“Kush prek votën, duhet të lërë kokën”/ Berisha: Të bashkohemi për të përmbysur regjimin dhe krijuar qeveri teknike

Gjatë fjalës së mbajtur në tubimin qytetar, kryetari i PD-së Sali Berisha ka ftuar të gjithë shqiptarët që të ngrihen dhe të mos qëndrojnë opozitar në letra. ‘Koha fton çdo shqiptar të mos qëndrojë opozitar në letra. Të bashkohemi dhe t’i çjerrim çdo maskë regjimit’, theksoi Berisha në protestën maratonë që zhvillohet te ‘Rruga e Shpresës’.

Berisha ka paralajmëruar regjimin e Edi Ramës se ai që do preki votën e shqiptarëve, do duhet të lërë kokën. ‘Kush prek votën, duhet të lërë kokën. Të bashkohemi për të përmbysur regjimin dhe krijuar qeveri teknike’, theksoi Berisha në protestën maratonë në ‘Rrugën e Shpresës’.

Berisha është ndalur edhe te skandali më i fundit i lidhjeve politike të Edi Ramës dhe mafias më të rrezikshme në botë, kartelin meksikan Sinaloa.  ‘Sot del në skenë edhe McGonigali rumun, gjenerali që merrej me Edi Ramën dhe Sinaloan, klanin më të rrezikshëm mafioz të botës’, u shpreh Berisha në tubimin qytetar në mbështetje të tij që zhvillohet te ‘Rruga e Shpresës’.

Sali Berisha ka ftuar qytetarët e kryeqytetit që të marrin pjesë masivisht në protestën para Bashkisë së Tiranës ditën e premte. ‘Thirrja ime për qytetarët e Tiranës, ta shndërrojmë të premten në ditën e fitores tonë, në ditën e triumfit tonë’, u shpreh Berisha gjatë fjalës së tij te ‘Rruga e Shpresës’.

FJALA E PLOTE:

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjen më të pakufishme ju qëndrestareve dhe qëndrestarëve, misionareve dhe misionarëve të kauzës së drejtë, të kauzës të të vërtetave të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Qëndrestarë të pamposhtur, jeni bërë shembull frymëzimi, shprese dhe besimi se shqiptarët do fitojnë, se Shqipëria do fitojë. Cilido që beson se sot Shqipëria ka rënë në një diktaturë të bazuar në aleancën me krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve me në krye Edi Ramën. Cilido që beson se Edi Rama është antishqiptari shqipfolës më i egër i të gjitha kohërave, pasi ka përzënë me regjimin e tij mbi 1 milion shqiptarë në 8 vite.

Cilido që beson se Shqipëria është një vend me pasuri të pafundme natyrore, por që ato janë kthyer në një mallkim për qytetarët, sepse Edi Rama, zyrtarët e tij, ministrat e tij vjedhin, vjedhin me pamëshirësinë më të madhe. Cilido qytetar që mendon se duhet t’u japë përgjigjen e merituar Edi Ramës, që me sojin dhe sorollopin e tij vjedh qindra milionë dhe më shumë në tendera, në koncesione, në PPP.

Cilido që beson se Shqipëria duhet të jetë një shtet ligjor dhe jo narkoshtet, gazi i dheut, e ftoj të ndjekë shembullin tuaj. E ftoj të qëndrojë i pamposhtur si ju. Të qëndrojë, të sakrifikojë si ju dhe ju garantoj se nuk ka forcë në botë që të na mposhtë ne. Koha fton çdo shqiptar të mos qëndrojë opozitar në letra. Ju rikujtoj këtu ju se gjatë diktaturës, shumica e njerëzve mendonin krejt ndryshe për realitetin dhe regjimin. Por, atë mendim e mbanin për vete dhe diktatura forcohej çdo ditë dhe ajo ishte një mbështetje për diktaturën.

Prandaj qytetarë dhe qytetare, të mos rrimë duke folur me vete, duke kritikuar, qortuar me vete këtë regjim çnjerëzor të pafytyrë, por të bashkohemi dhe t’i çjerrim çdo maskë.

Të bashkohemi, të gatshëm për çdo sakrificë! Nuk ka gjë më vetëposhtëruese. Nuk ka gjë më të pafalshme se kur e sheh me sytë e tu se Edi Rama me patronazhistë, me aktivistë, me dhjetëra milionë euro, me banditë nga të katër anët e vendit, me përjashtime nga listat, të vjedh zgjedhjet, të vjedh votën dhe ti nuk ngrihesh. Vetëmashtrohesh, flet për zgjedhje, flet për votë, flet për kandidatë me xhelatin e zgjedhjeve në pushtet. Me xhelatin e votës së lirë në pushtet.

Qytetarë dhe qytetare, koha është t’u kthehemi himneve tona të lirisë. Himnet e lirisë thonë, ja të vdesim ja të rrojmë për liri. Ja të vdesim ja të rrojmë për votën e lirë. Votën e lirë nuk ta sjell njeri. Ai që prek votën, duhet të lërë kokën. Kush prek votën, duhet të lërë kokën. Votën e lirë nuk ta mbron njeri. Vota e lirë ka një armik, një armik mizor, dhe ky quhet Edi Rama.

Atëherë do lejojmë ne, do qëndrojmë ne opozitë në letër apo opozitë mosbindje civile, dhëmb për dhëmb gjersa ta mposhtim të keqen. U bëj thirrje çdo demokrati dhe demokrateje, u voni të vërtetën vetes suaj dhe njëri-tjetrit, u thoni të vërtetën qytetarëve se me Edi Ramën, vota jonë ka zero vlerë. Se me Edi Ramën, nuk ka zgjedhje. Se me Edi Ramën, në zgjedhje firmosin mandatin e tij. Turpin tonë, nënshtrimin tonë, poshtërimin tonë kurrë nuk duhet ta pranojmë.

Pse jeni ju këtu mbi 160 ditë? Ju jeni këtu në mbrojtje të të vërtetave që besoni. Për një shoqëri të lirë, e vërteta e të gjitha të vërtetave është vota e lirë e qytetarëve. Atëherë të bashkohemi për të përmbysur regjimin, qeveri teknike, zgjedhje të lira.

Sot del në skenë edhe McGonigali rumun, gjenerali i shërbimeve sekrete rumune që merrej me Sinaloan, klanin më të rrezikshëm mafioz të botës me lidhje shqiptare, Edi Ramën. Gjenerali Koldea, miku i ngushtë i Taulant Ballës dhe Edi Ramës, ndërmjetës në krime i tyre. Dhe sot shtypi rumun, i tëri zien për Edi Ramën e Sinaloas të Meksikës, për lidhjet e tij me drogën.

Miqtë e mi, a do pranojmë ne më tutje këtë kryeministër që me botën ndërkombëtare të krimit don të mposhtë shqiptarët. Ne jemi në rrugë të drejtë, ne jemi të vendosur dhe çdo ditë do ecim drejt betejës finale. Ne jemi në betejë pa kthim. Ju garantoj se këtë betejë do ta fitojmë. Se për këtë betejë jemi të gatshëm për çdo sakrificë.

Se nuk do mashtrojnë kurrë shqiptarët njeri, por do votojnë si qytetarë të lirë të një vendi të lirë. Me sakrificat tona, me çdo sakrificë, ne do u garantojmë shqiptarëve votën dhe lirinë e tyre. E premtja është dita e çlirimit të Bashkisë së Tiranës nga monstra njerëzore më e shpërfytyruar që mund të ekzistojë. Nga njeriu që aplikoi publikisht modelin 100 përqind të vjedhjes së fondeve.

Nga njeriu që së bashku me Edi Ramën kanë zhdukur 136 milionë euro të djegësit të Tiranës. Nga njeriu që sot u merr qytetarëve të Tiranës nga taksat e tyre 93 euro për ton plehra, në një kohë kur Banka Botërore me studimin e saj të plotë ka gjetur se për mbledhjen, fshirjen, pastrimin e qytetit, për seleksionimin, transportin e plehrave në fushat e tyre, për djegien e tyre, pra i gjithë procesi kushton 38 euro. 93 euro paguajnë sot shqiptarët pa djegur asnjë kilogram. Të gjitha janë taksa që i paguhen Edi Ramës dhe Erion Veliajt.

Ndaj dhe thirrja ime për qytetarët, ta shndërrojmë të premten në ditën e fitores tonë, në ditën e triumfit tonë. Sepse ne synojmë t’u rikthejmë votën dhe dinjitetin mbarë shqiptarëve. Ky mision është mision i shenjtë kombëtar. Ndaj dhe ftoj qytetarët e Tiranës të çlirojmë bashkinë e qytetit. Të mos pranojnë poshtërimin që u bëhet.

Edi Rama, bërë gjithçka për ëndrrën e etërve të tu barbarë dhe mizorë për një Shqipëri pa opozitë. Ke vendosur në arrest kryetarin e partisë më të madhe opozitare. Por një gjë të garantoj se fundi i etërve të tu të pret. Se diktatura jote do ketë fatin e diktaturës së etërve të tu. Dhe nuk do ketë vrimë miu në Shqipëri as në botë ku do futesh pa dhënë llogari gjer më një për ato që i ke bërë këtij vendi. Ndaj dhe përgatitu mirë.

Je i pashpresë, i pa shpëtim. Ke montuar një propagandë të shpifur, një propagandë mashtruese njëlloj si etërit tu. Por përsëri, drita e vërtetës do të çajë këtë errësirë dhe Edi Rama, ti do jesh përgjegjësi i parë si kryekriminel i Shqipërisë për mynxyrën që i bëre vendit. Nuk ka më paqe, stabilitet në këtë vend pa votë të lirë. Me Edi Ramën ka vetëm betejë. Me Edi Ramën ka vetëm mosbindje civile. Ndaj dhe të premten me të gjithë zemërimin tuaj, me të gjithë guximin tuaj, me të gjithë revoltën tuaj, të çlirojmë Bashkinë e Tiranës. Rrofshi ju, rroftë Shqipëria!

(Arena e Lajmit)

Arena e Lajmit

“Kush prek votën, duhet të lërë kokën”/ Berisha: Të bashkohemi për të përmbysur regjimin dhe krijuar qeveri teknike

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook