Dosja “Black Eagle” e “SKY ECC”, jepet dënimi për disa nga shqiptarët/ Detajet

Gjykata Penale e Brukselit dha sot vendimin për dënimin me 9 vjet burg për dy shqiptarë të përfshirë në atë që njihet si dosja “Black Eagle” në një proces me 40 të pandehur, shqiptarë e kolumbianë, që u zbulua pas deskriptimit të platformës Sky ECC, të përfshirë në një rrjet të trafikut ndërkombëtar të kokainës.

Një ditë pas leximit të aktgjykimit, Gjykata Penale e Brukselit vendosi që shqiptarët Alfredo H. dhe Indrit K. të dënohen me 9 vjet burg. Gjithashtu Alfredo H. u dënua edhe me 8000 euro gjobë dhe konfiskim me vlerë “ex aequo et bono” 625.000 euro.

Ndërsa Indrit K. ka marrë të njëjtin dënim me gjobë, si dhe konfiskim me vlerë 450 mijë euro ex aequo et bono.

Gjykata dha gjithashtu disa dënime me 6 vjet burgim për të pandehurit në mungesë, si dhe disa të tjerë me 5 dhe 4 vjet burg, shumica e tyre pjesërisht të pezulluara. U dënuan edhe dy të pandehur, njëri me tre vjet burg dhe tjetri me 18 muaj me kusht. Më në fund, dy të pandehur u dënuan me punë dhe pesë u liruan nga akuzat.

Në vendimin e saj, gjykata vuri në dukje “sulmin e rëndë ndaj rendit shoqëror” që shkaktuan faktet, por edhe rrethanën se ato penguan zhvillimin socio-ekonomik të vendeve të Amerikës së Jugut përmes korrupsionit, dhunës dhe kultivimit të paligjshëm.

Gjykata këmbënguli në faktin se autorët kanë ushtruar aktivitetin e tyre edhe duke trajtuar substanca kimike me shpërfillje totale ndaj mjedisit, por edhe se kanë marrë pjesë në shtimin e dhunës dhe drogës në shkallë planetare.

Ky rast ka të bëjë me trafikun e gjerë të drogës midis Amerikës së Jugut dhe Evropës. Rreth 40 persona u ndoqën penalisht si pjesë e një organizate kriminale aktive në prodhimin dhe shitjen e kokainës, përgjithësisht midis 2018 dhe 2022.

Disa nga shqiptarët e përmendur në këtë proces janë identifikuar më parë nga mediat si Artur S., Indrit. K., Arben I., Alfredo H., Fjodor B., Aldo T., Llazar S. apo kosovari Bashkim O., të konsideruar ndër lojtarët më të mëdhenj shqiptarë në tregun e kokainës. Në këtë dosje janë zbuluar edhe lidhje me zyrtarë në Shqipëri, përfshirë korruptimin e një prej tyre me një orë 400 mijë euro apo takime me ta në Antilet hollandeze për të mundësuar leje ndërtimi për kullë në Tiranë.

Arena e Lajmit

Dosja “Black Eagle” e “SKY ECC”, jepet dënimi për disa nga shqiptarët/ Detajet

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook