Pr/ rezoluta për antikorrupsionin, ministrja Pirdeni: Mundësi për të thelluar konsolidimin e shtetbërjes demokratike 

Ministrja për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni ka deklaruar nga foltorja e Parlamentit se projekt rezoluta për antikorrupsionin është një mundësi me rëndësi kritike për të thelluar konsolidimin e shtetbërjes demokratike dhe për t’i dhënë dimensionin e duhur dhe të merituar dhe tanimë tërësisht të prekshëm të Shqipërisë së 2030 në Bashkimin Evropian.

Sipas saj vendi është tashmë në një trajektore të pandalshme drejt ngritjes në një tjetër nivel të standardeve të mirëqeverisjes, luftës së pakompromistë kundër korrupsionit dhe sundimit të ligjit.

Fjala e plotë:

Sot përpara Kuvendit paraqitet një mundësi me rëndësi kritike për të thelluar konsolidimin e shtetbërjes demokratike dhe për t’i dhënë dimensionin e duhur dhe të merituar dhe tanimë tërësisht të prekshëm të Shqipërisë së 2030 në Bashkimin Evropian.
Prej momentit historik të çeljes së negociatave në korrik të vitit 2022, produkt i transformimit rrënjësor të Shqipërisë brenda kësaj dekade, vendi është tashmë në një trajektore të pandalshme drejt ngritjes në një tjetër nivel të standardeve të mirëqeverisjes, luftës së pakompromistë kundër korrupsionit dhe sundimit të ligjit.
Përgjatë vitit të shkuar administrata publike shqiptare përmes procesit të shqyrtimit analitik të legjislacionit, iu nënshtrua testit më sfidues, për të dëshmuar e matur progresin e Shqipërisë në të gjitha fushat, ku në secilën prej tyre, iu dedikua një rol qendror mekanizmave në veprim në luftën kundër korrupsionit dhe vizionit për fuqizimin më tej të standardeve të qeverisjes së mirë.
Kishim në fakt thelbësisht nevojë për këtë test, për të na bërë të kuptojmë se jemi sot të mirëpajisur me pjekurinë institucionale që kërkon përballimi me sfidat e shumëfishta që shoqërohet procesi drejt anëtarësimit.
Gjetjet e raportit të Shqyrtimit Analitik janë për ne busulla e pagabueshme për të vlerësuar progresin dhe orientuar intensifikimin e transformimit drejt Shqipërisë 2030 pjesë e familjes së madhe evropiane. Duke nisur nga reforma e paprecedentë në sistemin e drejtësisë që vazhdon të rishkruajë faqen e re të Shqipërisë evropiane të shek. XXI, e deri tek progresi i kësaj dekade në vendosjen e bazave të shëndosha të modernizimit të makinerisë shtetërore, lufta kundër korrupsionit ka qenë dhe vijon të mbetet sa një prioritet i mëvetësishëm i Qeverisë Shqiptare, aq dhe parakusht për rrugëtimin evropian të Shqipërisë.
Avancimet e evidentuara në raportin e Komisionit Evropian, në fushën e qeverisjes na bëjnë të krenohemi me performancën më të lartë në rajon në fushën e zhvillimit dhe koordinimit të politikave, ndërsa reforma e ofrimit të shërbimeve online e ka pozicionuar sot Shqipërinë po ashtu si një lider rajonal në shërbimet publike digjitale por njëherësh vërtetuar si një mekanizëm efikas në çmontimin e praktikave korruptive.
Qeveria sot drejton një proces të pandalshëm të forcimit të pozicionit të saj qendror në luftën ndaj korrupsionit brenda vetë ekzekutivit, si shprehje e vetëdijësimit për nevojën për vigjilencë të pandalur të brendshme në sfidë të përhershme përmirësimi me vetveten.
Ndaj vijojmë të jemi fuqimisht të angazhuar me bindjen se vetëm ndërhyrjet sistemike, me masa po aq sistemike në modernizimin e çdo hallke qeverisëse do të tkurrin gradualisht çdo shteg të mbetur korrupsioni. Në mënyrë të posaçme, do të vijojmë me dedikim në sektorët vulnerabël dhe në rininxhinierimin e proceseve të brendshme administrative për të eliminuar kështu nga çdo kanal nga mund të depërtojë korrupsioni.
Kjo valë e ardhshme reformuese e diktuar nga premtimet që ne tashmë i kemi bërë Brukselit duhet të rrokë çdo qelizë institucionale të tre pushteteve, për ta afruar drejt qendrës së rëndesës që i bashkon të gjithë pa dallim: pranimi i Shqipërisë në Familjen e Madhe të Evropës së Bashkuar.
Prandaj draft-Rezoluta për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 që prezantohet sot, është shprehje unike e këtij momenti vetëdijësimi se progresi i pamohueshëm duhet të konsolidohet në mënyrë të parevokueshëm.
Duhet të sigurohemi që mekanizmat e mirëqeverisjes, transparencës dhe ingranazhet e parandalimit, gjurmimit dhe ndërshkimit të korrupsionit do të adresojnë me efikasitet të gjitha pikat nevralgjike që kushtëzojnë procesin e negociatave.
Vizioni për luftimin kapilar të korrupsionit është pjesë dhe vazhdon të kërkojë sot zgjerim dhe përsosje të qasjes sonë të vazhdueshme në respektim të plotë të kornizës Kushtetuese të të tre pushteteve.
Të nderuar deputetë, kolegë, qytetarë,
Jemi të gjithë dëshmitarë se përgjatë më shumë se tre dekadave, shumë pasiguri e kanë shoqëruar procesin integrues të Shqipërisë, por progresi i arritur në këto vite të fundit në vendosjen e themeleve të qeverisjes së mirë, reformimit tërësor të sistemit të drejtësisë dhe çrrënjosjes së imazhit të pandëshmueshmit falë punës së lavdërueshme të veprimtarisë së Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka qenë vendimtar për ta sjellë më afër realizimin e ëndrrës evropiane për të gjithë shqiptarët po aq sa e ka bërë sot të painjorueshme urgjencën e garantimit të pakthyeshmërisë të frymës së reformave të deritanishme ashtu dhe të rezultateve të tyre.
Integrimi i Shqipërisë në familjen e Madhe të Evropës së Bashkuar brenda kësaj dekade, nuk është dhe nuk mund kurrsesi të jetë vetëm produkt i një qasjeje thjesht qeveritare, por duhet të jetë mbarëkombëtare dhe shoqërore. Ndaj dimensioni thelbësisht demokratik e gjithëpërfshirës që qendron në zemër të rolit të Kuvendit e kthen atë natyrshëm në kryeqendrën e thellimit të dialogut me të gjithë aktorët shtetërore dhe joshtetërorë.
Të nderuar deputetë, qytetarë,
Momentumi historik është krijuar tashmë, është e detyrë po aq historike e të gjithëve për të mos e humbur atë.
Ju faleminderit!

Arena e Lajmit

Pr/ rezoluta për antikorrupsionin, ministrja Pirdeni: Mundësi për të thelluar konsolidimin e shtetbërjes demokratike 

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook