2.1 milionë euro i ikën buxhetit të shtetit për blerje energjie edhe pse nuk ka më asnjë krizë energjetike. Vetëm për datat nga 1 deri më 7 korrik, çmimi i tregtimit të energjisë në bursë ka qenë mestarisht 87 euro/kWh, ndërsa KESH ka hapur ofertat për blerjen e energjisë elektrike me çmim prej 108 euro për kilovat orë.
Ky çmim nuk është i justifikueshëm në një kohë kur vetëm pak ditë më parë vendi pati reshje të dendura shiu, ndërsa Shqipëria prej vitesh tanimë e ka të mundur mbulimin e mbarë territorit në masën 97% me energji të prodhuar në vend.
Kësisoj, blerjet me çmime të tilla i rrisin edhe më tej gropat e shkaktuara në buxhetin e shtetit përmes borxheve nga KESH. Për më tepër, tanimë KESH nuk bën të ditur as kompanitë fituese që kanë furnizuar vendin me energji elektrike, duke “minuar” llogaridhënien publike.
Kujtojmë se pak muaj më parë, News24 dëshmoi me prova dhe fakte se si trekëndësi KESH-OSHEE-OST kanë keqpërdorur paratë publike. Ish-drejtori i KESH, Ergys Verdho pasi vjedh energjinë elektrike në banesën e tij, jo vetëm që nuk është ndëshkuar por është rritur në detyrë duke u transferuar tashmë në krye të Hekurudhës shqiptare.
Në vendin e tij u emërua anëtari i Forumit Rinor të PS, Erlind Sulo, një 30-vjeçar pa eksperiencë në administrimin e parave publike. I besuari i ri i ministres së Energjetikës, Belinda Balluku e cila kryeson një nga dikasteret që kontrollon pjesën më të madhe të buxhetit të shtetit, duket se po i zbaton “detyrat” me përpikmëri.
Ndërkohë, vetë KESH “gllabëron” nga buxheti i shtetit në formë financimi 16% të GDP, si asnjë sektor tjetër në vend.
()