Mesfusha dhe krahët, fokusi i Partizanit të ri. Të piketuarit si shitje pritet që të zëvendësohen direkt

Partizani i sezonit të ri nis me prezantimin në Ligën e Konferencës, ku shpresohet që “goglat” të jenë bujare në start. Prezantimi varet edhe nga merkatoja që do të bëjë klubi në hyrje dhe në dalje.

Në mbledhjen e fundit ku u votëbesua trajneri Orges Shehi, drejtuesit ia bënë të qartë ish-kapitenit, që të jetë i përgatitur për shitjen e një ose dy “peshave të rënda” të skuadrës. Më të lakuar për t’u shitur janë Arinaldo Rrapaj, që për momentin shikohet në “pole position”, si dhe Maget Gueje dhe Arshonzh Bintsuka. Kështu që merkatoja e skuadrës është e varur edhe nga këta emra, pasi duhen gjetur zëvendësuesit e tyre.

“Panorama Sport” mëson se në këtë aspekt drejtuesit po punojnë me plan të dyfishtë, shitje dhe afrime cilësore. Trajneri Orges Shehi e gjeti skuadrën e formatuar dhe me të drejtë nuk mund të quhej “Partizani i Shehit”. Kështu që me afrimet e reja dhe me punën që pritet të nisë javën që vjen, merr rrugë edhe i ashtuquajturi Partizani i trajnerit Orges Shehi. Tani ish-kapiteni do të kërkojë që të afrojë lojtarë që i shkojnë përshtat filozofisë së lojës së tij. Gjatë kësaj merkatoje pritet që sulmi të çlirohet nga prezenca e shumtë e “pykave”, që nuk rezultuan funksional në fazën sulmuese. Skuka e mbylli huazimin dhe tashmë është larguar te francezët e Metz. Gjasat janë që dy të tjerë nga ky repart të lirojnë vendet, ku favorit mund të jetë Alfred Mensah që me ardhjen e trajnerit Shehi nuk gjeti shumë hapësira.

Trajneri durrsak njihet si “partizan” i lojës nga krahët, por Partizani aktual nuk e ka luksin që t’i përgjigjet shijeve të tij. Duke pasur mbipopullim “pykash”, të kuqtë vuajtën nga krahët. Prandaj prioritet në këtë merkato mbetet përforcimi i krahëve në fazën sulmuese dhe puna për gjetjen e tyre është përqendruar si në tregun vendas dhe atë të huaj. Mesfusha dhe faza sulmuese nga krahët janë piketat kryesore të merkatos së verës së “demave të kuq”. Përforcimi i mesfushës është i lidhur kryesisht me “rrjedhjet” që mund të pësojnë nga shitja e lojtarëve të lartpërmendur. Rinovimi i Gjelbrim Taipit tregon se trajneri beson te ai, pasi mund të jetë një alternativë e mirë si për lojën në krahë, por edhe për të plotësuar largimin e mundshëm të Rrapajt.

Arena e Lajmit

Mesfusha dhe krahët, fokusi i Partizanit të ri. Të piketuarit si shitje pritet që të zëvendësohen direkt

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook