Në rubrikën “Çështja e Ditës” të gazetarit Klevin Muka në News24, konstitucionalisti Bledar Dervishaj, duke komentuar rezolutën anti-korrupsion dhe Komisionin e Posaçëm që tashmë është miratuar nga Kuvendi, tha se Shqipëria është Republikë Parlamentare dhe organi suprem është Kuvendi i Shqipërisë.
Në këtë kuadër, ai theksoi se është krejtësisht legjitim ngritja e një Komisioni Parlamentar.
Dervishaj tha se debati politik është se përmes këtij Komisioni do të vihet nën kontroll politik, por kjo varet nga sinqeriteti i forcës politike që e ka propozuar.
“Opozita do të duhet të luajë të palëkundur qëndrimin e saj ndaj mazhorancës, por interesi i saj duhet të jetë të mbrojë interesat e qytetarëve. Opozita duhej ti përgjigjej mazhorancës me një tjetër rezolutë, ti përgjigjej me debat, me diskutime, pra të gjente një mënyrë. Problemi sot është mosfunksionimi i sistemit të drejtësisë, kemi një sistem të kolapsuar. Ne bllokuam vendimmarrjet e Kushtetueses, Gjykatës së Lartë dhe Administrative dhe të tjera këto lidhen me vendimet, aktet apo ligjet e Qeverisë”, tha Dervishaj.
Ai tha se kjo shumicë parlamentare nuk mund të luftojë korrupsionin përsa kohë shumica e saj janë nën hetim penal.
Dervishaj u shpreh se ky Komision i Posaçëm është i ngjashëm me atë Komisionin ad-hoc të Reformës në Drejtësi. Në këtë kuadër, ai tha se ky komision i ngjan si një ‘Xhafa2’, referuar faktit se Komisionin për Reformën në Drejtësi e udhëhoqi Fatmir Xhafaj.
“Kemi një tendencë për të shkuar drejt përmbysjes së organizimit të shtetit. Në 2030 mund të mos kemi një Republikë Parlamentare, por gjysëm Presidenciale, mund të kemi një Parlament me dy dhoma, me më pak deputetë, mund të kemi një bashkëqeverisje, një model si ai i aplikuar nga Angela Merkel, mund të kemi një President të zgjedhur nga populli”, tha Dervishaj.