së i kanë bërë kërkesë Ministrisë përkatëse që ti japë Varrezave Monumentale të Kllogjerit ku prehen 2900 persona, statusin e Varrezave Historike.

Po për hyrjen në Nato, na u imponua Marrëveshja e ashtuquajtur e Detit, që u hodh poshtë nga Gjyakata Kushtetuese, nga e cila Shqipëria humbiste 350 km2 det.

Kabllogramet e WikiLeaks të Ambasadorit Amerikan Widher tregonin se pala Greke i kërkoi madje palës Shqiptare që SHBA dhe fuqitë e tjera të mëdha të mos njoftoheshin dhe të liheshin jashtë këtyre Negociatave.

Për e statusin e vendit kandidat dhe hapjen e negociatave na u imponua, ligji për Minoritet ku dolëm me 9 minoritete, zgjerimi i ujrave teritoriale nga 6 – 12 milje.

Ligji për Censusin, ku Censusi jo vetëm që ska asnjë lidhje me daljen e minoriteteve, se dolën 9 pra, por jemi të vetmit në botë që vumë kriter sasior 20 përqind në një zonë, që të ngulen flamuj e shkolla në zemër të Shqipërisë.

Kur sot e kësaj dite as OKB, as BE, as OSBE nuk kanë një definicion se kush quhet minoritet, e aq më pak nga pikpamja sasiore se sa duhet të jenë në një territor që të quhen të tillë.

E ngatërruam me imponim të drejtën e deklarimit pa frikë e hapur se ç’farë je objektivisht e faktikisht, me cfarë ndjehesh i motivuar nga halli apo nga presioni.

se ç’farë je etnikisht nuk është çështje zgjedhjeje, por çështje fakti …

E arritëm deri aty sa të vendosim pyetjen non sens e idioteske, Kujt etnie i përkisni: asaj Shqiptare, Greke, Romë, Egjiptiane, Bullgare apo Maqedonase. Duke mos bërë as dallimin midis Kombit dhe Etnisë, se Shqiptarët janë Komb, e kanë Shtet, dhe jo etni të lidhur me një shtet tjetër …

Vetëm ne mund të arrinim deri këtu …

Hoqëm konceptin e zonave minoritare, që i kishte caktuar Fan Noli, Zogu e Hoxha, e 30 vjet pluralizëm.

E së fundi, veto për Shqipërinë, për të drejtat e njeriut me 3 emra dhe me 3 dënime me burg.

Nga vendi që nuk njeh asnjë minoritet, e nuk njeh të drejtat e njeriut, të jetës, të pronës, të levizjes se Shqiptarëve të Çamërisë.

  • Shqiptarët në gjenezën e vet janë europianë, por që ka 2000 vjet që përshkak të pozicionit gjeografik, në vijën ndarëse midis lindjes e perëndimit, na kanë imponuar të ishim në perandoritë e Lindjes, Vija e Teodosit, Roma e lindjes, Bizanti, Osmanët e së fundi konferenca e Jalta na la në perandorinë e së keqes së kuqe të komunizmit Bolshevik.
  • Drejtimin e rrugës sonë e kanë përcaktuar Rilindasit tanë, kur deklaronin që: “për ne Shqiptarët, dielli lind andej nga perëndon”.
  • E Perëndimi, Europa, vlerat e saj demokracia, humanizmi, vlerat njerëzore, të mishëruara nga Konventat Europiane kalojnë nga Roma, Berlini, Washintoni, Parisi e Londra.

Të nderuar Kolegë deputetë,

 

Ne duhet ti bëjmë të qartë Greqisë, se Shqiptarët kanë historinë e tyre, fuqinë e tyre njerëzore dhe ekonomike, e ne dëshirojmë marrëdhënie miqësore e partneriteti, e jo vasaliteti me fqinjët tanë …

Një faqe e re historie duhet të hapet midis dy vendeve tona, e kjo në 2024 duhet të jetë ajo e trajtimit me dinjitet, reciprocitet, zgjidhje e kompromis në rradhë të parë për Heqjen e Ligjit të Luftës, që është një turp i madh midis dy gjitonëve e popujve miq, “…një skizofreni Ballkanike…” e ka quajtur Koziasi, e “…absurd…” Dendiasi.

Trajtimi me seriozitet e me dialog të hapur për çështjen e Shqiptarëve të Çamërisë, boll më duke na mohuar dhe që egzistojmë.

Na kanë mohuar antifashizmin e shqiptarëve të Çamërisë me 2 batalione, në të dy anët e kufirit, e 650 partizanë me emër e mbiemër, por ne nuk ishim as të humburit e as Agresorët e luftës.

Ne ishim njerëz krenar, në punën e shtepitë e veta, e bëm luftën me nazifashizmin më shumë se Grekët, e në fund u vramë e masakruam nga bandat e Napolon Zervës që sot ju e keni shpallur hero e i ngrini buste.

Për ta përfunduar:

Kjo rezolutë e sotmja është një instrument i mirë, që shpreh qëndrimet e këtij parlamenti, e ne duhet ta përdorim atë, ne duhet të përfshihemi dhe si parlament që të kemi marrëdhënie të mira me Greqinë, gjitonin tonë e popullin mik Grek.

Ne çamët e Epirit, jemi dhe më të interesuarit.

Une mendoj se ka ardhur koha të kontribojmë dhe ne si parlamentarë në përmirësimin e raporteve me Greqinë, nëpërmjet diplomacisë parlamentare, unë propozoj një Rezolutë apo Deklaratë të këtij parlamenti adresuar parlamnetit grek, që të kërkojmë investimin e kolegëve tanë Grek, për heqjen e ligjit të luftës, gjendjes së luftës dhe pasojave juridike pronësore dhe njerëzore që burojnë nga ky ligj absurd e famëkeq, që rri midis dy vendeve tona prej 84 vjetësh, si vende mike, por juridikisht armike.

Arena e Lajmit

Kreu i PDIU Shpëtim Idrizi propozon që Parlamenti i Shqipërisë t’i adresohet Parlamentit të Greqisë me një rezolutë për heqjen e ligjit të luftës

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook