Takimi i KiE/ Gjonaj: Po zgjerohet roli i Tiranës si qendër diplomatike, kemi prioritet barazinë gjinore

Deputetja socialiste, Etilda Gjonaj, raportere e Përgjithshme e APKiE-së për dhunën ndaj grave,  gjatë një konference me pjesëmarrjen e deputetëve nga 46 shtetet anëtare të KIE, tha se vitet e fundit, Tirana është shndërruar në një ‘hub’ strategjik për pritjen dhe organizimin e takimeve të rëndësishme ndërkombëtare, duke promovuar dialogun dhe bashkëpunimin për çështje të ndryshme globale.

Sipas saj, këto takime, jo vetëm që kanë treguar rëndësinë diplomatike në rritje të Shqipërisë, të një Shqipërie që aspiron në dëshirë ashtu si edhe në përpjekje titanike për të qënë anëtare e Bashkimit Europian, por gjithashtu kanë lehtësuar diskutimet jetike mbi stabilitetin dhe zhvillimin rajonal.

“Roli i Tiranës si qendër diplomatike vazhdon të zgjerohet, duke nxitur bashkëpunimin dhe mirëkuptimin midis kombeve”, tha ajo.

Në vijim Gjonaj u shpreh se ndërsa krenohemi me rrugëtimin e jashtëzakonshëm të Shqipërisë dhe me përpjekjet konkrete të saj për të përmbushur standardet e BE-së dhe për të perqafuar vlerat e larta të KiE, angazhimi ynë, angazhimi i Kryeministrit dhe i Qeverisë për të siguruar që çdo individ, veçanërisht gratë, të mund të ndjejnë plotësisht përfitimet e përparimit të vendit tonë, duke jetuar në një shoqëri pa dhunë, mbetet i palëkundur.

“Një shoqëri që sot mbështet dhe kontribuon në barazinë gjinore është një shoqëri e sigurtë për të nesërmen, është një shoqëri e denjë për të ardhmen tonë të përbashkët.

Në epokën dixhitale, lehtësitë e shfaqura janë të jashtëzakonshme, por sfidat me të cilat shoqëria përballet dhe veçanërisht gratë janë të shumta, pasi edhe formave të dhunës ndaj grave i shtohen forma të reja të dhunës digjitale/kibernitike, si ngacmimi online, gjuha e urrejtjes, komentet me natyrë seksiste, kërcënimet etj. Këto forma të dhunës janë po aq të dëmshme sa dhuna fizike, duke shkaktuar dëme të rënda psikologjike si një kërcënim i jetës dhe shëndetit të grave por dhe duke mbytur zërat e grave në diskursin publik.

Dhuna digjitale është një fenomen që sot vihet re në të gjitha shoqëritë, kjo pse edhe në nivel ndërkombëtar nëpërmjet masave ligjore dhe atyre institucionale, është vendosur fort theksi për ta luftuar.

Sipas statistikave të Këshillit të Europës (2020), rreth 58% e grave kanë përjetuar dhunën online dhe rreth 50% e tyre kanë pohuar se kanë përjetuar më shpesh dhunë online sesa dhunë fizike. Ndërkohë, po t’ju referohemi shifrave në raportin e vitit 2022 të Instituti Evropian për Barazi Gjinore, ngacmimi online është dokumentuar në 19 nga 27 shtetet anëtare të BE-së, në forma të ndryshme si: dërgimin e kërcënimeve, mesazheve shqetësuese dhe ngacmimet”, tha ajo.

Sipas saj, pavarësisht se Këshilli i Evropës luan një rol drejtues në parandalimin dhe luftimin e të gjitha formave të dhunës kundër grave, përsëri ky fenomen ka një përhapje të madhe dhe veçanërisht në vendet në konflikt apo në luftë.

“Shqipëria vecanërisht vitet e fundit ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të përmirësuar kuadrin ligjor dhe atë institucional. Aktualisht, Shqipëria ka një kuadër ligjor që adreson dhunën me bazë gjinore, është palë në një sërë traktatesh kyçe për mbrojtjen e të drejtave të grave, të tilla si Konventa e Stambollit, CEDAË si dhe ka një sërë ligjesh të rishikuara me qëllim përputhshmërinë e tyre me standardet dhe parashikimet ndërkombëtare.

Bëj pjesë në një Parlament që balancën gjinore e ka prioritet, dhe unë jam 1 nga 50 gratë deputete në Kuvendin e Shqipërisë (ku 36% e zënë gratë – falë përpjekjeve të vazhdueshme edhe të kolegeve deputete që janë përballur më herët me këtë sfidë). Qeveria shqiptare ka numrin më të lartë të ministreve gra, dhe kjo falë vizionit dhe mbështetjes së vazhdueshme të Kryeministrit Edi Rama në këtë drejtim.

Pavarësisht sa përmënda më sipër, me nevojën për të përafruar legjislacionin tonë  me “acquis communautaire” dhe standardet ndërkombëtare, të zhvillimeve teknologjike, formave të reja të dhunës me të cilat gratë dhe vajzat po përballen, ka nevojë për rolin tonë aktiv si ligjvënëse, në parashikimin e masave të reja ligjore dhe institucionale, rishikim të masave ndëshkuese, rolin aktiv të institucioneve shtetërore për ndërgjegjësimin e viktimave, rolin e të gjithë shoqërisë për parandalimin e rasteve të tilla të dhunës, me pasoja edhe fatale për jetën.

Format e dhunës digjitale veçanërisht në shoqëri të vogla patriarkale, pengojnë gratë të përfshihen në politikë, në qeverisje, në vendimmarrje, në pozicione drejtuese etj. Kjo dhunë bëhet akoma më e ashpër me gratë politikane dhe figurat publike, sidomos kur këto të fundit janë në krye të reformave apo vendimmarrjeve të rëndësishme, gjë që dëshmon edhe njëherë faktin se asnjë nga ne nuk ka imunitet nga dhuna dhe sidomos nga ajo online”, tha ndër të tjera Gjonaj.

Arena e Lajmit

Takimi i KiE/ Gjonaj: Po zgjerohet roli i Tiranës si qendër diplomatike, kemi prioritet barazinë gjinore

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook