Infrastruktura, sukseset kuqezi, zhvillimi i FSHF-së & rrugëtimi në futbollin shqiptar/ Presidenti Duka analizon gjithçka në 360 gradë

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka zhvilluar një intervistë me gazetarin Berat Buzhala në ambientet e stadiumit “Air Albania”. Në një intervistë të gjatë, kreu i qeverisë së futbollit shqiptar u ndal në shumë tema.

Presidenti tregoi rrugëtimin e tij në krye të FSHF-së, transformimin e infrastrukturës sportive në vendin tonë, ecurinë e Kombëtares kuqezi dhe sukseset në arenën europiane.

Një nga çështjet më të diskutuara ishte edhe ajo e kandidimit të përbashkët me Federatën Serbe të Futbollit për organizimin e finaleve të EURO U-21 në vitin 2027. Presidenti Duka theksoi edhe njëherë që mundësia e bashkëpunimit me Federatën Serbe të Futbollit ishte e vetmja mënyrë, pasi shanset për të kandiduar të vetëm nuk ekzistonin për arsye të stadiumeve akoma të papërfunduara. Gjithashtu ai shtoi se as Kosova, Maqedonia e Veriut dhe vendet e tjera fqinje nuk i plotësojnë kriteret e infrastrukturës dhe aplikimi ishte i pamundur.

Kombëtarja e Kosovës – Në të dy këndvështrimet mund të gjesh argumenta pro dhe kundër. Shpesh edhe unë mendoj që më mirë një Kombëtare, po të ishim bashkë mbase do të ishte një treg më i madh dhe një potencial më i madh, më shumë forca. Kombëtarja e Kosovës ka futbollistë me shumë cilësi, nëse do ishim bashkë padyshim që do të ishim akoma më të mirë. Por ka edhe argumenta ndryshe se pse duhet të jemi dy dhe në fund të fundit nuk jemi ne ata që vendosim, këto janë thjesht dëshira dhe opinione, pasi vendosin ligjet dhe rregullat, kufijtë shtetërorë. Fatkeqësisht apo fatmirësisht, Kosova dhe Shqipëria kanë dy shtete të ndryshme, me ligje të ndryshme dhe ligjet parashikojnë që Federatë quhet ajo që organizon aktivitete sportive brenda territoreve, brenda kufijve shtetërorë të një vendi dhe ne quhemi dy shtete. Opinioni dhe dëshira ime është që të ishim një shtet. Unë kam shumë respekt për të gjithë lojtarët që luajnë me fanellën e Kosovës, futbollistë me kualitet duke filluar nga porta e deri në sulm. Padyshim që do të ishte kënaqësi po të ishin në ekipin Kombëtar dhe jam shumë i sigurt që do të na ndihmonin akoma më shumë. Lojtarët po bëjnë mirë në Kosovë, pavarësisht se në edicionin e fundit nuk patën rezultatin e pritur nga publiku, por i kanë mundësitë për të pasur rezultat dhe unë jam shumë i bindur me zgjedhjet e reja, me trajnerin Foda do ndryshojë diçka pozitive dhe ekipi do të jetë akoma më i konsoliduar dhe me më shumë rezultate.

A ka pasur tendenca politike për të larguar nga FSHF? – Nëse do t’i quajmë konflikte ato të miat me politikën, nuk janë individuale, sepse unë nuk jam një natyrë konflikuale, por përpiqem të jem bashkëpunues sidomos me qeverinë gjithmonë, sepse është ajo që duhet të mbulojë dhe ndërtojë politika zhvillimore për çdo fushë të jetës, përfshirë edhe Federatën që unë drejtoj. Biznesi, politika e ka tendencën që të kontrollojë gjithçka dhe mbase me një person si unë nuk ka arritur të kontrollojë gjithçka brenda Federatës dhe ka lindur konflikti që herët me qeverinë demokratike, apo ndonjëherë edhe me qeverinë socialiste. Por prapë kemi gjetur mënyra dhe rrugën e bashkëpunimit për të mirën e futbollit dhe kompromiset nëse bëhen, le të themi politike, duhet t’i bësh, nuk janë individuale, por janë kompromise për shkak të detyrës, misionit dhe në fund të fundit ti përfaqëson një komunitet. Duhet të marrësh maksimumin nga çdo futbollist në fushë, por edhe nga qeveria.

Nga viti 2002 je në krye të Federatës, si ka ndryshuar infrastruktura? – Realisht kemi qenë shumë keq. Gjithë vendi në vitet 90-të vetëm ka shkatërruar nuk ka ndërtuar asgjë dhe ky është faji i i kohës. Ne erdhëm nga një sistem dhe mentalitet i gabuar. Ne menduam që pasi përmbysëm sistemin komunist, fatmirësisht pa shumë humbje njerëzore, menduam dhe kishte edhe slogane që për ne do të fillojë epoka e artë, nuk do të bëjmë asgjë, nuk do të punojmë dhe ne edhe ato pak gjëra që trashëguam filluam që t’i shkatërronim, përfshirë këtu edhe infrastrukturën sportive, sepse sistemi i kohës i kishte ndërtuar disa, kryesisht në Tiranë dhe në vende të tjera. Por kur qeveria e kohës mendoi që ne nuk jemi të denjë dhe nuk patëm rezultate, e hoqi Shqipërinë edhe nga konkurrenca internacionale për 10 vite. Edhe ato pak fusha dhe stadiume i prishëm dhe i ndërtuam pallate, kështu shkuan vitet 90-të. Në vitin 2002 kur unë kam ardhur në Federatë, vërtetë ka qenë një gjendje shumë e keqe e infrastrukturës. Pastaj filluan projektet e para të infrastrukturës, ndryshimet e fushave kryesisht, më vonë edhe stadiumet. Në vitin 2014 nisën punimet e “Elbasan Arena”, i domosdoshëm. Projekti i stadiumit “Elbasan Arena” përfundoi në një kohë të shpejtë dhe aty ishte shtëpia e parë moderne nga e cila ne shkuam në “Euro 2016”, pastaj edhe projektet e reja. Në bashkëpunim me qeverinë shqiptare, FIFA-n dhe UEFA-n, përfunduam stadiumet “Loro Boriçi” dhe “Kukës Arena”. “Air Albania” është një nga veprat arkitekturore më të përkryera shqiptare sipas meje. Kur e kam parë për herë të parë të përfunduar më është dukur vetja si në ëndërr.

Këto e kanë ndihmuar futbollin të zhvillohet, por edhe aspektet e tjera organizative, si mbështetja e futbollit të fëmijëve. Ne jemi një nga të vetmet Federata në botë që financojmë çdo material sportiv për këdo që luan futboll në vend. Në vitin 2002, Shqipëria kishte vetëm një kampionat të Kategorisë së Parë, me 16-18 skuadra dhe një Kampionat të Kategorisë së Dytë me sistem grumbullimi. Tashmë ne kemi Kategorinë Superiore, Kategorinë e Parë, Kategorinë e Dytë dhe Kategorinë e Tretë me sistem vajtje-ardhje. Organizojmë ndeshje futbolli në tetë rajone të Shqipërisë, kampionate rajonale. Organizojmë mbi 600 ndeshje në javë dhe të gjitha këto aktivitete furnizohen me topa, në atë kohë ne vuanim për topa futbolli dhe nuk kishim më shumë se dy topa në ndeshje dhe jo më në stërvitje. Sot, çdo fëmijë që luan futboll merr uniformën nga FSHF.

Ndryshimi në buxhet është shumë i madh nga viti 2002 dhe sot. Federata ishte dikur si një institucion i shtetit, ku shteti paguante 12 paga të punonjësve. Sot kemi një buxhet prej 25 milionë eurosh. Këto ndryshime kanë ardhur ditë pas dite. Sot administrata e Federatës së Futbollit është e aftë të menaxhojë, organizojë aktivitetete dhe të mendojë akoma më larg për të ardhmen. Unë nuk mund të pretendoj që Shqipëria të kalojë Francën apo Gjermaninë me rezultate. Siç thatë edhe ju, është aktualisht një nga Federatat më të fuqishme në rajon, nga pikëpamja e infrastrukturës, rezultateve të ekipeve kombëtare, nga përfaqësimi ndërkombëtar i  Federatës. Jo vetëm Presidenti i FSHF-së që është zv.President i UEFA-s, por shumë nga komuniteti i futbollit shqiptar përfaqësohen në instuticionet ndërkombëtare, pra ne jemi të gjithë të përfshirë në organzimin e futbollit europian që i jep një tjetër imazh futbollit shqiptar.

