Deputeti Fatmir Mediu, kryetar i PR-së, për emisionin Sintezë në Neës24, ku është diskutuar mbi të drejtën e votës së diasporës shqiptare në zgjedhje, tha se Partia Socialiste ka sabotuar Komisionin për Reformën Zgjedhore, duke bllokuar në këtë mënyrë edhe një të drejtë kushtetuese të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit.
Mediu tha se nga ana e socialistëve nuk ka një vullnet politik për të realizuar këtë të drejtë.
Kreu i PR-së e konsideroi si një mundësi të mirë hyrjen në politikën shqiptare të të rinjve dhe të rejave, qytetarëve të kualifikuar që sot jetojnë në Europë, SHBA, Kanada apo kudo, duke i dhënë një tjetër dimension politikës shqiptare.
Mediu theksoi se opozita nuk ka pse të ketë frikë nga vota e diasporës, ndoshta mund të ketë frikë nga manipulimi i votës, por opozita s’ka asnjë frikë nga vota e diasporës.
“Duhet të gjykojmë të gjithë së bashku që vetëm pjesëmarrja në zgjedhje, shmang manipulimin e zgjedhjeve”, tha Mediu, duke shtuar se nuk ka asnjë shenjë të qartë për tu kthyer në kushtet zgjedhore të 2013-ës.