Pas bërjes publike të detajeve të një skandali që ndodhte brenda spitalit Onkologjik në Tiranë, ku mjekë, infermier dhe staf spitalor, abuzonin me pacientët dhe i detyronin ata që të shkonin drejt spitaleve private, ka shkaktuar indinjatë të thellë te qytetarët.
Të shumë kanë qenë reagimet e qytetarëve që kanë ‘shpërthyer’ sot përmes qëndrimeve të tyre në emisionin ‘Koha për t’u zgjuar’ në News24, me gazetarin Klevis Muka. Qytetarët, teksa dënuan veprimet e stafit të spitalit në fjalë që bënte pazare me jetën e pacientëve me kancer, kërkuan dorëheqjen e ministres së Shëndetësisë, Albana Koçiu. Po ashtu u bënë thirrje dhe për reagime qytetare përmes protestave.
Qytetari 1: Nuk ka lidhje me mjekët, fajin e ka shteti. Shteti i ka fajin, ata kishin lidhje me nëndrejtoren e spitalit. Një mjek nuk mund të bëjë asgjë vet. Është e tmerrshme, e habitshme. Shqipëria nuk çalon vetëm te shëndetësia.
Qytetari 2: A ka dhënë dorëheqje ministrja e Shëndetësisë? Atëherë ndaj bëjnë kështu mjekët. Ky regjim është vrasës, hajdut, e rrjep, e vjedh këtë popull. Ministrja e Shëndetësisë duhet të kishte dhënë dorëheqje. Në këtë vend duhet të kishte dhënë fund ministrja. Ky popull që duron këtë sjellje skandaloze, është i mbaruar.
Qytetari 3: Ata mjekë nuk duhet të dënohen për shpërdorim detyre, por për vrasje. Të tallesh me të sëmurët me kancer, është një turp, një damkë e rëndë për ne. Si mor të tallesh me të sëmurin. Ata presin me ditë me vdek, këta tallen. Duhet të shkojnë para drejtësisë. Këta mjekë që janë lidhur me farmacitë, si ka mundësi?! Të tallesh me të sëmurët! Ata duhet të varen aty para te spitali, ata mizeriet.
Qytetari 4: Ku je i dashur kryeministër dhe flet për mjekësinë falas? Ku je? Ti merr ilaçet nga spitali shtetëror dhe i shet te privati. I bëj thirrje SPAK, që të hetojë, por këta janë zhytur. Ku i gjetën pronat? Tokat, shtëpitë në Tiranë e bregdet? Në varr do t’i marrin? Këta meritojnë ndëshkimin e qytetarëve!
Qytetari 5: Kemi një person nga familja me këtë sëmundje. Ky person thotë është; përgjegjësi individuale. Kjo i vuri vulën të gjithave njëherë. Të gjitha administratat janë kthyer në ujqër.
()