Kemi organizuar evente në vendin tonë që kanë benefite të shumëfishta. Vetëm në vitin 2023 e deri sot janë organizuar nga FSHF 16 turne finalë dhe kualifikues për ekipet e vajzave dhe djemve të U-17 dhe U-19. Ne përfitojmë eksperiencë në organizim, në imazh, por edhe financiarisht, pasi nga këto evente përfitohen rreth 1.2 milionë euro në vit, që për një Federatë si ne janë shumë. Kemi organizuar finalen e Conference League, e cila e vuri Shqipërinë në qendër të vëmendjes së futbollit botëror. Kemi fituar të drejtën për të organizuar Kampionatin Europian të grupmoshës U-17 në vitin 2025 në Shqipëri.

Aplikimi i përbashkët me Federatën Serbe të Futbollit për organizimin e Kampionatit Europian të grupmoshës U-21 në vitin 2027 – Së fundmi kemi aplikuar për të qenë organizatorë të Kampionatit Europian të grupmoshës U-21 në Shqipëri. Nga ky aplikim vetëm katër Federata shfaqën interes, Shqipëria, Belgjika, Turqia dhe Serbia. Shanset që Shqipëria apo Serbia të fitonin të vetme kundër Turqisë apo Belgjikës ishin shumë të vogla. Mundësia e bashkëpunimit me Kosovën nuk ishte, pasi Kosova nuk plotësonte kushtet në nivel infrastrukturor, nuk i ka këto mundësi as Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Në kuptimin pragmatist, gjëja më e mirë ishte që të bashkojmë garën me Federatën Serbe për ta patur Kampionatin Europian në Shqipëri dhe Serbi. Ne jemi akoma në fazën e konkurimit, ndërsa Belgjika dhe Turqia kanë aplikuar vetë. Nuk jemi mjaftuar vetëm me benefitin organizativ, por edhe me atë sportiv. Kombëtarja jonë e U-21 nuk është kualifikuar asnjëherë në një kompeticion të tillë dhe ne mund të sigurojmë pjesëmarrjen e ekipit tonë në finalet e këtij turneu. Ideja ishte e të dyja palëve. Ne e kemi analizuar por mendoj që edhe ata e kanë bërë, edhe në këndvështrimin politik dhe mesazhin që mund të japi ky bashkëpunim. Unë e kam konsideruar si një armë të fortë për ta fituar këtë garë e për ta siguruar këtë kampionat, sepse mesazhi që jep është shumë i rëndësishëm. Është mesazh i paqes, tolerancës, bashkëpunimit dhe bashkëjetesës. E di mirë që dikush ka të drejtë të preket nga kjo, sepse plagën e kemi të freskët, por ne duhet të shohim më tej, duhet të mësohemi të bashkëjetojmë. Ne kemi në dorë të kontribuojmë që fëmijëve, nipërve e mbesave t’i lemë një botë sa më të paqme. Nëse të gjithë punojnë në këtë drejtim, konfliktet do të jenë më të vogla. Patjetër, ne nuk e harrojmë atë çfarë ka ndodhur dhe sa më shumë nxjerrim mësime se çfarë ka ndodhur, duhet të luftojmë për paqe. Sepse unë mendoj se do të ishim më mirë nëse Adem Jasharin do ta kishim këtu sesa ta këndonim, por nuk është faji jonë që iku, unë e di mirë këtë, është faji i të tjerëve, por nëse të gjithë do të bënin këtë lloj kontributi, mbase nuk do të kishte ndodhur, sepse shqiptarët e Kosovës nuk cënuan askënd, ishin në tokën e vet dhe nuk kishte pse të ndodhte. Ka pasur shumë reagime nga tifozët por edhe nga individë, gjithashtu edhe para familjes time të Federatës së Futbollit. Qëndrimi im për Kosovën dhe Federatën e Kosovës ka qenë gjithmonë mbështetës me projekte reale e jo me llafologji boshe. Që kur ishte President Sabri Hashani, kur nuk ishte anëtar i UEFA-s dhe FIFA-s, në çdo trajnim që ka bërë Federata e Futbollit, ka pasur pjesën e vet, trajnerë, arbitra, gjithmonë kanë qenë për Federatën. Kemi ofruar asistencë dhe lobim më të gjithë energjinë tonë për Federatën e Kosovës. Nuk kam dashur ndonjëherë të flas, por duke qenë që u hap kjo temë diskutimi, mendoj që duhet t’i rikujtojmë. Lobimin që kemi bërë për pranimin e Kosovës në UEFA, bashkë me mikun tim të përjetshëm dhe legjendën Fadil Vokrrin, ka qenë shumë i madh. Mendoj që ka qenë vetëm kontributi jonë dhe i Federatës së Kosovës që Kosova të pranohet në UEFA. Nuk kemi pasur asnjë mbështetje politike për ta realizuar, të gjithë të tjerat janë llafologji. Ka qenë vetëm lobim sportiv i joni, i suksesshëm dhe kjo marrëdhënie ka vazhduar edhe më tej, vazhdon edhe sot. Jam shumë i lumtur që raportet tona janë më shumë se vllazërore dhe qëllimet tona janë, ky është mendimi im që i shërbejnë edhe çështjes politike në Kosovë edhe pranimit dhe integrimit të Kosovës sepse mesazhi jonë është Europian. Ne me sjelljen tonë mund të ndikojmë në ndryshimin e qëndrimit të serbëve, pa dyshim që nuk i urdhërojmë, por bashkëpunimi mund të ndikojë dhe Kosova e i gjithë populli shqiptar të përparojë.

Ndeshja e famshme e vitit 2014 mes Shqipërisë dhe Serbisë – Në finalen e “Final 4” të kampionatit Abissnet Superiore mes Partizanit dhe Egnatias, arbitri kryesor ishte Anthony Taylor, i cili ka qenë arbitri i katërt në ndeshjen Serbi-Shqipëri dhe unë ia rikujtova dhe diskutuam skandalin e asaj ndeshjeje. Jam frikësuar në ndeshjen Serbi-Shqipëri dhe nuk kam turp që ta them. Jam frikësuar jo për veten time edhe nuk frikësohem kurrë për veten time, por jam frikësuar sepse e kam ndjerë veten me përgjegjësi për lojtarët si për fëmijët e mi. Kjo gjë nuk duhet të ndodhi më. Këtë mesazh duam të japim, që të shohim përpara dhe ngjarje të tilla të mos ndodhin më. Federata Serbe ka qenë bashkëpunuese me ne për të eleminuar stresin, pasi edhe ata nuk donin të ndodhte kjo gjë. Unë nuk e kam menduar që ajo ndeshje do shkonte ashtu, madje jam habitur që në fillim kur nuk patëm bileta për tifozët shqiptarë, përveç disa të ftuarve, nga të cilët disa ishin gazetarë. Kur kam parë dronin u mërzita, pasi mendova se dikush nga Serbia po përdhoste simbolet tona, por pasi pashë që ishte e jona, u qetësova. Flamuri nuk ishte aq provokativ. Vendimi ynë për të mos u kthyer në fushë ishte i drejtë, nuk pati mundësi tjetër për ne dhe rezultoi i suksesshëm në fund.

Zhvillimi i Kombëtares – Zhvillimi i ekipit Kombëtar ka qenë gradual. Përfshirja e futbollistëve nga të gjitha trojet e Shqipërisë filloi me Gianni De Biasi-n dhe i pari që është afruar ka qenë Migjen Basha, të cilit më pas iu bashkuan shumë të tjerë. Shqiptarët e Kosovës e kanë ndjenjën kombëtare më të madhe se ne, por gjithashtu Kosova nuk kishte një ekip që t’a përfaqesonte në arenën ndërkombëtare. Ndeshja në Beograd ka ndezur më shumë ndjenjën kombëtare, lidhjen e skuadrës me fanellën dhe spektatorin, na nxiti dëshirën për të thënë që jemi shqiptarë. Në shkuam në Francë për të treguar që jemi europianë, si tifozët ashtu edhe ekipi në fushë. Shpesh më pyesin se cili është lojtari më i mirë në kombëtare dhe nuk di të përgjigjem. Lorik Cana është një lider i rrallë, krijon një marrëdhënie me publikun në mënyrë natyrale. Ka ndikuar shumë në motivimin e skuadrës në përgjithësi dhe ka pranuar gjithmonë çdo vendim sportiv që është marrë, sipas rregullave të lojës. Rashica, Rrahmani, Shala dhe Gjimshiti ishin të grumbulluar në Austri para se të iknim në Francë, por rregulli i 2016-ës ishte që të merreshin vetëm 23 futbollistë. Mendoj që trajneri ka marrë vendimin e duhur për lojtarët që mund t’i duheshin më shumë në Europian. Rashica është futbollist shumë i mirë, në atë kohë nuk kishte luajtur asnjë minutë me ekipin e parë, Rrahmani ishte në hapat e parë të karrierës, dukej që do të bëhej lojtar shumë i mirë dhe kishte luajtur rregullisht me Kombëtaren e U21, Shala pati kontribut në ekipin e parë. Ai që unë përmend vazhdimisht është Berat Gjimshiti, i cili që nga dita e parë që erdhi në Kombëtare ishte titullar, nuk u përzgjodh për në “Euro 2016” dhe pas tuneut ishte përsëri titullar rregullisht. Nga njëra anë ndihemi borxhlinj që nuk ishte në ekipin e europianit, por edhe De Biasi ia ka shpjeguar zgjedhjen e tij në aspektin sportiv. Gjimshiti është një djalë i shkëlqyer dhe i ka pranuar vendimet e trajnerit.Isha në Dublin në ndeshjen Atalanta – Bayer Leverkusen për finalen e Europa League dhe ndihesha si një fëmijë i vogël nga krenaria, i thoja të gjithëve që Gjimshiti është kapiteni ynë. Uroj t’a përjetojmë sa më shpesh këtë ndjenjë, pasi jam gëzuar shumë, sidomos sepse ishte edhe kapiten i Atalantës. Dy më të mirët në fushë ishin shqiptarë, Xhaka dhe Gjimshiti. Bayer Leverkusen e humbi lojën, por për mua ylli i vetëm në fushë ishtë Xhaka.

Trajneri Silvinjo & Kombëtarja – Atmosfera në ekip është shumë e rëndësishme dhe sigurisht që roli i trajnerit është që të krijojë këtë atmosferë dhe të bëjë tifozerinë të besojë te ekipi. Që nga momenti i ardhjes së Silvinjos nuk ishte askush që e kritikonte. I vetmi kritik i Silvinjos kam qenë unë, pas ndeshjes në Poloni, sepse mendova që nuk mund të mjaftohemi me humbje dinjitoze, por me fitore pragmatiste që na çojnë në Europian. Ekipi ka bërë performancë fantastike, ka dhuruar spektakël, golat e shënuar janë zgjedhur si golat më të mirë të javës nga UEFA. Kemi pasur edhe fat, por thonë që fati ndihmon më të mirët. Ne nuk jemi skuadër inferiore, jemi kualifikuar nga një grup që ka çuar tre ekipe në europian, pretendojmë të shkojmë lart, por nga çdo lloj rezultati ne fitojmë eksperiencë me ekipet e mëdha. Nga pikëpamja sportive, unë nuk mendoj se Italia është më lart se ne. I vetmi ndryshim që kemi është fanella, historia që Italia ka, pasi është kampione Europe në fuqi. Uroj të mos ndodhë e njëjta gjë si me Zvicrën në Euro 2016, ku kishim shumë emocione. Nëse ne do të arrijmë t’ia lëmë këtë emocion Italisë, unë mendoj që do t’a fillojmë mirë Kampionatin Europianin. Ndeshjet më të kërkuara për bileta janë sfida e parë e Europianit Gjermani – Zvicër dhe Itali – Shqipëri. E gjithë UEFA, qeveria italiane, qeveria shqiptare do jenë në stadium. Unë jam i sigurt që tifozët shqiptarë do të jenë më të shumtë se italianët në Dortmund. I vetmi armik i joni mund të jetë ngarkesa emocionale. Ne e kemi arritur suksesin, duhet ta jetojmë dhe menaxhojmë atë dhe duhet të performojmë njësoj si në ndeshjet kualifikuese. Unë jam krenar me këtë ekip, me tifozerinë dhe që jemi pjesë e Europianit. I kam kërkuar Silvinjos që pushimet të mos i bëjmë në det, por në Gjermani.

Lista paraprake e trajnerit Silvinjio për “Euro 2024” – Çdo listë dhe çdo vendim ka diskutimet e veta. Trajneri dhe stafi bëjnë gjithmonë zgjedhjet objektive, por edhe subjektiviteti mbetet brenda, pasi është vlerësim në fund të fundit. Mund të jetë një futbollist me cilësi të mirë që mbetet jashtë listës, sepse ka lojtarë të tjerë në pozicionin e tij, nga ana tjetër mund të jetë në listë një futbollist me më pak kualitet, por sepse në pozicionin e tij ka më pak futbollistë.

Formua e “Final 4” e aplikuar në kampionatin “Abissnet Superiore” – Formula e “Final 4” është një turne final me 4 skuadra dhe pikërisht këtu e ka bukurinë. Kampion mund të dilte edhe Skënderbeu dhe jo Egnatia. Por duhet të luftosh në 36 javë që të jesh në garë për të marrë kampionatin. Ky kampionat nuk e realizoi këtë ndryshim dhe përfundimi ishte i njëjti me kampionatin, pasi Egnatia e udhëhoqi për 36 javë dhe e fitoi, Partizani e ndoqi gjatë gjithë kohës dhe ishte i dyti, Skënderbeu vetëm ndërroi vendet me Vllazninë. Unë do isha shumë i lumtur që të krijohej më shumë emocion dhe suspancë. Mendoj që ne fituam nga skema, fituam më shumë emocion dhe pamë më shumë futboll. Fatkeqësisht, klubet në Shqipëri kanë vështirësi financiare, ndërkohë që shteti i Kosovës ka bërë hapa pozitivë në këtë drejtim, pasi i ka dhënë më shumë frymëmarrje, mundësi financiare. Klubet shqiptare mbahen vetëm nga të ardhurat e vetë klubeve dhe të presidentëve, që japin nga bizneset e tyre, ato pak të ardhura nga të drejtat televizive, reklama apo ndonjë suport i limituar nga bashkia. Nga pikëpamja finaciare ka më shumë financa në Kosovë dhe unë këtë e shoh me xhelozi pozitive, e diskutoj shpesh me aktorët politikë në Shqipëri që nëse Kosova vazhdon kështu, do të ecë shumë përpara dhe shumë futbollistë nga kampionati jonë do të shkojnë të luajnë në Kosovë. Ligji i sponsorizimit në Kosovë është ai që ne po kërkojmë dhe po presim që t’a realizojmë.  Është e vështirë në futbollin profesional që të kesh rezultate ndërkombëtare pa financa të shëndosha dhe vende si ne kanë nevojë për ligje dhe mbështetje financiare. Unë nuk i quaj shpenzime nga buxheti, por investime për të ardhmen. Ne jemi popull futbolldashës, mund t’a rrisim shumë futbollin dhe nëse nga ligji për sponsorizimin do të lirohen nga buxheti disa fonde, ato do të kthehen shumë shpejt në të ardhura për buxhetin. Ne prodhuam Muçin, i cili minimalisht solli 1 milion euro për Tiranën kur u transferua te Beshiktash, por nëse prodhojmë një futbollist që shitet 20 milionë euro apo 10 futbollistë të tillë, është me benefit për të gjithë. Në kemi bërë llogaritë dhe rezulton që futbolli ka impakt direkt në ekonominë shqiptare me rreth 70 milionë euro. Asgjë nuk humb nga buxheti i shtetit, por investohet për të ardhmen, sidomos të fëmijëve që mund të luajnë futboll në vend që të merren me aktivitete të tjera jo të mira për ta.

Sukseset e Kombëtares shqiptare – Në të gjitha këndvështrimet unë mendoj që jemi pozitivë dhe në rrugën e duhur. Shqipëria ka futbollistë kualitativ në të gjitha brezat por futbollisti më i mirë i Shqipërisë ka qenë gjithmonë ekipi. Futbolli është lojë kolektive, është e vështirë që të arrish rezultat vetëm me një kualitet. Mund të ndodhi por duhet të kesh një si Messi, por si ai mund të lindin vetëm 3-4 në botë.

Arena e Lajmit

Infrastruktura, sukseset kuqezi, zhvillimi i FSHF-së & rrugëtimi në futbollin shqiptar/ Presidenti Duka analizon gjithçka në 360 gradë

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook