Policia e Elbasanit ka arrestuar 2 persona, një në kërkim ndërkombëtar për drogë dhe tjetri për vjedhje. Pas hekurave ra shtetasi Ermal Nonaj alias Marvi Nonaj, 45 vjeç, banues në Elbasan si 41-vjeçari me inicialet A. Gj., banues në Elbasan, pasi Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, me vendimin e datës 04.05.2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja”.
NJOFTIMI I POLICISE
Vijojnë kontrollet intensive në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve në kërkim. Si rezultat i kontrolleve, u kapën 1 shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe 1 shtetas i shpallur në kërkim kombëtar.
Strukturat e DVP Elbasan, në zbatim të masave të hartuara në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Sundimi i ligjit”, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, mbi vendndodhjen e 2 shtetasve në kërkim, kanë intensifikuar kontrollet për kapjen dhe vënien e tyre, përpara përgjegjësisë ligjore.
Si rezultat i kontrolleve:
✔️ Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën Operacionale, kapi dhe ndaloi shtetasin Ermal Nonaj alias Marvi Nonaj, 45 vjeç, banues në Elbasan.
Gjykata e Apelit Torino, me vendimin e datës 11.03.2021, e ka dënuar këtë shtetas, me 4 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, parashikuar nga Kodi Penal italian. Vijojnë procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi, në Itali.
✔️ Shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan kapën dhe ndaluan shtetasin A. Gj., 41 vjeç, banues në Elbasan, pasi Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, me vendimin e datës 04.05.2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja”.
Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasin Xh. Gj., më datë 01.09.2023, ka vjedhur në biznesin e një shtetaseje, kasafortën brenda së cilës ka patur 60 000 lekë dhe 500 euro.
Veprimet e mëtejshme për këtë shtetas do të kryhen nga strukturat e DVP Vlorë.