Ish-Kryeministri Sali Berisha, në fjalimin që i drejton mbështetësve të tij nga ballkoni i banesës, ku ndodhet në arrest shtëpie prej pothuajse 6 muajsh, tha se sot nderojmë 25-vjetorin e lirisë së Kosovës në një ditë kur Shqipëria përjeton pushtimin e saj më të egër në kohëra.
“Kombi sot ka një datë të rëndësishme, kremton 25-vjetorin e ditës së parë të lirisë të qytetarëve të Kosovës, de facto dhe të kombit shqiptar pas shekujsh robërie.
25 vite më parë, trupat e NATO-s të udhëhequra nga presidenti Bill Klinton dhe SHBA, kaluan kufirin shtetëror mes Shqipërisë dhe Kosovës për të çliruar vendin e fundit të okupuar në Europë dhe kjo është një ditë e madhe.
Sot ne nderojmë veprën e pavdekshme të përjetshme të presidentit Ibrahim Rugova, arkitektit të Kosovës së lirë dhe të pavarur.
Nderojmë luftën legjendare, epike të UÇK-së, komandantit legjendar Adem Jashari.
Nderojmë shpirtin e pamposhtur të shqiptarëve në Kosovë dhe lirinë e tyre.
Por ne nderojmë sot 25-vjetorin e lirisë së Kosovës në një ditë kur Shqipëria përjeton pushtimin e saj më të egër në kohëra.
Në një kohë kur në 8 vite, jo lufta, as edhe pushtuesi i jashtëm, por një pushtues barbar, mizor i brendshëm ka shpërngulur nga Shqipëria më shumë se sa ç’shpërnguli Sllobodan Millosheviçi me tanke, topa dhe ushtritë e tij, shqiptarë nga Kosova.
Sot ne nderojmë këtë ditë në një kohë kur regjimi mban në arrest për motive strikt politike, kryetarin e PD dhe bën çdo përpjekje për asgjësimin e opozitës në Shqipëri”, tha Berisha.
Në vijim, duke iu referuar rezultatit të zgjedhjeve për Parlamentin Europian, ish-Kryeministri tha se fitorja e djeshme e partive të qendrës së djathtë ka një rëndësi historike për Shqipërinë dhe të ardhmen e saj në Europë.
“Partia Popullore Europiane u votëbesua nga qytetarët europianë për të mbajtur timonin e BE-së.
Qendra e djathtë evropiane doli dje nga zgjedhjet jo vetëm duke mbajtur pozicionet, por përkundrazi me një rritje të ndjeshme të përfaqësuesve të saj.
Fitorja e djeshme e partive të qendrës së djathtë ka një rëndësi historike për BE-në, të ardhmen e tij, por edhe për Shqipërinë dhe të ardhmen e saj në Europë.
Asgjë në botë nuk do mund të pengojë PD-në pa përmbushur misionin e saj historik, përmbysjen e diktaturës së Edi Ramës”, tha Berisha.