Modernizohet Administrata Publike. Ministrja Pirdeni: Fleksibilitet orari në punë, vlerësim performance dhe faza e dytë e rritjes së pagave

Tiranë, 29 maj – Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Znj. Adea Pirdeni prezantoi sot “Paketën e Motivimit për Administratën” e cila përfshin, rritjen e pagave për vitin 2024, fleksibilitetin e orarit në punë, vlerësimin e performances së punonjësve si dhe një seri masash mbështetëse për mbarëvajtjen e punës në Administratë dhe trajtimin e punonjësve.

“Java e Administratës Publike: Modernizimi në Veprim” kulmoi me eventin që bashkoi punonjësit e administratës publike, Kryeministrin Edi Rama, Ministrin e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Znj.Adea Pirdeni, zëvendësministrat e qeverisë dhe Z.Silvio Gonzato, ambasadorin e Bashkimit Evropian në vendin tonë.

Ministrja Pirdeni theksoi se reformat e nisura kanë filluar të japin frytet e para, duke shndërruar sektorin publik si një punëdhënës tërheqës dhe shpërblyes. Ndryshimet vijnë me një valë të re të përqëndruar tek transformimi i institucioneve dhe modernizimi. Një pjesë thelbësore e këtij transformimi është “Paketa e Motivimit për Administratën Publike” që përfshin fleksibilitet të orarit të punës sipas nevojave që kanë punonjësit e administratës dhe përmirësim të kushteve të punës.

 _Fleksibiliteti i orareve në punë_

“ Kemi diskutuar me të gjithë ata që e jetojnë përditshmërinë e punës në administratë për të sjellë ato ndryshime jo domosdoshmërisht sikurse e mendojmë ne, po ashtu siç vetë punonjësit dhe qytetarë si marrës të shërbimit kanë nevojë që të ndryshojë.

E para ndër kërkesat tuaja ka qenë garantimi i fleksibilitetit të orarit. Ndaj dëshiroj të ndaj me ju lajmin e mirë që brenda këtij viti do t’u mundësojë punonjësve të alternojnë dhe përzgjedhin nisjen e orarit ditor të punës, sipas agjendës që dikton dhe jeta familjare, dhe shoqërimi i fëmijëve në çerdhe, kopështe dhe shkolla. Teksa të gjithë duhet të jemi në punë brenda një fashe orare të përcaktuar 09.00 me 15:30, kolegët mund të përzgjedhin që ta nisin ditën e tyre më herët dhe ta përfundojnë më herët dhe e anasjellta, praktikë kjo tashmë e aplikuar në disa vende të Evropës, dhe që natyrisht i përjashton ato njësi që kanë kontaktin e drejtpëdrejtë me qytetarin. E dyta në listë, ishte një kërkesë e përsëritur për të hequr kufizimin ligjor që buron nga Kodi i Punës, për marrjen e lejes vjetore në jo më pak se një javë kalendarike, Ju e kërkuat masivisisht, si një ndër prioritetet kryesore, dhe ne po përgjigjemi për heqjen e këtij kufizimi, duke çliruar kështu mundësinë që kushdo të planifikojë pushimet që i takojnë ligjërisht në segmente kohore më të shkurtura se një jave,” tha ministrja Pirdeni.

 _Rritje pagash brenda vitit 2024_

Ministrja Pirdeni bëri me dije se pagat do të rriten brenda vitit 2024 për nënpunësit e nivelit specialist, për punonjësit e njësive të Vetëqeverisjes Vendore, ushtarakët, punonjësit e policisë dhe të arsimit. Sektori publik tashmë është shndërruar në punëdhënës tërheqës.

“ Rritja e pagave ka hyrë aktualisht në një fazë të dytë, e cila do të përmbyllet brenda këtij viti dhe do të përfshijë rritjet për nëpunësit civil të nivelit specialist, Forcat e Armatosura, punonjësit e sigurisë, si dhe të gjithë punonjësit në sektorin e arsimit dhe së fundi nga rradha por jo nga rëndësia, pagat e punonjësve të institucioneve të qeverisjes vendore, sikurse nga Kryeministri dhe Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor. Kjo reformë i ka dhënë tashmë frytet e para, evidentuar kjo me rritjen 23 % rritje të numit mesatar të aplikatëve për rekrutime jashtë shërbimit civil për pozicione të nivelit të mesëm dhe të ulët drejtues, pikërisht për shkak të rritjes më të ndjeshme të pagës së kësaj fashe dhe uljes në masën 15% të dorëheqjeve,” tha në fjalë ministrja Pirdeni.

 _Vlerësim performance institucionale dhe personale_

Duke përmendur premtimin dhënë Brukselit, ministrja Pirdeni tha se përpos rritjes së pagave do të zhvillohet gjithashtu një vlerësim performance institucionale dhe personale. Një projekt pilot po zbatohet në tre ministri. Kush punon mirë do të shpërblehet.

“ Puna e institucionit do të matet mbi bazën e treguesëve të qartë të performancës, përfshirë këtu dhe aspekte të zhvillimit të kapitalit të tyre njerëzor. Sikurse do të parashikohet në ligj mundësia e dhënies së bonuseve për performancë të mirë në punë, brenda kufizimeve të diktuara nga nevoja e ruajtjes së një qasje sa më objektive,” tha Pirdeni.

Gjatë eventit u vlerësuan me trofe simbolike punonjës të administratës nga 11 ministri dhe Kryeministria, të cilët u nominuan nga vetë kolegët e tyre në bazë të meritës dhe kontributit që japin në punë.

“ Këta individë janë asete të vyera të institucioneve dhe shembuj të dedikimit dhe profesionalizmit, Në zemër të përpjekjes sonë për të ndërtuar një administratë moderne për të ardhmen, shpërblimi dhe vlerësimi i punës së palodhur janë thelbësorë,” tha ministrja Pirdeni.

(Arena e Lajmit)

Arena e Lajmit

Modernizohet Administrata Publike. Ministrja Pirdeni: Fleksibilitet orari në punë, vlerësim performance dhe faza e dytë e rritjes së pagave

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook