Gjykata Kushtetuese ka nisur sot seancën e hapur ku po diskutohet mbi padinë ndaj ligjit të taksimit të profesioneve të lira. Për këtë ligj, janë depozituar tre padi, ndërkohë që palët kanë paraqitur argumentet e tyre. Pasi janë parashtruar argumentet, trupa gjykuese është tërhequr për të dhënë vendimin mbi paditë.
REAGIMET
Në lidhje me ligjin në fjalë ka pasur reagime të ashpra nga përfaqësues të këtyre profesioneve, të cilët theksojnë se kjo taksë po i çon drejt falimentimit.
Kujtojmë se pak ditë më parë ata protestuan para Gjykatës Kushtetuese. Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, reagoi dje duke u shprehur se kjo është një betejë kundër një sistemi të korruptuar fiskal. Tabaku thekson se në Kosovë, profesionet e lira taksohen me 9%, ndërkohë që punëtorët taksohen me një progresivitet deri në 10% (pra, më poshtë se në Shqipëri). “Nëse në Shqipëri, profesionet e lira taksohen në letër me 15% deri në 23% në vendet e rajonit ky taksim është shumë më i ulët”, – shprehet ajo.
Ndër të tjera, deputetja demokrate shkruan se “kriza ekonomike që po kalon vendi është një krizë me origjinë mazhorancën socialiste dhe sistemin e korruptuar fiskal që kjo mazhorancë dhe qeveri ka sponsorizuar”.
REAGIMI I PLOTË
Ditën e nesërme (sot) Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë në një seancë të hapur kushtetutshmërinë e Taksimit të Profesioneve të Lira. Qeveria pretendon se ne që e kundërshtojmë këtë taksë, jemi disa anarkistë që nuk duam fare taksimin. Në të vërtetë, ne jemi njerëzit racionalë që jemi kundër taksimit të pandershëm dhe një sistemi korruptiv që i bën të paguajnë shumicën më shumë duke i rënduar në kurriz barrën e rëndë fiskale. Politika e taksimit të pandershëm dhe sistemit korruptiv ka shkatërruar sipërmarrjen e lirë dhe padyshim riskmarrësit kanë vendosur të largohen nga vendi. Rreziku është që profesionistët e lirë të shkojnë në Kosovë apo vendet fqinje të rajonit. Pse? Në Kosovë profesionet e lira taksohen me 9%, ndërkohë që punëtorët taksohen me një progresivitet deri në 10% (pra, më poshtë se në Shqipëri).
Nëse në Shqipëri profesionet e lira taksohen në letër me 15% deri në 23% në vendet e rajonit ky taksim është shumë më i ulët. Bizneset e reja që po krijohen në Shqipëri janë në përqindje më të ulëtat që nga viti 2010. Sipërmarrjet e reja për vitin 2023 ishin 10.5% e totalit të ndërmarrjeve aktive dhe ky është treguesi më i ulët që nga viti 2010, por dhe në nivelin e pandemisë. Investimet e Huaja Direkte janë rritur në vlerë, por realisht ata janë investime në blerjen e apartamenteve pasi ekonomia e monopolizuar dhe ligjet me porosi të kësaj mazhorance nuk ofrojnë asnjë mundësi investimi serioz Kriza ekonomike që po kalon vendi është një krizë me origjinë mazhorancën socialiste dhe sistemin e korruptuar fiskal që kjo mazhorancë dhe qeveri ka sponsorizuar. Prandaj nesër beteja në Kushtetuese për Profesionet e Lira është në të vërtetë një betejë kundër një sistemi të korruptuar fiskal që është ngritur për të taksuar punën, dijen dhe riskun sipërmarrës ndërkohë që u fal taksat një pakice që përfiton gjithë të mirat e buxhetit, pra taksave të shqiptarëve.