Gjyqtarja Fatime Deçolli përballet me vetingun

Gjyqtarja e Tiranës, Fatime Deçolli dha shpjegime para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për balanca negative në vlera të vogla, ndërsa në seancë u vu në dukje se hetimet e KPK kishin përmbysur një raport me probleme nga DSIK.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zhvilloi të hënën një seancë dëgjimore me gjyqtaren e Tiranës Fatime Deçolli. Gjyqtares, që iu nënshtrua procesit të rivlerësimit në të tri kriteret, iu kërkuan shpjegime për dy balanca negative të shpërndara në vite dhe që në total shkonin rreth 500 mijë lekë dhe po ashtu u pyet në lidhje me qëndrimet e saj në një prej çështjeve të gjykuara prej saj që ishte rrëzuar në Apel.

Deçolli në fjalën e saj falënderoi KPK-në për hetimin e thellë dhe të gjithanshëm dhe ra dakord me konkluzionet, ndërsa kërkoi të merreshin parasysh shpjegimet e dhëna sa i përket bilanceve negative.

Procesi i vetingut për gjyqtaren Deçolli, u krye nga trupa e përbërë nga Lulzim Hamitaj kryesues, Etleda Çiftja anëtare dhe Brunilda Bekteshi relatore.

Fatime Deçolli e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në fillim të viteve ’90 dhe ka punuar si gjyqtare dhe kryetare gjykate në Berat. Prej vitit 2010, Deçolli e ushtron funksionin në Gjykatën e Rrethit Tiranë.

Bilancet negative

Relatimi i Bekteshit mbi pasuritë e Deçollit ishte i detajuar, por KPK vuri në dukje se kishte gjetur probleme dhe kishte kërkuar shpjegime vetëm në lidhje me dy momente.

Kështu sipas Bekteshit, pas një investimi në vitin 2004, Deçolli rezultonte me një bilanc negativ prej 100 mijë lekësh. Siç doli nga relatimi, ky bilanc ndikohej nga fakti që Deçolli nuk kishte deklaruar ndryshime në kursimet cash të kohës.

Ajo tha se shuma e kursyer në vitin 2004 ishte përdorur për investimin, por në muajt qershor-dhjetor 2005 kjo shumë ishte rivendosur si kursim dhe për pasojë nuk kishte ndryshim kursimesh në vitin pasardhës.

Bilanci i dytë negativ prej rreth 400 mijë lekësh, i ndarë në vitet 2011, 2014 dhe 2015, ishte krijuar për shkak të pagesave të kredisë në blerjen e një apartamenti dhe shpenzimeve të tjera të familjes.

KPK tha se nuk kishte marrë parasysh të ardhurat nga një shtëpi e dhënë me qira në Berat, duke shpjeguar se tatimet për këto të ardhura ishin paguar vetëm pas hyrjes në fuqi të ligjit për rivlerësimin.

Në këtë pikë, Deçolli i kërkoi Komisionit të merrte parasysh të ardhurat e vjehrrës që kishte ndihmuar familjen. Sipas saj nëse merreshin në konsideratë edhe këto të ardhura, ky bilanc negativ ndryshohej.

Në vijim u bë me dije se gjyqtarja dhe bashkëshorti kishin blerë një apartament në Tiranë për shumën 82 mijë euro në vitin 2009. Pagesat për apartamentin ishin ndarë në tre këste. Kësti i parë siç doli në hetim ishte paguar fillimisht me një hua afatshkurtër që ishte shlyer me kursimet e Deçollit. Sipas Komisionit, huaja ishte shlyer ne rrugë bankare dhe nuk u gjetën probleme.

Kësti i dytë ishte paguar përmes një kredie, ndërsa kësti i tretë pak më shumë se 24 mijë euro ishte ende i pashlyer pasi shtëpia nuk ishte regjistruar si pronë në kadastër.

Anëtarja e trupës Etleda Çiftja pyeti Deçollin për këtë rast. Çiftja kërkoi të dinte nëse kishte ndonjë kontratë mes Deçollit dhe kompanisë, për shkak se gjyqtarja e shfrytëzonte banesën prej vitesh, por nuk e kishte paguar këstin e tretë. Deçolli këmbënguli se nuk kishte kontratë tjetër, përveç asaj që e lidhte shlyerje e këtij detyrime me regjistrimin e pronës.

Bekteshi tha se ishin verifikuar pasuritë e vjehrrës dhe djalit të gjyqtares dhe nuk ishin gjetur probleme. Po ashtu KPK kishte hetuar për pasuri edhe në dy mbiemrat e tjerë të përdorur nga gjyqtarja dhe të deklaruara prej saj.

Figura dhe profesionalizmi

Bekteshi relatoi se Drejtoria për Sigurimin e Informacionit të Klasifikuar kishte sjellë një raport me probleme për Deçollin, duke vënë në dukje një çështje dhe ngritur dyshime për gjyqtaren. DSIK megjithatë nuk kishte dhënë mendim përfundimtare mbi gjyqtaren, por ia linte këtë vlerësim Komisionit.

Por verifikimet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit gjetën se çështja në fjalë, një çështje divorci, nuk ishte gjykuar prej saj. Deçolli vetë e cilësoi fyes raportin e DSIK-së dhe bëri kritika ndaj punës së institucionit, por u ndërpre nga kryesuesi Hamitaj që i cilësoi këto jashtë interesit të seancës.

Sa i përket profesionalizmit, Deçollit iu kërkuan shpjegime për një çështje të gjykuar prej saj, emërtuar si “Dosja numër 3”. KPK tha se vendimi në fjalë ishte prishur nga Gjykata e Apelit. Siç u kuptua çështja ishte një padi për konsiderimin si “absolutisht të pavlefshme” të një kontrate dhurimi.

Deçolli në shpjegimet e saj tha se kishte ndjekur vendimin unifikues të Gjykatës së Lartë. Ajo tha se nëse padia konsiderohej e plotë Apeli mund ta kishte shqyrtuar atë vetë dhe nuk kishte pse e kthente.

Gjyqtarja dha shpjegime edhe mbi disa denoncime. Ajo falënderoi KPK për hetimin e thelluar dhe kërkoi konfirmim në detyrë. Vendimi do të shpallet në 5 qershor. /BIRN/

Arena e Lajmit

Gjyqtarja Fatime Deçolli përballet me vetingun

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook