Roland Bejko, një prej mbështetësve të Lulzim Bashës, i cili një ditë më parë me vendim të Gjykatës së Apelit humbi të drejtën e vulës dhe logos së PD-së, e cila iu kalua grupimit të Rithemelimit, i drejtuar nga ish-Kryeministri Sali Berisha, tha se Kuvendi i 11 dhjetorit 2021, i organizuar nga Berisha, ishte në shkelje të plotë të statutit të PD-së.
Në rubrikën “Opinion” në News24, Bejko tha se vendimi i Apelit ishte një surprizë, ndaj dhe ne nuk kemi sot një plan ‘B’.
“Ne nuk e gjykojmë drejtësinë, por ai Kuvend i organizuar nga Berisha, në ato procesverbalet të cilat nuk janë marrë në shqyrtim, ka një thagmë.
Ia kam kërkuar Lulzim Bashës që të kishte një plan ‘B’, e kisha frikën te sistemi, pasi ajo marrëveshje e 2008-ës mes Berishës dhe Ramës forcon autokracinë”, tha Bejko.
Në vijim ai tha se ne ishim në luftë me sistemin, nuk ishim në luftë me individin Berisha, por me berishizmin, nuk jemi në luftë me Ramën, por me atë që përfaqëson Rama.
“Ne na thonë se jemi patericë e Ramës, por marrëveshjet me Ramën i bën Berisha dhe fitoi Berisha. Para 1 muaji u bë marrëveshja Gjiknuri-Bardhi, dhe bënë një paketë, që përjashtuan PD zyrtare nga Komisioni i Reformës Zgjedhore.
Nuk ishte marrëveshje thjesht për dy komisione, por ishte një paketë e plotë, që përfshinte eliminimin e komisionit bipartizan zgjedhor, kishte aty edhe vulën e PD-së, edhe lirimin e Sali Berishës, ashtu sikundër kanë edhe atë që Edi Rama fiton mandatin e 4-rt”, tha Bejko.
Ai u shpreh se nuk mund të ketë një bashkim me Berishën, pasi jemi kundër berishizmit. Bejko tha se berishizmi është vazhdim i punizmit, ramizmit dhe PD me lidershipin që ka sot do të zhytet edhe më keq, bashkë me vulën, që ia dhanë dje.