Presidenti i vendit, Bajram Begaj përmes një statusi ka komentuar lidhur me ngjarjen e Lidhjes së Prizrenit.
Begaj shprehet se kjo është një prej ngjarjeve të para të mëdha të krijimit të vetëdijes tonë kombëtare.
Më tej Presidenti shton se Lidhja e Prizrenit do të mbetet përjetë simbol i kësaj qëndrese e sakrifice dhe do të këtë një vend të lartë në historinë tonë kombëtare..
Postimi i plotë:
Lidhja e Prizrenit shënjon një prej ngjarjeve të para të mëdha të krijimit të vetëdijes sonë kombëtare dhe nisjen e lëvizjes për të bashkuar të gjitha trojet e të gjithë shqiptarët.
Ajo që ndodhi më 10 qershor 1878, ku patriotë nga çdo krahinë e vilajeteve shqiptare deklaruan në një zë se çdo pëllëmbë tokë nga dheu shqiptar do të mbrohet me gjak, ishte një akt sublim që dëshmon fuqinë e një kombi, shpirtin e një populli për të sakrifikuar gjithçka për lirinë dhe identitetin kombëtar.
Lidhja e Prizrenit do të mbetet përjetë simbol i kësaj qëndrese e sakrifice dhe do të këtë një vend të lartë në historinë tonë kombëtare.
Fryma e Lidhjes së Prizrenit shoqëroi kryengritjet para pavarësisë, ajo frymë ishte në Kuvendin e Vlorës dhe po ajo frymë mbajti gjallë shpirtin kombëtar në Kosovë për gati një shekull pushtim serb, derisa solli pavarësinë.
Nderim përjetë patriotëve dhe luftëtarëve të Lidhjes historike të Prizrenit!