Në rubrikën “Çështja e Ditës” në News24 të gazetarit Klevin Muka është trajtuar raporti i OLAF, i cili i rekomandon Komisionit Europian të pezullojë fondit për Shqipërinë për IPARD3, pas evidentimit të parregullsive në shpërndarjen e fondeve për projektin IPARD2.
Inxhinieri Romeo Nazarko, i pari që inicioi hetimin nga OLAF lidhur me abuzimet me fondet e BE-së në kuadrin e mbështetjes së fermerëve shqiptarë, tha se kishte aplikuar në AZHBR për mbështetje lidhur me mbjelljen e arrorëve, por ishte skualifikuar edhe pse plotësonte kriteret.
“E pashë që ishtë e pamundur që të fitoja, ndaj iu drejtova OLAF duke ia bërë të qartë se skualifikohej nga procedurat për shkak të korrupsionit”, tha Nazarko.
Ai u shpreh se ka pasur abuzime lidhur me shpërndarjen e fondeve , duke shtuar se fondet nuk kanë shkuar te bujqit apo fermerët, por te personat që janë të lidhur me pushtetarë të ndryshëm.
“Fondet kanë shkuar te personat që janë të lidhur me zyrtarë dhe janë pëdorur për të zhvilluar bizneset e tyre”, tha Nazarko.
Ai u shpreh se nëse fondet do të shkonin te fermerët apo bujqit, do të kishte një rritje të bizneseve të tyre.
“Nëse një fermer ka 30 lopë, me mbështetjen e këtyre fondeve do të kishte 60 lopë, kjo do të bënte që të kishim një prodhim më të madh në rastin konkret të qumështit, apo produkteve të tjera”, tha Nazarko.