Në emisionin në Shënjestër të gazetares Klodiana Lala në News24 është trajtuar përplasja mes grupeve kriminale në Elbasan. Më konkretisht është hakmarrja e Erion Alibej, ndaj atyre që i konsideronte si armiq apo kundërshtarë.
Pas vrasjes së vëllait të tij, Endritit, i njohur me nofkën ‘Tarzani’ në dhjetor të vitit 2018, në sy të gruas dhe të fëmijëve, ai nuk ishte më i njëjti.
Madje ishte betuar se hakmarrja ndaj atyre që ngritën dorën ndaj familjes së tij, do të ishte më e shpejtë dhe e egër se ç’ata e prisnin.
Për këtë Erion Alibej, që në Elbasan njihej me nofkën ‘Krymi’, i duhej të bënte pakt edhe me djallin kudo që ai të ishte fshehur.
Kjo për të, ishte e vetmja mundësi për të qëruar hesapet me personazhe të ndryshëm në Elbasan, që kishin marrë pjesë jo vetëm në atentatin ndaj vëllait të tij Endritit, më 29 Dhjetor 2018, e njohur ndryshe si Masakra e Bradasheshit.
Ku krahas të vëllait humbi jetën edhe xhaxhai i tij Arben Dylgjeri si edhe një shtetas turk.
Por edhe ndaj të afërmve të tjerë, të cilët u ekzekutuan fill më pas.
Hakmarrje, e cila hëngri brenda një kohe të shkurtër 6 koka të tjera, të cilët kishin lidhje me grupin që ngriti armën ndaj familjes Alibej.
Ku të parët që u eleminuan ishin qitësit dhe ata që shërbyen për të strehuar vrasësit dhe automjetet të cilët u përdorën në krime.
Por që për të arritur deri ta ata, Erion Alibej, i duhej me patjetër, një njeri i cili kishte bashkëpunuar ngushtë me ta.
Dhe që ua dinte po kaq mirë strofkullën se ku fshiheshin si edhe veset.
Që në të tilla raste janë po kaq të rëndësishme, dhe mund të të çojnë shumë më shpejt se çe mendon te shënjestrat.
Ky mik i cili deri dje ishte armik i tij dhe që sot po kthente armën ndaj atyre që deri dje ishin miqtë e tij, ishte Nuredin Dumani.
Sot bashkëpunëtor i drejtësisë, i cili po rrëfen të gjitha ngjarjet kriminale ku ka marrë pjesë, të ndodhura në Elbasan dhe Durrës.
Por edhe më gjerë se në këto qytete.
I njëjti i cili pasi ndjeu peshën e tradhtisë, që e nxorri në pritë ditën që u plagos rëndë, dhe që shënoi edhe fundin e tij si vrasës me pagesë, rrëfeu se si ai që deri dje kishte qenë ortaku i tij në shumë krime, Talo Çela, tashmë ishte kthyer në armikun e tij më të përbetuar.
Dhe se që nga momenti i prishjes pa kthim me mikun e tij, ai ishte bashkuar me Erion Alibej.