Vijojnë gërmimet arkeologjike në qytetin antik në Bushat, zbulohen disa pjesë të reja që i përkasin mureve rrethuese dhe 1 salloni

Gërmimet arkeologjike në qytetin antik të zbuluar në Bushat të Vau Dejësit që dyshohet se i përket periudhës ilire kanë hyrë në vitin e 5-të nga grupi shqiptaro-polak. Pas zbulimit të portës hyrëse në 2018-ën tashmë gërmimet janë fokusuar në pjesën e mesme dhe janë zbuluar disa pjesë të reja që i përkasin mureve rrethuese dhe një salloni.

Gazetari Senad Nikshiqi raporton për Arena e Lajmit se bashkëdrejtuesi shqiptar nga qendra arkeologjike Saimir Shpuza thotë se mendohet se ky qytet i përket shekullit të 4 para erës së re. Edhe pse nuk është vërtetuar ende ka dyshime se mund të jetë qyteti ilir i Basanias, i pazbuluar ende.

Arkeologu polak Bartosz Wojciechoëski (Bartosh Vojçeçovski) thotë se ky qytet i lashtë është shumë premtues, por nevojiten shumë vite për të dalë në përfundime.

“Të jem i sinqertë gërmimet arkeologjikë në Shqipëri janë ndër më interesantet gjatë karrierës sime si arkeolog. Këtu jemi duke kërkuar për një qytet antik, qytet ilirian nga shekulli i 4 përpara lindjes së Krishtit dhe është një vend shumë premtues sepse jemi thjesht në fillim të gërmimeve dhe gjithashtu kemi gjetur struktura shumë interesante dhe jemi duke vijuar vit pas viti. Është një punë shumë e rëndësishme sa i përket arkeologjisë dhe vjetërsisë në Shqipëri. Kemi të bëjmë me një qytet antik të madh në hapësirë, me gurë monumental. Ne jemi në sezonin e pestë këtu, kështu që ajo që unë them është që gërmimet arekologjike këtu duhet që të vijojnë për një kohë shumë të gjatë, përshembull edhe përmbi 60 vite. Kështu unë jam duke pritur që të vijojë puna vit pas viti dhe të gërmohet gjithnjë e më shumë sepse nevojitet e gjithë kjo kohë për të dalë në përfundime”.

Pjesë e këtij projekti është edhe përgjegjësi i parqeve arkeologjike në drejtorinë rajonale të kulturës Helidon Sokoli, i cili shprehet se ky vend antik po përgatitet që brenda kësaj vere të shpallet zonë e mbrojtur.

Projekti “Shkodra” i gërmimeve arkeologjike do zgjasë edhe për disa vite dhe do jetë i fokusuar në zonën e Bushatit për të mësuar më shumë mbi këtë thesar që do ketë vlerë kulturore e historike nëse arrihet që të gjenden monedha, pllaka varrezash apo të tjera me mbishkrime që përkojnë edhe me dokumentet shkencore dhe historike të periudhës ilire.

(Arena e Lajmit)

Arena e Lajmit

Vijojnë gërmimet arkeologjike në qytetin antik në Bushat, zbulohen disa pjesë të reja që i përkasin mureve rrethuese dhe 1 salloni

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook