Do të mbahet sot një seancë në Gjykatën Kushtetuese ku do të shqyrtohet padia e Partisë Demokratike për mandatin e Olta Xhaçkës. Gazetari Osman Stafa raporton për se seanca do të nisë në orën 10:00. Kuvendi i Shqipërisë vendosi më 11 prill që të rrëzojë kërkesën e Gjykatës Kushtetuese për të çuar në këtë gjykatë interpretimin e mandatit të saj. Mazhoranca mbajti për më shumë se një vit në sirtar vendimin për deputeten. Xhaçka mbante detyrën e Ministres së Jashtme në kohën kur Komiteti i Vendimeve Strategjike i drejtuar nga kryeministri Edi Rama miratoi statusin e “investitorit strategjik” për bashkëshortin e saj, Artan Gaçi, i cili po ndërton një hotel në Dhërmi. Më pas, përmes një vendimi qeverie hotelit iu dha e drejta e përdorimit afatgjatë të brigjeve të detit.
Xhaçka këmbëngul se nuk është në konflikt interesi dhe se nuk kishte përfituar asnjë centimer tokë shtetërore dhe asnjë lloj përfitimi tjetër publik. Sipas saj, i vetmi përfitim nga ky status lidhej me kompaninë që në një të ardhme do të menaxhojë aktivitetin për sipërfaqen e plazhit para hotelit. Në janar të vitit 2023, Kushtetuesja duke i dhënë përgjigje një padie të deputetëve të PD-së rrëzoi si antikushtetues vendimin e Kuvendit për të mos dërguar çështjen pranë kësaj gjykate dhe i kërkoi Kuvendit që të vendosë për të kundërtën.
Kushtetuta parashikon që asnjë deputet nuk mund të përfitojë të mira publike dhe se ai humbet mandatin në momentin që Gjykata Kushtetuese del në këtë përfundim. Pas vendimit të Parlamenti, opozita e çoi sërish në Gjykatën Kushtetuese mandatin e Xhaçkës.
()