Ashtu si tetë vite më parë, në përfaqësimin e parë historik në një Evropian, edhe këtë herë lista e publikuar nga Sylvinho bëri jo pak zhurmë. Tetë vite më parë, vendimet e De Biasi-t i kushtuar jo pak Shqipërisë duke humbur dy lojtarë me shumë vlera si Amir Rrahmani dhe Milot Rashica, për fat të mirë Berat Gjimshiti i qëndroi besnik ngjyrave kuqezi, duke minimizuar disi humbjet. Tetë vite më pas, Sylvinho lë jashtë Evropianit lojtarë si Sokol Cikalleshi dhe Myrto Uzuni, dy lojtarë që për shumë vite kanë qenë shtylla kryesore e ekipit përfaqësues.
Është e qartë që dy lojtarët nuk janë të lumtur për këtë zgjedhje të trajnerit, për më tepër që shifrat e tyre këtë sezon kanë qenë pozitive. Të realizosh 11 gola në La Liga nuk janë pak, për më tepër me një skuadër si Granda që ra në La Liga2. Nëse dy lojtarët zgjodhën heshtjen, të paktën deri më tani, nuk mungoi një reagim nga menaxheri i Myrto Uzunit, Franci Bobe, i cili nuk përdori lojëra fjalësh, por theksoi se Uzuni nuk e meritonte të qëndronte jashtë listës:
“Kur ëndrra juaj është të përfaqësoni vendin tuaj në nivelin më të lartë të garave! Si mund të lini jashtë një lojtar me 11 gola në La Liga? Bazuar në statistikat aktuale ai është më i mirë se 5 nga 6 lojtarët sulmues në ekipin tonë kombëtar për Euro 2024. Ai gjithmonë feston me shqiponjë për të treguar se është krenar që është shqiptar që lufton për fanellën që vesh si luan. Nuk e meriton këtë!”, lexohet në reagimin e menaxherit të Myrto Uzunit.
()