Gazetari Osman Stafa në emisionin Open në News24 duke komentuar skandalin e zbuluar në spitalin Onkologjik në QSUNT tha se edhe sot e kësaj dite mungojnë dy medikamente mjaft të rëndësishme për kurimin e pacientëve.
Ai tha se ilaçet e kimios në Shqipëri nuk janë të rimbursueshme. “Çdo pacient që vuan nga tumoret ka një protokoll të ndryshëm mjekimi. Qytetarët e dini si e zgjidhin këtë? Ose përmes ilaçeve kontrabandë ose duke kërkuar ndihmë te të afërmit që mund të kenë jashtë. E dini ju se shteti rimburson ilaçet për melanomën pozitive, por nuk rimburson ato për melanomën negative”, tha Stafa.
Stafa tha se mjekët e mirë në këtë spital u thonë pacientëve: nëse kini mundësi ikni që këtu, shkoni kurojuni diku tjetër.
“Nuk është vetëm Onkologjiku, kemi një situatë edhe më beterr se kjo që kemi sot”, tha Stafa. Ai u shpreh se në protestën e organizuar pasditen e sotme para Ministrisë së Shëndetësisë kishte qytetarë që kanë rrëfyer dhe kanë denoncuar rastet e përballjes në këtë spital.