Nuk flet shumë, zbret në stërvitje dhe topin s’e prek pa bërë nxehjen e nevojshme. Detyrat e trajnerit i zbaton me përpikmëri dhe në dy vite u bë një nga mbrojtësit e majtë më të mirë të Superiores.AtanaskoskiPo flasim për David Atanaskoskin, djalin nga Shkupi, që për dy vite mbrojti ngjyrën e kuqe dhe fitoi titullin kampion. Para dy ditësh ai njoftoi largimin nga klubi i kuq, teksa në një prononcim për “Panorama Sport” ai tregon arsyen e ndarjes dhe gjithçka mbi eksperiencën 2- vjeçare me Partizanin. Atanaskoski pritet të kalojë në elitën e futbollit rumun.
David, dy vite te Partizani. Jeni i kënaqur për atë çka arritët me këtë klub?
Nuk ke sesi të mos jesh i lumtur kur ti arrin qëllimet e tua dhe të klubit. Ishin dy vite të mira, me një titull kampion dhe një Superkupë. Gjithashtu, luajtëm në “play-off” të Ligës së Konferencës. Kështu që mund të them se kam kaluar momente shumë të mira me Partizanin.
Ndiheni një futbollist më i mirë pas një titulli dhe një Superkupe të fituar?
Sigurisht që ndihem i tillë. Mendoj se vit pas viti çdo lojtar bëhet akoma më i mirë nëse punon në mënyrën e duhur.
Përse vendosët të mos e rinovonit kontratën me Partizanin?
Ishte një vendim i vështirë për mua, por dominoi dëshira për të provuar një aventurë të re.
Si ishte ky sezon për skuadrën? Çfarë i mungoi Partizanit që nuk arriti të fitojë trofe?
Mendoj se në këtë sezon ne dhamë maksimumin tonë. Nuk mund të përcaktoj në mënyrë ekzakte se çfarë na mungoi, por ishim shumë afër titullit. Arritëm finalen e titullit kampion. Në fund ishte vetëm një ndeshje dhe duhej të kishte vetëm një fitues.
Cili ishte sezoni më i mirë për ju personalisht?
Padyshim, sezoni im i parë, kur u shpallëm kampion. Pavarësisht se nuk isha ambientuar 100% dhe kjo kërkoi kohë, u ndjeva më mirë në atë vit.
Cilat janë përshtypjet tuaja për futbollin shqiptar?
Futbolli shqiptar është shumë i mirë. Nivel i kënaqshëm, lojtarë të mirë dhe shpresoj që me kalimin e kohës niveli do të vijë në rritje.
Kush ishte kundërshtari më i fortë?
Sa i përket lojtarit kundërshtar, është padyshim Duamena.
Cila ishte skuadra më e fortë që Partizani pati përballë në këto dy sezone?
Në kampionatin shqiptar çdo kundërshtar është i fortë. Unë kam luajtur me respekt kundër çdokujt dhe gjithnjë kam dhënë maksimumin tim për të ndihmuar skuadrën të shkojë te fitorja.
Cili nga trajnerët që ju stërvitën te Partizani ju la më shumë përshtypje?
Nuk do të ishte e drejtë të përmendja një trajner të caktuar. Kam pasur marrëdhënie shumë të mirë me të gjithë trajnerët në kohën time te Partizani.
Mendoni se një ditë do të luani sërish në Shqipëri?
Nëse po, duhet të jetë me patjetër Partizani? Ne asnjëherë nuk e dimë se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, por një ditë do të doja të kthehesha në Shqipëri dhe të luaja sërish me Partizanin.
Cili ishte shoku juaj më i ngushte në skuadrën e kuqe?
Eljon Sota, djali i palestruar (qesh).