Ministri i Brendshëm Taulant Balla shprehu falënderime ndaj qeverisë së SHBA dhe agjencive ligjzbatuese amerikane për mbështetjen e vazhdueshme që kanë dhënë deri më sot, për rritjen e kapaciteteve teknologjike të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Balla ishte i pranishëm në ceremoninë që u zhvillua në ambjentet e Ministrisë së Brendshme, për dhurimin e disa pajisjeve kompjuterike të fjalës së fundit. Këto pajisje janë tashmë në dispozicion të specialistëve të Sektorit të Inspektimit në AMP.
Në këtë ceremoni ishte i pranishëm edhe Drejtori i Byrosë për Çështjet e Drogave dhe Zbatimit të Ligjit (Departamenti i Shtetit) për Shqipërinë, John Kastning, Drejtori i Përgjithshëm i AMP, Florian Sulejmani, zyrtarë të tjerë të lartë të Ministrisë së Brendshme dhe institucioneve të varësisë dhe drejtues të ICITAP.
Ministri Balla vlerësoi punën e AMP gjatë muajve të fundit, duke vënë në pah shtimin e numrit të referimeve të Agjencisë në prokurori.
“Po shikoja rezultatet e pesë muajve të parë të vitit 2024 të punës së performancës së AMP, nuk e fsheh konstatimin se këto rezultate janë më të mira sesa në çdo vit paraardhës, pra kemi pasur 200 punonjës të referuar vetëm në pesë muajt e parë të vitit”, tha Balla.
Ministri nënvizoi gjithashtu faktin e rritjes së besimit të publikut te AMP, duke u shprehur se “më vjen mirë nga rritja e besimit publik edhe për AMP dhe kjo konfirmohet nga numri i telefonatave që kanë ardhur te Linja e Gjelbër.”
Balla bëri një thirrje për publikun vendas apo vizitorët e huaj që të denoncojnë çdo shkelje nga ana e punonjësve të policisë.
“I drejtohem çdo qytetari të Shqipërisë, por edhe atyre që vizitojnë Shqipërinë për çdo rast konstatimit të shkeljeve nga punonjës të Policisë së Shtetit, të sjelljes jo të duhur dhe pa etikë, të denoncojnë çdo rast tek AMP në numrin 0800 90 90 dhe këtu faleminderit ICITAP-in që po mbështet këtë fushatë promovimi të komunikimi të qytetarit me AMP!” – theksoi Ministri.
Gjatë kësaj ceremonie u nënshkrua edhe dokumenti zyrtar për donacionin e disa kompjuterëve portabël, të cilat do të përdoren nga specialistët e Sektorit të Inspektimit në AMP, në mënyrë që të përmbushin detyrat e tyre në terren, nga ana e kreut të AMP Florian Sulejmani dhe përfaqësuesi i ICITAP për Shqipërinë, Richard Deasy.
Fjala e plotë e Ministrit Balla në këtë ceremoni
Shumë faleminderit qeverisë së SHBA dhe agjencive të saj ligjzbatuese të cilat vazhdojnë të mbështesin me intensitet rritjen e performancës së AMP. Shumë faleminderit për ndihmën bujare të vazhdueshme për rritjen e kapaciteteve teknologjike të kësaj agjencie, e cila për ne është instrumenti i duhur i kimioterapisë intensive ndaj të gjithë strukturave që ajo ushtron monitorimin e saj, qoftë kjo Policia e Shtetit, qoftë Garda e Republikës, qofshin njësitë e mbrojtjes kundër zjarrit dhe shpëtimit në të gjithë territorin.
Jo pa qëllim përdora termin kimioterapi sepse dua të ndaj jo vetëm me ju po dhe me publikun angazhimin tim si Ministër i Brendshëm për një intensifikimi të procesit të vetëpastrimit kryesisht në PSH duke nënvizuar faktin që rritja e performancës së punës së Policisë së Shtetit lidhet pandashmërisht me procesin e vetëpastrimit për të çrrënjosur njëherë e përgjithmonë nga trupa e shëndoshë e Policisë së Shtetit elementët e dëmshëm, elementët e inkriminua përfshirë dhe ata që njollosin etikën, punën e uniformave blu për ata mijëra e mijëra punonjës të ndershëm, por ka mes tyre syresh që e njollosin këtë uniform dhe që ne na duhet domosdoshmërisht që të ndajmë shapin nga sheqeri dhe ky forcim i rolit të AMP është sot një rol tepër i rëndësishëm, prandaj e kam nxitur, e nxis dhe do të vazhdoj ta mbështes AMP e cila duhet domosdoshmërisht të forcojë bashkëpunimin institucional.
Së pari, me Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm, me të gjitha agjencitë e tjera ligj zbatuese të ligjit dhe të inteligjencës dhe natyrisht me partnerët tanë ndërkombëtar, ndër të cilët nuk e fsheh që ICITAP-i është në krye të punës, të miqve, mbështetësve dhe partnerëve në punën e përditshme të AMP.
Na duhet të garantojmë standarde të larta të integritetit dhe të pastërtisë së figurës të punonjësve të policisë duke u fokusuar te drejtuesit e Policisë së Shtetit që lidhet kryesisht me procesin e vlerësimit kalimtar të tyre.
Procesi i Vetingut tani më po ecën me ritme e shumë pritura prej shumë kohësh dhe na duhet që ta ruajmë këtë ritëm madje pse jo ta ngremë në një nivel tjetër.
Gjej rastin të vlerësoj se hetimet e deritanishme në bashkëpunim me SPAK dhe për Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshme për punonjës të nivelit të parë drejtues apo zbatues të dyshuar për shpërdorim detyre, korrupsion apo vepra penale në fushën e narkotikëve, veprime arbitrare, lidhje komunikime me krimin dhe çdo veprim tjetër të paligjshëm po vijojnë dhe rezultatet duhet të vazhdojnë të intensifikohen dhe e vërteta është që këto operacione dhe rezultate janë vetëm fillimi i një revanshi dhe i konfirmimit të vendosmërisë tonë për vetë pastrimin në radhët e Policisë së Shtetit në ata element, të cilët e dëmtojnë atë.
Po shikoja rezultatet e pesë muajve të parë të vitit 2024 të punës së performancës së AMP, nuk e fsheh konstatimin se këto rezultate janë më të mira sesa në çdo vit paraardhës, pra kemi pasur 200 punonjës të referuar vetëm në pesë muajt e parë të vitit, të arrestuar ose me masa të tjera sigurie 35 dhe ky është shënuar i mirë, por që nga ana tjetër ndikon edhe prezencën e bërthamave malinje brenda strukturës që kërkon rritjen e dozës së kimioterapisë.
Po ashtu dhe nëse do i krahasonim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kemi 55% më shumë se sa vitin e kaluar për të njëjtën periudhë pesë mujore, ndërsa sa i përket numrit të hetimeve proaktive krahasuar janar-maj 2024 krahasuar me janar maj 2023 rritja pastaj është me 127%.
Ajo që më vjen mirë është rritja e besimit publik edhe për te AMP dhe kjo konfirmohet nga numri i telefonatave që kanë ardhur te Linja e Gjelbër dhe përfitoj nga rasti që t’i drejtohem çdo qytetari të Shqipërisë, por edhe ata që vizitojnë Shqipërinë për çdo rast konstatimit të shkeljeve nga punonjës të Policisë së Shtetit të sjelljes jo të duhur dhe pa etikë të denoncojnë çdo rast tek AMP në numrin 0800 90 90 dhe këtu faleminderit ICITAP-in që po mbështet këtë fushatë promovimi të komunikimi të qytetarit me AMP. Po ashtu dua të ndajmë me publikun faktin që në pesë muajt e parë të vitit janë administruar 607 ankesa që nuk janë pak, duke pasur një rritje shumë të madhe krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Mjafton fakti se 66 nga këto ankesa kanë qenë të bazuara, pra kanë pasur realisht substancë për t’u adresuar tregon që publiku ka të drejtë dhe që ne duhet të marrim seriozisht çdo ankesë që vjen prej tyre, po ashtu dhe rezultatet e procesit të vetingut, i cili për shumë arsye, pa arsye kishte mbetur në vend. Tani jemi në një situatë tërësisht tjetër edhe pse nuk e fsheh që do doja të kishim më shumë vendim, përjashtime nga detyra, por pa paragjykuar asnjë sepse duhet që të jetë një proces i drejtë, një proces i bazuar tërësisht në ligj dhe e rëndësishme është në një proces që të garantoj besueshmërinë.
Procesi i vetingut në sistemin gjyqësor na garantoj një rritje të besueshmërisë të publikut tek drejtësia.
Jam shumë i sigurt se edhe procesi i vetingut në Policinë e Shtetit dhe Gardën e Republikës po sjell të njëjtën gjë, me një ndryshim se vetingu në Policinë e Shtetit është një proces i vazhdueshëm, i pandërprerë. Dhe gjej rastin t’i kujtoj çdo punonjësi të Policisë së Shtetit që mos harroni asnjëherë që jeni në monitorimin e vazhdueshëm dhe shumë e rëndësishme që të kujtoni gjithmonë që të shmangni kontaktet e papërshtatshme dhe të respektoni ligjin dhe kodin e etikës.
Në fund, po e mbyll aty ku e nisa, ne nuk do të ishim dot këtu, në këtë fazë të rëndësishme të intensifikimit të luftës kundër krimit dhe korrupsionit dhe të forcimit të rolit të AMP, pa mbështetjen e vyer të partnerëve tanë, të agjencive ligj zbatuese të SHBA duke i garantuar për një angazhim edhe më të fortë të AMP në funksion të arritje së objektivave për të garantuar një Polici të Shtetit me rezultate më të mira për të shkuar te objektivi që unë e kam thënë dhe nuk tërhiqen, për ta kthyer Policinë e Shtetit në institucionin më të besuar në vend, dhe e vërteta është që përfshirë dhe rastet e fundit ka një rritje dhe një përmirësim të dukshëm të forcës goditëse, por dhe të inteligjencës policore, e cila ka çuar në zbulim në kohë rekord të ngjarjeve kriminale që është, e duhet të jetë një prej elementëve thelbësorë të këtij ndryshimi ose të kësaj ngritjeje në këtë nivel të ri. Shumë faleminderit për mbështetjen!