Rudi Vata, ish kapiteni i Kombëtares, në një intervistë për “News24”, në emisionin “Sport News”, analizoi listën e Sylvinho-s, mungesat “big” dhe perceptimin e tij mbi vendimet e trajnerit. Në bashkëbisedimin me gazetaren Trevisa Tufa, Vata iu përgjigj edhe deklaratës së bërë nga Alban Bushi, duke theksuar se asnjë përfaqësues i FSHF-së nuk ka kontaktuar me djalin e tij, Roko Vata:
-Vata, çfarë ndjesie të dha lista e Sylvinhos, cila ishte gjëja e parë që të shkoi ndër mend?
Unë kam qenë pjesë e listave në ekipin kombëtar për një karrierë të gjate dhe e di emocionin që ka çdo futbollist. Sigurisht që pjesëmarrja në një Evropian ose në një eveniment të tillë madhorë është shumë speciale për çdo lojtar të Kombëtares. Sidomos për ato që pretendojnë se kanë investuar energjitë e tyre, kanë sakrifikuar për të qenë pjesë e rëndësishme dhe një moment final të marrin një lajm të tillë është shumë shokuese. Të “vret”, por në të njëjtën kohë prandaj quhen profesionistë sepse në momente të vështira apo pakënaqësie duhet të dish të menaxhosh. Mendoj që të tre futbollistët që u lanë jashtë për mendimin tim e meritojnë të jenë pjesë e ekipit kombëtar, dhe sjella e tyre profesionalisht ka qenë perfekte
-Tre pikëpyetje të mëdha ishin Cikalleshi, Uzuni dhe Bare. Pse Cikalleshi jashtë? Është një lojtar me mbi 50 ndeshje me fanellën kuqezi, zgjedhja e parë e Sylvinho-s në kualifikuese?
-Cikalleshi ka mbajtur një peshë të rëndësishme. Pas dëmtimit të Brojës, Cikalleshi ka qenë lideri i sulmit, lojtari që ka vrapuar shumë për skuadrën. Ai ka sakrifikuar çdo metër në fushë për ekipin. Mendoj që në këtë moment Evropiani mund të ishte fundi i tij në Kombëtare dhe mospjesëmarrja e tij është shumë zhgënjyese. Uzuni dhe Bare janë djem të rinj, kanë mundësi te përshtaten me Kombëtaren në të ardhmen, ndërsa Cikalleshi ka marrë një goditje jashtëzakonisht të rëndë. Por mendoj që është lënë jashtë për arsye teknike
-A e penalizoi forma e lojtarëve të tjerë ? Të mos harrojmë se në atë pozicion luajnë edhe Broja, Rey Manaj dhe Daku…
Për të analizuar Sylvinho-n sigurisht që ajo që mendoj është se ai me Shqipërinë ka fituar një bast të madh deri në këto momente. Por ka edhe një bast akoma më të madh për të fituar në Evropian, sepse kontrata e Sylvinho-s mbaron pas Evropianit. Sigurisht që ai ka ambicie për të qenë në nivele të larta. Paraqitjet e ekipit kombëtar në këto tre sfida me elitën e futbollit evropian ose do të ngrejnë vlerën e tij si trajner ose do të mbes në ato nivele. Me lojtarët qe ka thirrur ai do të bëjë një paraqitje të jashtëzakonisht mirë, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për karrierën e tij. Ishte vendimi i tij me “eliminuar” një lojtar të rëndësishëm dhe “barrën” e rezultatit do e mbajë po trajneri. Ne kemi mendime te ndryshme. Ka njerëz që janë pro dhe kundër Cikalleshit në Kombëtare, por çdo njeri ka opinionin e tij.
-Vata ju jeni pro apo kundër Cikalleshit në Evropian?
Unë jam pro në mënyrë absolute.
-Ishte i detyruar Cikalleshi të dorëhiqej? A e kapi “mat” Sylvinho me këtë vendim?
Jo, mendoj që Cikalleshi i ka eliminuar një stres të madh Sylvinho-s sepse nuk ka ndërtuar një situatë me polemika. Është e drejta e tij për të mbrojtur investimin e tij, por ka zgjedhur të heshti. Kështu që Sylvinho nuk ka dhimbje koke sepse Cikalleshi e ka mbyllur me një deklaratë dhe tani trajneri mund të jetë i përqendruar te përgatitjet me Italinë.
-Me Cikalleshin jashtë, ke sheh tani favorit për të luajtur titullar në Evropian? Pasi është e qartë që Sylvinho luan me një qendërsulmues…
Padiskutim Broja. Broja, Daku, Manaj janë në “luftë” me njeri tjetrin. Varet nga efikasiteti që do të kenë. Sigurisht trajneri ka dy ndeshje miqësore për të kuptuar se kush nga këto tre sulmues mund të mbajë peshën e sulmin në ndeshjen hapëse. Është një situatë e paqartë sepse Broja vjen nga një dëmtim i gjatë, por është një lojtarë qe ne mendojmë se do na dërgojë te porta e kundërshtarit sepse ka cilësi fizike që nuk i ka asnjë lojtar tjetër i Kombëtares. Është lojtar unik, futbollist i Chelsea-s, ka një vlerë ne tregu shumë më të madhe se të tjerët. Në të njëjtën kohë edhe Daku me Manajn janë të uritur. Do jetë rivalitet i bukur. Sulmuesi matet me gola dhe kush shënon i pari do jetë titullar në sfidën e radhës. Ndryshe Sylvinho do të jetë i detyruar të spostojë herë njërin herë tjetrin.
-Pse Uzuni jashtë? Çfarë e dogji në këndvështrimin tënd? mqs trajneri nuk preferoi të jepte një shpjegim…
Unë mendoj se ka diçka nuk shkon mes Uzunit dhe trajnerit. Nuk e di çfarë ka ndodhur në dhomat e zhveshjes, por nuk ka patur kimi Uzuni me stafin teknik. Ai është i vlefshëm për Kombëtaren, ku edhe ka patur momente të mira. Me meritë ka mbërritur në ato nivele dhe mendoj se ndoshta është një nga lojtarët “bio” në Kombëtare. Mendoj që edhe ai duhet të analizojë veten e tij. Futbollistët në përgjithësi janë egoistë. Edhe unë në karrierën time kam menduar se kam patur të drejtë në raport me trajnerin, por në fund kam dal në konkluzion se trajneri ka gjithnjë te drejtë, edhe nëse është gabim. Por çdo gjë vjen me eksperiencën.
-Nuk dua të merrem me fjalë të menaxherëve, por përfaqësuesi i Uzunit u shpreh se ka statistika më të mira se 5 nga 6 sulmuesit e grumbulluar. Pra vetëm Manaj ka bërë më mirë se Uzuni. Nuk është pak të realizosh 11 gola në La Liga…
Unë mendoj që një përfaqësues i futbollist shqiptar në La Liga është arritje e madhe. Nëse ne kemi vetëm një lojtar që luan në La Liga domethënë se nuk kemi lojtarë për të luajtur në këto nivele. Uzuni është rast unik dhe do të hyjë në historinë e futbollit shqiptar për faktin se është futbollisti i vetëm qe ka shënuar 11 gola në La Liga. Deri kur të kemi një lojtar tjetër që të arrijë këto nivele nuk mund të bëjmë krahasime.
-Më bëri përshtypje një koment i Rrakllit në lidhje me Brojën dhe Jasir Asanin, dy lojtarë me pak minuta në këmbë. Nuk mjafton vetëm ndjenja e patriotizmit theksoi, pasi ndihet mungesa e minutave. Ju si mendoni, do të jenë në kushte optimale në Evropian?
Altini ka të drejtë. Ka qenë futbollist vetë dhe e di se çfarë do të thotë të vish nga një dëmtim apo minutat. Broja ka minuta në stërvitje, por jo në ndeshje zyrtare. Brojës i mungojnë minutat por në te njëjtën kohë Sylvinho ka në dorë për ti marrë maksimumin Brojës, për aq kohë sa ai mund të jetë efikas. Broja duhet te rri i qetë, të presë momentin. Pjesëmarrja në Evropian është shume e rëndësishme për të në aspektin psikologjik. Por edhe besimi që i është dhënë. Mendoj që stafi e ka menaxhuar shumë mirë, pasi mund të mos e grumbullonin me justifikim që nuk ka minutat e duhura. Ata kanë menduar për të ardhmen e Shqipërisë, sepse Beoja do jetë lideri i sulmit të Shqipërisë.
-Vata, dy nga tre prurjet e fundit të Sylvinhos Daku dhe Arbër Hoxha u ftuan në Evropian, besoj me këtë lëvizje Sylvinho dhe FSHF vërtetuan se nuk ftojnë lojtarë për t’i djegur…
Padiskutim që FSHF nuk mendoj se ka ndikuar te lista e Evropianit, pasi këtë radhë mendoj që ka qenë në dorë te stafit teknik. Në të kaluarën mund të jenë marrë shumë vendime te gabuara dhe këto gabime nuk duhet ti përmendim, por ne duhet të punojmë për të mos gabuar më që të ecim para. Besoj që edhe në këtë listë ka gabime, sepse edhe Sylvinho nuk është i pagabueshëm.
-Kush mendoni ju se ishte një nga gabimet më të mëdha?
-Vetë Evropiani do te na japi mundësinë për te kuptuar se ku gaboi trajneri dhe çfarë vendimesh të duhura mori Sylvinho.
-Pikëpyetja e fundit ishte Kejdi Bare, në vend të tij, nëse mund ta cilësojmë kështu u ftua Abrashi…
Keidi Bara është 6 vite më i ri se Abrashi. Ky i fundit për mendimin tim ka qenë motor në mesfushë. Ka qenë i jashtëzakonshëm, jepte shpirtin në fushe. Por në këto momente të rikthesh Abrashin më duket pa sens sepse nuk i shërben te ardhmes. Unë kam menduar se e ka mbyllur me Kombëtaren. Rikthimi i tij dhe lënia jashtë e Bares më duket e çuditshme sepse nuk ke lojtarë me eksperiencë. Mendoj që edhe me Baren diçka nuk shkon, ndoshta sjellja sepse në futboll analizohen shumë gjëra jo vetëm performanca në fushën e blertë. Ka lojtarë që pretendojnë më shumë se sa mendon trajneri dhe ky i fundit nuk dëshiron të ketë në stol lojtarë që nuk pranojnë vendimet e tij.
-Kishte dhe emra të rinj, si Medon Berisha apo portieri Simoni, në fund duhet të largoj vetëm një nga 27. Kush mendon se do sakrifikohet, apo tani besoj se nuk do ta ketë aq të vështirë…
E ka shumë të lehtë për te larguar një. Janë 3-4 futbollistë që e kanë në ndërgjegjen e tyre që nuk mund të jenë pjesë e Kombëtares në Evropian. Një nga këto do jetë edhe i kënaqur që mori ftesë në listën përfundimtare dhe nuk do të ketë hatër mbetje. Lojtarët që kanë parur diçka të tillë me stafin nuk janë pjesë e Kombëtares.
-Vata, beson se mund të bëjmë mirë në një grup me Italinë, Spanjën dhe Kroacinë?
Unë mendoj që këna mundësi të madhe të bëjmë paraqitje të jashtëzakonshme, por në të njëjtën kohë jam i përgatitur edhe për humbje. Në fund të fundit këto ndeshje Shqipërisë i japin mundësinë të rritet, pasi luajnë me kundërshtare të niveleve të larta. Është gjë tjetër te luash me Çekinë, Poloninë dhe diçka tjetër të luash me kampionë bote. Me Spanjën dhe Italinë çdo futbollist do të impenjohet në mënyrë maksimale sepse me elitën ke dëshirë të barazohesh. Tifozët janë energji e jashtëzakonshme dhe do i shërbejnë futbollistëve të motivohen në maksimum.
-A do firmosje që tani për të mbyllur këtë grup në vend të tretë, a do ishte kjo një mrekulli?
E jashtëzakonshme.
-Pak ditë më parë, Alban Bushi, trajneri i Shpresave, u shpreh se Federata ka kontaktuar me Rokon dhe disa talente të tjerë, a ka pasur realisht një ftesë konkrete për Rokon?
Unë Albanin e kam parur shok dhome kur trajneri Medin Zhega ishte trajner i Kombëtares. Shpesh herë Albani binte për të fjetur me një plan dhe zgjohej me ëndrra. Vetëm në ëndërr mund ta ketë parë. Nëse zyrtarisht një përfaqësues i Fshf-së ka kontaktuar me mua ose me agjentët e Rokos, sepse me djalin personalisht jam i sigurt që nuk i kanë kontaktuar. Nuk është e ndershme të gënjesh sepse bëhet fjalë për një situatë tepër delikate. Njerëzit që e kuptojnë se si është marrëdhënia ime me persona që kanë investuar në futbollin shqiptar që përpara 20 vitesh, duhet të kuptojnë që nuk ka mundësi që të kenë dëshirë që prezenca e Rudi Vatës të jetë afër ekipit kombëtar. Është e pamundur. Këto gënjejnë njerëzit dhe i mbushin me iluzione sikur është kontaktuar Rudi Vata. Në jetën time akoma nuk kam kontaktuar me një përfaqësues të Federatës Shqiptare të Futbollit për Rokon në formë zyrtare. Nëse Albani thotë që e kam pyetur Rudin si po shkon Roko? A po bën progres? Kjo është diçka tjetër sepse është një bisedë mes dy shokësh, por jo për të planifikuar diçka në lidhje me këtë situatë. Gazetarët nëse janë të interesuar të dinë të vërtetën duhet të kërkojnë fakte.
-Nëse do të kishte një ftesë zyrtare për Rokon, a do të pranonte Roko të luante për Shqipërinë?
-Nëse do të kishte do të diskutonim dhe ju do e merrnit vesh e para. Por unë po ju them që ka klane që nuk e kanë në interesin e tyre që Rudi Vata apo djali i Rudi Vatës të afrohet në Kombëtare. Sepse balancat mund të prishen dhe këto balancat nuk i duan të prishura, por duan ti kenë siç janë. Nuk po them Duka sepse nuk kam asgjë kundër atij, por ka njerëz afër tij që e dinë sesi funksionoj unë. Prezenca ime afër ekipit përfaqësues destabilizon klanet e tyre dhe kjo nuk mund te ndodhi. Në këtë mënyrë nxjerrin zhurmues që thonë është kontaktuar Vata. Janë gënjeshtra, fjalë boshe. Nëse dikush nxjerr një fakt unë nuk flas më për këtë situatë. Mënyra sesi i paraqesin gjërat është tipike sesi funksionojnë gjërat në Shqipëri. Shqipëria është vendi i qokave dhe i gjobave. Ato që vendosin gjoba bëjnë qoka dhe e kundërta. Me mua nuk funksionon ky mentalitet. Këto mundohen ta zgjidhin më mënyrën “alla-shqiptarshe” në një kohë kur mentaliteti im dhe kultura ime ka 33 vite që është ndryshuar. Sepse kam ndërtuar një jetë në sisteme të rëndësishme. Mentaliteti im ka marrë një formë që unë nuk pajtohem me mentalitetin që kam pas sepse kam qen gabim. Këto kanë jetuar në atë botë dhe vazhdojnë jetojnë. Ky është ndryshimi. Dikush beson tek puna, dikush te djalli. Këto kujtojnë se me djallin ecim përpara ne.
()