Dy qëndrimet e Kolegjit për vlerësimin e gjyqtares Alma Hicka

Shumica e trupit gjykues të KPA i përmbysi pjesërisht konkluzionet e Komisionit për pasurinë e gjyqtares së Tiranës, Alma Hicka, e cila u rikthye në detyrë në aplikim të parimit të objektivitetit dhe proporcionalitetit. Gjyqtarja në pakicë arsyeton se subjekti kishte probleme të pasurisë dhe konfliktit të interesit.

Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit që shqyrtoi ankimin e ish-Avokates së Shtetit dhe gjyqtares së Tiranës, Alma Hicka doli me dy konkluzione në vetingun e këtij subjekti rivlerësimi. Shumica e përbërë nga kryesuesja Ina Rama, relatorja Natasha Mulaj dhe anëtarët Sokol Çomo dhe Albana Shtylla përmbysën vendimarrjen e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK të shkarkimit të saj për probleme në kriterin e figurës, duke zbatuar parimin e objektivitetit dhe proporcionalitetit për një balancë negative.

Anëtarja në pakicë, Rezarta Schuetz e cilëson të pabazuar konkluzionin e shumicës së Kolegjit, si dhe vendimarrjen e Komisionit për penalizimin e subjektit vetëm për pasurinë. Sipas saj, KPK duhej të kishte konkluduar edhe për konstatimet e konfliktit të interesit.

Schuetz e bazon këtë vlerësim në faktin se hetimi administrativ i KPK-së zbuloi se ish-Avokatja e Shtetit, Alma Hicka ka përfaqësuar vendin në procese gjyqësore ku palët kundërshtare kanë pasur si mbrojtës ligjor bashkëshortin e saj, Envi Hicka.

Alma Hicka ka qenë gjyqtare nga viti 2003 dhe në vitin 2013 u emërua Avokate e Shtetit, detyrë që e mbajti deri në vitin 2018. Pas dorëheqjes nga posti i Avokates së Përgjithshme të Shtetit, Hicka u emërua nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, KLGJ, gjyqtare në Gjykatën e Tiranës.

Komisioni e shkarkoi Hickën pasi konkludoi se ajo ka pasaktësi në deklaratën e pasurisë “veting” lidhur me burimin e krijimit të një apartamenti dhe një automjeti, si dhe se rezulton në pamundësi financiare për t’i justifikuar ato. Kolegji nuk ka gjetur shkelje procedurale dhe vendosi ta shqyrtojë ankimin e Hickës në dhomë këshillimi.

Arsyetimi për pasurinë

Subjekti ka pretenduar në ankesën e vet në Kolegj se barra e provës për apartamentin në pronësi është vendosur në mënyrë të paqartë, pasi shtrohet përtej kufijve ligjorë dhe kushtetues. Ajo ka këmbëngulur në ankim se pasuria e prindërve të saj është krijuar me punë të ligjshme. Sipas Hickës, të ardhurat e nënës si e vetëpunësuar në tregun fruta-perime në Lushnjë janë të ligjshme. Ajo ka pretenduar se nëna e saj ka likuiduar të gjitha detyrimet tatimore në kohë të ndryshme dhe në mënyra të ndryshme kundrejt Bashkisë Lushnjë, sipas legjislacionit rregullues të kohës. Për rrjedhojë, subjekti vlerëson se prindërit kanë pasur të ardhura për dhënien e dy huave, një prej 1.8 milionë lekësh për blerjen e një automjeti dhe 5 milionë lekë për apartamentin.

Po ashtu, ajo ka pretenduar se janë të ardhura të ligjshme dhe ato nga qiradhënia e një apartamenti të zotëruar prej bashkëshortit. Subjekti ka shpjeguar se ka deklaruar të drejtat mbi këtë apartament që në vitin 2009, duke qenë se atëherë është dhënë me qira dhe duhet të deklaronte të ardhurat që merrte nga kjo pasuri.

Lidhur me të ardhurat e nënës së subjektit, trupi gjykues vëren se dokumentet e administruara nga institucionet nuk disponojnë informacion lidhur me taksat e paguara apo të ardhurat e krijuara nga shitja në tregun e fruta-perimeve në Lushnjë.

Për rrjedhojë, në analizën e kryer në KPA janë konsideruar vetëm të ardhurat e ligjshme të krijuara nga punësimi i babait të subjektit deri në vitin 2013, të ardhurat nga shlyerja e huasë nga ana e gjyqtares Hicka, si dhe dhënia e një huaje në formën cash në shumën 740 mijë lekë në vitin 2015, për blerjen e apartamentit.

Nga analiza financiare e kryer, prindërit e Hickës kanë rezultuar në pamundësi në shumën 395 mijë lekë për dhënien e huasë 5 milionë lekë.

Lidhur me pasaktësinë e konstatuar nga KPK për mosdeklarimin e kësaj huaje si burim krijimi të apartamentit, edhe KPA vlerëson se Hicka ka pasur detyrim të shpjegonte bindshëm burimin e ligjshëm që ka shërbyer për blerjen e kësaj pasurie.

Por, nisur nga fakti se subjekti e ka deklaruar këtë hua në vitin 2015 dhe shlyerjen e saj nëpërmjet kredisë së marrë në vitin 2016, si dhe se ka rezultuar që shuma e disbursuar të jetë kaluar tërësisht në llogarinë bankare të prindërve, pasaktësia është vlerësuar pa peshë në procesin e vetingut të Hickës.

Lidhur me të ardhurat nga qiratë, të deklaruara si burim krijimi të apartamentit, Kolegji e vlerëson të gabuar konkluzionin e KPK për moskonsiderimin e tyre. “…Konkluzioni i Komisionit për moskonsiderimin e këtyre qirave të ligjshme, jo për shkak të mospagimit të detyrimeve tatimore për këto të ardhura, por për arsye se trashëgimtarët e familjes A., të cilët i kanë kaluar të drejtat e posedimit personit të lidhur, nuk kanë pasur tagra për të gëzuar dhe disponuar lirisht truallin dhe pallatin mbi të, për shkak të konflikteve gjyqësore të pronësisë me trashëgimtaret e familjes P., është i gabuar, pasi bashkëshorti i subjektit të rivlerësimit provohet me dokumentacion ligjor se ka qenë në kushtet e posedimit të ligjshëm të apartamentit me sip. 90 m2, si rrjedhojë të ardhurat e realizuara nga dhënia me qira e këtij apartamenti, për të cilat rezultojnë të jenë paguar detyrimet tatimore dhe që kanë shërbyer si burim për blerjen e apartamentit 120,3 m2, janë të ligjshme”, arsyeton shumica.

Në përfundim të analizës së shkaqeve për apartamentin, shumica konkludon se Hicka ka kryer pasaktësi për arsye të mosdeklarimit në deklaratën “veting” të huasë së marrë nga prindërit. Nisur nga fakti se të ardhurat nga qiraja e apartamentit të bashkëshortit u konsideruan të ligjshme, pamundësia e prindërve të subjektit në shumën 395 mijë lekë për të dhënë huanë 5 milionë, është çmuar pa peshë për të sjellë penalizim.

Schuetz në pakicë sjell në vëmendje se Hicka ka deklaruar si burim krijimi kredinë, ndërkohë që kishin paguar thuajse gjithë çmimin e apartamentit, nëpërmjet burimeve të ndryshme dhe pa pasur nevojë për kredinë.

“Në vlerësimin tim, dinamika e veprimeve dëshmon zgjedhje të subjektit për të mënjanuar huanë si burim apo kontrollin e burimeve të ligjshme të huadhënësve – prindërve të saj – dhe jo pasaktësi të thjeshtë apo harresë njerëzore. Ky fakt paraqet rëndësi të veçantë pasi subjekti ka deklaruar prindërit si burim krijimi i të paktën dy pasurive të analizuara, ndonëse në periudhat kohore përkatëse, ajo dhe bashkëshorti ishin të punësuar në detyra të mirëpaguara, ndërsa prindërit rezultuan me të ardhura krahasimisht modeste dhe investime të konsiderueshme”, konstaton Schuetz dhe vlerëson se deklarimi Hickës pasqyron pavërtetësi të qëllimshme që shkojnë përtej pasaktësisë.

“Nga ana tjetër, subjekti ka deklaruar huanë nga prindërit në deklaratën periodike për vitin 2015, meqenëse në atë moment kohor kredia nuk ishte marrë ende, ndërsa kredinë në deklaratën e pasurisë vetting, meqenëse kjo e fundit ishte marrë në atë moment. Me fjalë të tjera, deklarimet e subjektit nuk janë në funksion të pasqyrimit të realitetit, por thjesht në funksion të nevojës për të rregulluar situatën e momentit”, çmon Schuetz dhe shton se nuk duhen konsideruar as të ardhurat nga qiradhënia e apartamentit të bashkëshortit.

Lidhur me një automjet të llojit “Ford Kuga”, KPK ka konkluduar se subjekti ka kryer deklarim të pasaktë, pasi bashkëshorti i saj në deklaratën e pasurisë “veting” nuk ka shënuar burimin e krijimit të këtij automjeti në pronësi të tij, si dhe as huanë e përdorur si burim krijimi.

Për huanë në vlerën 1.8 milion lekë të përdorur si burim krijimi të automjetit, Komisioni ka arsyetuar se subjekti i rivlerësimit nuk ka provuar të kundërtën e barrës së provës mbi mundësinë e prindërve për krijimin e kësaj shume. Sipas KPK, pretendimet e subjektit në lidhje me vlerësimin si të ligjshme të të ardhurave të nënës si tregtare ambulante, nuk gjejnë mbështetje në dokumentacion.

Nga kontrolli që Kolegji ka ushtruar ndaj analizës financiare të kryer nga Komisioni, ka rezultuar se prindërit janë gjendur me diferencë negative në shumën 1 milion e 185 mijë lekë për huanë 1.8 milionë lekë.

Në përfundim të analizës për automjetin, shumica vlerëson se subjekti ka kryer deklarim të pasaktë për shkak se nuk ka pasqyruar burimin financiar të automjetit në deklaratën veting.

Por, për shkak se bilanci negativ vjen si shkak i pamundësisë së subjektit për të provuar burimet e ligjshme të personave të tjerë të lidhur dhe jo si pasojë e analizës financiare të kryer për kontrollin e burimeve të saj të financimit, bazuar në parimin e objektivitetit dhe proporcionalitetit, kjo situatë nuk është vlerësuar e mjaftueshme për të konsideruar se Hicka ka kryer deklarim të pamjaftueshëm për pasurinë.

Në përfundim të vlerësimit të shkaqeve të ankimit, shumica e trupit gjykues ka ndryshuar vendimarrjen e KPK dhe ka konfirmuar në detyrë gjyqtaren Alma Hicka.

Schuetz e kundërshton edhe këtë konkluzion të shumicës. Ajo vëren se bilanci negativ është konstatuar dhe në Kolegj, duke mos përfshirë si shpenzime të prindërve investimet që ata kanë kryer, por vetëm shpenzimet e jetesës.

Sipas Schuetz, në analizën e kryer në Kolegj mbi bazën e akteve të hartuara gjatë hetimit administrativ, Hicka, rezultoi me një mungesë burimesh prej mbi 4 milionë lekësh për krijimin e pasurive me të ardhurat e saj dhe të personit të lidhur. Ajo çmon se shkarkimi i këtij subjekti rivlerësimi duhej të ishte lënë në fuqi.

Konflikti i interesit

Anëtarja në pakicë, Rezarta Schuetz paraqet në fillim të mendimit të saj, konstatime përmbledhëse lidhur me gjetjet në shkallën e parë të vetingut. Para së gjithash, ajo thekson se KPK ka konstatuar se subjekti ka ushtruar detyrën në kushtet e konfliktit të interesit gjatë kohës kur ka qenë e komanduar në funksionin e Avokates së Shtetit në vitet 2013 – 2018, që sipas saj mbështetet edhe në vlerësimin e institucionit të specializuar për këtë vlerësim, Inspektoratit të Lartë të Deklarimit e Kontrollit të Pasurisë e Konfliktit të Interesave, ILDKPKI.

Schuetz vëren se KPK ka zgjedhur të anashkalojë këtë konstatim me rëndësi me një arsyetimin sipërfaqësor e të pabazuar në ligj, duke argumentuar se ushtrimi i detyrës në kushtet e konfliktit të interesit, ishte një veprimtari jashtë objektit të legjislacionit të vetingut të magjistratëve dhe se nuk mund të shërbejë për shkarkimin e subjektit.

“Vlerësoj se ky qëndrim bie ndesh haptazi me frymën dhe parashikimet e ligjit nr. 96/2016 ‘Për statusin e e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë’ pasi, së pari, gjatë kohës që kryente detyrën e Avokates së Shtetit, subjekti i rivlerësimit, znj. Alma Hicka, ruajti statusin e gjyqtares, në sajë të të cilit u kthye në gjyqësor menjëherë pasi u lirua nga ajo detyrë. Sjellja e magjistratëve edhe jashtë ushtrimit të funksionit i nënshtrohet kontrollit në drejtim të identifikimit të sjelljeve që diskreditojnë pozitën dhe figurën e magjistratit, ose dëmtojnë besimin e publikut në sistemin gjyqësor”, arsyeton Schuetz dhe shton se KPK duhet të kishte analizuar e marrë vendim edhe për normat etike, përfshirë mënjanimin e konfliktit të interesit.

Schuetz sjell në vëmendje se subjekti për vlerësimin profesional ka përzgjedhur tri dokumente të hartuara prej saj në kohën kur kryente detyrën e Avokates së Ahtetit, në vitet 2015-2016 dhe jo vendime të hartuara prej saj kur ishte gjyqtare.

Në vijim, pakica konstaton se në 60 çështje, komunikuar shtetit shqiptar në janar 2014, pak muaj pas emërimit të saj si Avokate e Shtetit, 25% e tyre kishin përfaqësues bashkëshortin e saj me studion ligjore ku ai zotëronte 5% të kuotave.

“Po ashtu, në njërën prej çështjeve gjyqësore, ku bashkëshorti ishte avokati i kontraktuar nga pala paditëse/kundërshtare, e cila kërkonte 8.000.000 Euro dëmshpërblim nga shteti shqiptar, në cilësinë e Avokates së shtetit shqiptar, subjekti i rivlerësimit, znj. Alma Hicka, ka qenë pjesë aktive e procesit të zhvilluar në vijim, duke hartuar edhe dispozitat e marrëveshjes që amnistoi penalisht drejtuesit e shoqërisë paditëse/klientët e bashkëshortit të saj,” thekson Schuetz.

Ajo shprehet se vendimi i KPK pasqyron edhe lëshime të tjera në vlerësimin e kriterit të pasurisë, në formë kontradiktash e vëmendjeje disproporcionale në marrëdhënie pasurore të shkuara, duke lënë në heshtje e duke mos identifikuar natyrën e vërtetë të rrethanave faktike, të cilat duhet të ishin korrigjuar.

“Trupi gjykues i Kolegji duhet të kishte vendosur theksin te natyra e vërtetë e problemeve, të cilat ekzistojnë, nuk u zhbënë nga shpjegimet e subjektit të rivlerësimit, znj. Alma Hicka, dhe e bënin të drejtë shkarkimin e saj nga detyra,” përfundon ajo në pakicë. /Reporter.al/

Arena e Lajmit

Dy qëndrimet e Kolegjit për vlerësimin e gjyqtares Alma Hicka

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook