Analisti Preç Zogaj në rubrikën “Opinion” në Neës24 duke komentuar zhvillimet në rradhët e opozitës, pas vendimit të Gjykatës së Apelit që i kaloi vulën dhe logon grupimit të drejtuar nga Sali Berisha, tha se sistemi politik në Shqipëri tashmë është i bllokuar nga PS e drejtuar nga Edi Rama dhe PD e Sali Berishës.
Zogaj tha se këto dy parti janë shumë të fuqishme në elektorat dhe në këtë kuadër kanë bllokuar pothuajse plotësisht daljen e partive të reja, alternativave të reja.
Ai u shpreh se çdo ndarje dëmton partitë politike, duke shtuar se çdokush që tenton të krijojë parti të reja, duhet të shohë dhe analizojë se sa i favorizon sistemi politik.
“Nuk mjafton vetëm të deklarohesh se dikush është euroatlantik, por edhe duhet të pranohesh si i tillë”, tha Zogaj.
Lidhur me mandatin e deputetit për Sali Berishën për të cilën Lindita Nikolla, Kryetare e Kuvendit, tha se nuk mund të ketë ndërprerje, Zogaj e konsideroi si të drejtë interpretimin e bërë nga Kryeparlamentarja.
“Sali Berisha nuk mungon në Kuvend pa arsye dhe mendoj se arsyeja është në themel të ligjit. Nuk mund të themi se Sali Berisha mungon pa arsye, ai nuk shkon sepse nuk lejohet të shkojë”, tha Zogaj.