Deputeti i PL-së, Petrit Vasili, gjatë fjalës së tij në Kuvend, tha se shtetit i është krijuar një dëm prej 170 mln euro si rezultat i pagesave për largimet e padrejta nga puna.
Vasili tha se administrata shtetërore po përjeton ditët më të zeza nga Narkoshteti i Ramës.
“Dhjetra mijëra dosje të tjera për largime të padrejta nga puna presin gjykimin. Qindra milionë euro të tjera do të paguhen nga taksat e djersës dhe mundit të shqiptarëve.
Largohen specialistët dhe zëvendësohen nga patronazhistë. E vetmja detyrë është të bëjnë like e share gomarllëqeve të qeverisë.
Administrata mizerabël publike bën që Shqipëria të jetë absolutisht e fundit në Ballkan dhe Europë për thithjen e fondeve europiane”, tha Vasili.
Në vijim ai shtoi se sot i lusin njerëzit për të punuar në administratën publike, por njerëzit nuk afrohen sepse korrupsioni dhe kompromentimi i tmerron.
“Shumë specialistë me eksperiencë të administratës kanë përfunduar si koka turku të korrupsionit të ministrave rilindas.
Ramaforma në drejtësi ka bërë që për vite të tëra largimet nga puna nuk gjykohen.
Edhe ato që gjykohen kërkojnë katër vjet e kusur.
Ky është bastardimi, që i ka bërë administratës shtetërore Rama dhe rilindja duke i lënë qytetarët në dorë të sharlatanëve të patronazhistë”, tha Vasili.